Dhiata e Re 2023
16–22 Janar. Gjoni 1: Ne e Kemi Gjetur Mesian


“16–22 Janar. Gjoni 1: Ne e Kemi Gjetur Mesian”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“16–22 Janar. Gjoni 1”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

Pamja
grua duke folur për ungjillin në një stacion treni

16–22 Janar

Gjoni 1

Ne e Kemi Gjetur Mesian

Ndërsa lexoni te Gjoni 1, mbajini shënim mbresat që merrni. Përvijimi i mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund t’ju ndihmojë ta studioni këtë kapitull. Veprimtaritë e sugjeruara në vijim mund t’ju japin ide rreth mënyrës se si t’i ndihmoni fëmijët që t’i mësojnë parimet te Gjoni 1. Veprimtaritë për fëmijët më të mëdhenj mund të përshtaten, po të dëshironi, edhe për fëmijët më të vegjël.

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Për t’i ndihmuar fëmijët të tregojnë atë që dinë rreth Jezusit, paraqitni figura për Të duke përmbushur disa prej roleve të Tij të përshkruara te Gjoni 1 (të tilla si krijimin e tokës ose mësimdhënien e ungjillit). Kërkojuni fëmijëve të përshkruajnë atë që po ndodh te figurat.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Gjoni 1:1–2

Jezusi jetoi me Atin Qiellor përpara se të lindte.

Gjoni dha mësim se Jezu Krishti jetoi me Perëndinë, Atin, përpara jetës së Tij në vdekshmëri. Edhe ne jetuam me Perëndinë përpara se të lindnim (shih “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). Si do t’ua mësoni fëmijëve këtë të vërtetë?

Veprimtari të Mundshme

  • Shpjegoni se termi “Fjala” te Gjoni 1:1 i drejtohet Jezusit. Lexojeni vargun me zë të lartë dhe kërkojuni fëmijëve të thonë: “Jezus”, sa herë që ju lexoni termin “Fjala”. Tregoni ilustrimin e titulluar “Premortal Life” [“Jeta Para Lindjes”] (ChurchofJesusChrist.org; shih edhe Vini Re të Vegjlit Tuaj [2008], f. 15). Shpjegoni se Jezu Krishti jetoi me Atin Qiellor përpara se të vinte në tokë.

  • Përdorni burime si këto për t’i mësuar njerëzit rreth jetës sonë me Perëndinë përpara se të vinim në tokë: “Hyrje: Plani i Atit Tonë Qiellor” (në Tregime nga Dhiata e Re, f. 1–5, ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org) ose “Jetë Para Lindjes” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org).

  • Ftoni një prind që të sjellë një foshnjë në klasë. Pyetini fëmijët se ku jetoi shpirti i kësaj foshnje përpara se të lindte. Kujtojini fëmijët se ata ishin dikur foshnja dhe dëshmoni se edhe ata jetuan në qiell me Atin Qiellor si fëmijë shpirtërorë para se të lindnim.

Gjoni 1:3

Jezusi i krijoi të gjitha gjërat.

Dijenia për rolin e Jezu Krishtit si Krijues mund t’i ndihmojë fëmijët të cilëve u jepni mësim, që ta rritin nderimin e tyre për Të.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni me fëmijët te Gjoni 1:3 dhe paraqitni figurën nga përvijimi i mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ndihmojini fëmijët ta mësojnë përmendsh frazën “të gjitha gjërat u bënë me anë të [Jezu Krishtit]”.

  • Tregojini njërit prej fëmijëve një figurë të njërit prej krijimeve të Zotit. Lejojeni atë t’ua përshkruajë figurën fëmijëve të tjerë dhe kërkojuni të marrin me mend se çfarë po përshkruhet.

  • Kërkojini secilit fëmijë të përmendë diçka që e krijoi Jezu Krishti. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyrat se si mund të kujdesen për tokën dhe krijesat e tjera të Zotit.

Pamja
lindje dielli në pyll

Jezu Krishti krijoi botën dhe të gjitha gjërat në të.

Gjoni 1:35–51

Unë mund t’i ftoj të tjerët të vijnë te Jezu Krishti dhe të mësojnë prej Tij.

Gjoni 1 përmban rrëfime për dishepujt të cilët ftuan njerëz të “[vinin] e shi[konin]” se Jezusi është Biri i Perëndisë. Edhe fëmijët e vegjël mund ta ndjekin këtë shembull.

Veprimtari të Mundshme

  • Përshkruani mënyrën se si Andrea mësoi rreth Jezusit dhe tregoni se si Andrea më pas e mësoi Pjetrin (shih Gjoni 1:35–42). Tregoni se si ju mësuat për Kishën ose ftoni një anëtar të ri të tregojë se si ai apo ajo mësoi për Kishën.

  • Tregoni historinë e Filipit kur e fton Natanaelin që të “[vijë] e shi[kojë]” (Gjoni 1:43–51). Fshihni një figurë të Jezusit në një kuti dhe ftojeni një fëmijë që të “[vijë] e shi[kojë]” dhe më pas t’u tregojë fëmijëve të tjerë rreth asaj që pa.

  • Lërini fëmijët ta ngjyrosin faqen e veprimtarisë së kësaj jave dhe nxitini që ta përdorin atë për të ftuar dikë tjetër që të mësojë rreth Jezusit.

  • Kërkojini një fëmije të tregojë për një rast kur ai apo ajo i dha dikujt tjetër diçka, të tillë si një lodër apo dhuratë. Si mund ta përhapim ungjillin tek të tjerët? Tregoni një histori për një fëmijë që i tregoi për ungjillin një shoku ose shoqeje, të tillë si “A Friend and a Missionary” [“Një Mik dhe një Misionar”], Friend, korrik 2018, f. 12–13; Liahona, korrik 2018, f. 70–71.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Gjoni 1:1–5

Jezu Krishti jetoi me Atin Qiellor përpara se të lindte.

Që përpara se të lindte, Jezu Krishti luajti role të rëndësishme në planin e Atit Qiellor. Ndërsa lexoni te Gjoni 1:1–5, çfarë ju lë mbresa rreth punës së Krishtit para lindjes?

Veprimtari të Mundshme

  • Pyetini fëmijët nëse dinë ndonjë gjë për atë që bëri Jezusi përpara se të lindte. Ftojini që t’i kërkojnë përgjigjet te Gjoni 1:1–5. Mund t’ju ndihmojë të shikoni te Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Gjoni 1:1–5 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta).

  • Tregoni pjesë nga “Hyrje: Plani i Atit Tonë Qiellor” (në Tregime nga Dhiata e Re, f. 1–5 ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org). Pyetini fëmijët për atë që mësojnë rreth Jezu Krishtit.

  • Që disa ditë më përpara ftojini disa fëmijë të vijnë në klasë të përgatitur për të paraqitur ose përshkruar diçka që kanë krijuar. Tregoni figura të disa prej krijimeve të Zotit dhe përdorni vargun te Gjoni 1:3 për të shpjeguar që Jezusi krijoi tokën dhe të gjitha gjërat në të.

Gjoni 1:4–9

Jezu Krishti është drita ime.

Simbolika e dritës mund t’i ndihmojë fëmijët ta kuptojnë Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij. Si mund t’i frymëzoni fëmijët të kërkojnë dritën e Shpëtimtarit kur bota duket e zymtë?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të lexojnë vargjet te Psalmeve 27:1; Gjoni 1:4–9; Mosia 16:9 dhe Doktrina e Besëlidhjet 39:1–2, duke kërkuar frazat që këto shkrime të shenjta i kanë të përbashkëta. Në ç’mënyrë është Jezu Krishti si një dritë?

  • Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit dhe disa sende që bëjnë dritë, të tillë si një elektrik dore. Si është Jezu Krishti i ngjashëm me këto sende? Në ç’mënyrë mund ta përhapim dritën e Tij tek të tjerët? Këndoni së bashku “Zoti më Ësht’ Drit’” (Himne, nr. 45) ose një këngë tjetër për dritën e ungjillit.

  • Pyetini fëmijët se çfarë bëjnë ata kur janë në errësirë dhe ndihen të frikësuar. Dëshmoni se ata përherë mund t’i drejtohen Shpëtimtarit kur janë të frikësuar.

Gjoni 1:35–51

Si pasues i Jezu Krishtit, unë mund t’i ftoj të tjerët ta ndjekin Atë.

Merreni parasysh se si mund t’i përdorni shembujt te Gjoni 1:35–51 për t’i nxitur fëmijët që t’i ftojnë të tjerët të mësojnë për Shpëtimtarin.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të shqyrtojnë vargjet te Gjoni 1:35–51 për të gjetur gjërat që thanë njerëzit, për t’i ftuar të tjerët të mësojnë rreth Shpëtimtarit. Lërini ata të ushtrohen se çfarë mund të thonë për ta ftuar një shok ose shoqe që të mësojë rreth Tij.

  • Kërkojuni fëmijëve ta përdorin faqen e veprimtarisë së kësaj jave për të bërë një ftesë që mund ta përdorin për të ftuar një shok, shoqe apo pjesëtar të familjes që të mësojë më shumë rreth Jezu Krishtit.

  • Jepuni fëmijëve mundësinë t’i flasin klasës rreth diçkaje që u pëlqen shumë. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se si të folurit për ungjillin mund të jetë sikurse të folurit për gjëra të tjera që na pëlqejnë shumë (për një shembull, shihni materialin filmik “Good Things to Share” [“Gjëra të Mira për t’i Treguar”] te ChurchofJesusChrist.org).

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Nxitini fëmijët të ftojnë dikë që e duan, që të mësojë më shumë rreth Jezu Krishtit.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorni mjete pamore. Gjeni mënyra për t’i ndihmuar fëmijët të përfytyrojnë çfarë po mësojnë në shkrimet e shenjta. Ju mund ta bëni këtë me një figurë artistike të ungjillit, vizatime, materiale filmike, marioneta ose skeçe.

Shtyp në Letër