“Një Model për Mësimdhënien”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“Një Model për Mësimdhënien”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019
Një Model për Mësimdhënien
Në këtë burim, ju do të gjeni modelin vijues të përsëritur në secilin përvijim të mësimit: ftojini të tregojnë, jepeni mësim doktrinën dhe nxitni të mësuarin në shtëpi. Në shumë raste, teksa jepni mësim, elementet e këtij modeli mund të mbivendosen ose të ndodhin në një rend të ndryshëm. Për shembull, merrni parasysh që të treguarit është një mundësi për të dhënë mësim doktrinën dhe mësimdhënia e doktrinës duhet të përfshijë ftesa për të treguar. Po ashtu, nxitja e të mësuarit në shtëpi mund të ndodhë gjatë gjithë diskutimit në klasë. Lëreni këtë mbivendosje të ndodhë natyrshëm, duke ndjekur nxitjet e Shpirtit që të plotësohen nevojat e fëmijëve të cilëve iu jepni mësim.
Ftojini të Tregojnë
Si pjesë e çdo ore mësimore, ftojini fëmijët t’i shprehin ndjenjat, idetë e tyre ose t’i tregojnë përvojat e tyre rreth parimeve në përvijimin e mësimit. Komentet e tyre mund të përfshijnë përvoja që i kanë pasur gjatë të mësuarit në shtëpi. Ju gjithashtu mund të shqyrtoni atë që ata e mësuan javën e shkuar, dhe pyetini se si ajo e ka ndikuar jetën e tyre.
Jepeni Mësim Doktrinën
Manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund t’ju ndihmojë ta kuptoni doktrinën që po ua jepni mësim fëmijëve. Merrni parasysh cilat vargje të shkrimeve të shenjta, citime, përvoja, pyetje dhe burime të tjera mund t’i përdorni për t’i ndihmuar fëmijët të mësojnë parime të ungjillit dhe të veprojnë sipas tyre. Kërkoni mënyra krijuese që t’i ndihmoni të jenë të interesuar ndaj asaj që po mësojnë.
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Ngaqë shtëpia është qendra e të mësuarit të ungjillit, një nga synimet tuaja si mësues/e i/e Fillores është ta nxitni të mësuarin në shtëpi. Si mund t’i ndihmoni fëmijët t’ua tregojnë familjeve të tyre atë që mësuan në klasë? Si mund t’i nxitni fëmijët dhe prindërit e tyre që të vazhdojnë të mësojnë nga Dhiata e Re në shtëpi?