“Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve Më të Vegjël”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve Më të Vegjël”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019
Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve Më të Vegjël
Fëmijët e vegjël janë të gatshëm dhe të etur për ta mësuar ungjillin nëse iu paraqitet në një mënyrë që mund ta kuptojnë. Nëse u jepni mësim fëmijëve më të vegjël, merrini parasysh këto veprimtari që mund t’i ndihmojnë të mësojnë (edhe disa fëmijë më të rritur mund të përfitojnë prej këtyre veprimtarive):
-
Dëgjoni ose luani me role një histori. Fëmijët e vegjël i pëlqejnë shumë historitë – nga shkrimet e shenjta, nga jeta juaj, nga historia e Kishës apo nga revistat e Kishës. Kërkoni mënyra që t’i përfshini në tregimin e historisë. Ata mund të mbajnë figura ose sende, të vizatojnë figura të asaj që po dëgjojnë, ta luajnë me role historinë ose të ndihmojnë për ta treguar historinë. Ndihmojini fëmijët të dallojnë të vërtetat e ungjillit në historitë që tregoni.
-
Lexoni një shkrim të shenjtë. Fëmijët e vegjël mund të mos jenë në gjendje të lexojnë shumë, por ju përsëri mund t’i përfshini në të mësuarin nga shkrimet e shenjta. Mund të keni nevojë të përqendroheni te një varg, një frazë kyç apo një fjalë e vetme. Teksa e lexoni një shkrim të shenjtë me zë të lartë, ju mund t’i ftoni fëmijët të ngrihen në këmbë apo të ngrenë duart kur dëgjojnë një fjalë ose frazë të veçantë, ku doni të përqendroheni. Ata madje mund të jenë në gjendje të mësojnë përmendsh fraza të shkurtra nga shkrimet e shenjta nëse i përsëritin ato disa herë. Teksa dëgjojnë fjalën e Perëndisë, ata do ta ndiejnë Shpirtin.
-
Jini aktiv. Ngaqë fëmijët e vegjël janë shpesh energjikë, planifikoni mënyra që t’i lejoni të lëvizin përreth – duke marshuar, kërcyer, hedhur, përkulur, ecur dhe veprime të tjera që lidhen me parimin ose historinë që po u mësoni. Këto veprime gjithashtu mund të jenë të efektshme kur këndoni së bashku.
-
Shikoni një figurë ose një material filmik. Kur u tregoni fëmijëve një figurë ose material filmik që lidhet me një parim të ungjillit ose me një histori të shkrimeve të shenjta, bëjuni pyetje që i ndihmojnë të mësojnë nga ajo që po shohin. Për shembull, ju mund të pyetni: “Çfarë po ndodh në këtë figurë ose material filmik? Si ju bën të ndiheni?”” Biblevideos.lds.org, medialibrary.lds.org dhe children.lds.org janë vende të mira për të kërkuar materiale filmike.
-
Këndoni. Himne dhe këngë nga Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve] e japin mësim doktrinën fuqishëm. Përdorni treguesin tematik në fund të Children’s Songbook [Librit të Këngëve të Fëmijëve] që të gjeni këngë që lidhen me parimet e ungjillit që po i jepni mësim. Ndihmojini fëmijët ta lidhin mesazhin e këngëve me jetën e tyre. Për shembull, mund të bëni pyetje rreth fjalëve ose frazave në tekstet e këngëve. Përveç të kënduarit, fëmijët mund të bëjnë veprime që do të lidhen me këngët ose t’i dëgjojnë këngët si sfond muzikor ndërkohë që po bëjnë veprimtari të tjera.
-
Tregoni përvoja. Fëmijët e vegjël mund të mos kenë aq shumë për të treguar sa ç’kanë fëmijët më të rritur, por nëse u jepni udhëzime të posaçme, ata mund të flasin për ndjenjat dhe përvojat e tyre rreth asaj që po mësojnë.
-
Krijoni. Fëmijët mund të ndërtojnë, vizatojnë ose ngjyrosin diçka që lidhet me historinë ose parimin që po mësojnë. Nxitini t’i çojnë në shtëpi gjërat që i krijuan dhe t’ua tregojnë pjesëtarëve të familjes që t’i ndihmojnë fëmijët për ta kujtuar atë që mësuan.
-
Merrni pjesë në mësime me sende. Një mësim i thjeshtë me sende mund t’i ndihmojë fëmijët që ta kuptojnë një parim të ungjillit që është i vështirë për t’u kuptuar. Kur përdorni mësime me sende, gjeni mënyra që t’i lejoni fëmijët të marrin pjesë. Ata do të mësojnë më shumë nga një përvojë ndërvepruese sesa thjesht nga vështrimi i një demonstrimi.
-
Interpretimi me role. Kur fëmijët e interpretojnë me role një situatë të cilën ka të ngjarë ta hasin në jetën e vërtetë, ata janë më shumë në gjendje ta kuptojnë se si zbatohet një parim i ungjillit në jetën e tyre.
-
Përsëritini veprimtaritë. Fëmijët e vegjël mund të kenë nevojë t’i dëgjojnë konceptet shumë herë që t’i kuptojnë ato. Mos kini frikë t’i përsëritni shpesh historitë ose veprimtaritë, edhe gjatë të njëjtit mësim. Për shembull, ju mund ta tregoni një histori nga shkrimet e shenjta disa herë, në mënyra të ndryshme gjatë një mësimi – duke e lexuar nga shkrimet e shenjta, duke e përmbledhur me fjalët tuaja, duke shfaqur një material filmik, duke i lënë fëmijët që t’ju ndihmojnë ta tregoni historinë, duke i ftuar ta luajnë me role historinë e kështu me radhë. Nëse një veprimtari e përdorur në orën mësimore përsëritet edhe në shtëpi, përsëritja do t’i ndihmojë fëmijët të mësojnë e të mbajnë mend.
-
Ndërveprimi me të tjerët. Fëmijët po zhvillojnë aftësi shoqërore dhe shpesh kënaqen kur mësojnë e luajnë me bashkëmoshatarët e tyre. Krijoni mundësi për ta që të tregojnë, të veprojnë me radhë dhe të bashkëveprojnë teksa mësojnë.
-
Merrni pjesë në një larmi veprimtarish. Fëmijët e vegjël kanë kryesisht periudha të shkurtra vëmendjeje dhe kanë nevojë për stile të ndryshme të të mësuarit. Përdorni larmi veprimtarish dhe kushtojuni vëmendje sinjaleve që fëmijët kanë nevojë për ndryshim ritmi. Për shembull, ju mund të keni nevojë që të kaloni shpesh nga veprimtari të qeta në veprimtari gjallëruese.
Pjesë e rolit tuaj si mësues i fëmijëve të vegjël – përveç mësimdhënies së parimeve të ungjillit – është që t’i ndihmoni fëmijët të mësojnë se si të marrin pjesë si duhet në një orë mësimore në Kishë. Për shembull, ata mund të kenë nevojë të mësojnë se si të veprojnë me radhë, të tregojnë, t’i respektojnë të tjerët e kështu me radhë. Disa mësues krijojnë tabela me një caktim për secilin fëmijë që të marrë pjesë në orën mësimore në një mënyrë të veçantë (të tilla si thënia e një lutjeje, mbajtja e një fotografie ose shpërndarja e fletëve). Caktimet mund të ndryshojnë çdo javë. Kjo i ndihmon fëmijët të veprojnë me radhë dhe të përqendrohen te sjellja e duhur në klasë.
Fëmijët – veçanërisht fëmijët e vegjël – shpesh përfitojnë nga një rutinë e rregullt, e parashikueshme. Ngaqë fëmijët e vegjël kanë periudha të shkurtra vëmendjeje dhe nganjëherë hasin vështirësi që të përqendrohen për një orë të tërë mësimore, zakonisht është më mirë nëse kjo rutinë përfshin kalime të shpeshta nga një lloj veprimtarie në tjetrën. Për shembull, rutina e orës suaj mësimore mund të përfshijë ndërprerje rastësore për të luajtur një lojë, për të ngjyrosur një figurë, për të kënduar një këngë e kështu me radhë.