Dhiata e Re 2023
23–29 Janar. Mateu 3; Marku 1; Lluka 3: “Përgatitni Udhën e Zotit”


“23–29 Janar. Mateu 3; Marku 1; Lluka 3: ‘Përgatitni Udhën e Zotit’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“23–29 Janar. Mateu 3; Marku 1; Lluka 3”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

Gjon Pagëzori duke pagëzuar Jezusin

Dritare me xham-mozaiku në Tempullin e Navusë në Ilinois, nga Tom Holdman

23–29 Janar

Mateu 3; Marku 1; Lluka 3

“Përgatitni Udhën e Zotit”

Ndërsa lexoni për Gjon Pagëzorin dhe pagëzimin e Jezu Krishtit, mbajeni shënim çfarëdo mbrese shpirtërore që merrni. Manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund t’ju ndihmojë që t’i kuptoni këto shkrime të shenjta dhe që ta përkrahni të mësuarit që fëmijët po e bëjnë në shtëpi.

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Për t’u dhënë fëmijëve mundësi të flasin për atë që e kanë mësuar tashmë, paraqitni një figurë të Jezusit duke u pagëzuar. Ftojini t’ju thonë se çfarë po ndodh në figurë dhe se si ndihen rreth pagëzimit.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Mateu 3:13–17

Unë mund të pagëzohem siç u pagëzua Jezusi.

Si mund ta përdorni rrëfimin për pagëzimin e Jezusit për t’i ndihmuar fëmijët që të përgatiten për t’u pagëzuar?

Veprimtari të Mundshme

  • Përmblidheni historinë e pagëzimit të Shpëtimtarit (shih Mateu 3:13–17; shih edhe “Kapitulli 10: Jezusi Pagëzohet”, në Tregime nga Dhiata e Re, f. 26–29, ose materialin filmik përkatës në ChurchofJesusChrist.org). Shpjegoni se Jezusi u pagëzua me anë të zhytjes nga një person që kishte autoritetin e priftërisë. Përsëriteni disa herë historinë dhe ftojini fëmijët të tregojnë hollësitë që mbajnë mend.

  • Paraqitni një figurë të Jezusit duke u pagëzuar dhe faqen e veprimtarisë së kësaj jave. Lërini fëmijët t’i nxjerrin në pah ngjashmëritë ndërmjet dy figurave. (Ka një figurë të Jezusit duke u pagëzuar në përvijimin e mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.)

  • Rishikojini premtimet që do të bëjnë fëmijët kur të pagëzohen (shih Mosia 18:8–10; Doktrina e Besëlidhje 20:37; Gospel Topics [Temat e Ungjillit, “Baptism” [“Pagëzimi”], topics.ChurchofJesusChrist.org). Pyetini se cilat nga këto gjëra janë duke i bërë tashmë.

  • Ftojeni një anëtar të peshkopatës t’u flasë fëmijëve për intervistën e pagëzimit që ata do të bëjnë përpara se të pagëzohen.

  • Këndoni së bashku një këngë rreth pagëzimit, të tillë si “Pagëzimi” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 54–55). Merreni parasysh t’i kërkoni një fëmije që t’i drejtojë fëmijët e tjerë ndërsa këndojnë.

një vajzë duke u pagëzuar

Ne mund ta ndjekim shembullin e Jezusit duke u pagëzuar.

Mateu 3:11, 16

Fryma e Shenjtë më ndihmon.

Përveç se po përgatiten për t’u pagëzuar, fëmijët po përgatiten edhe për të marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë. Si mund t’i ndihmoni ata?

Veprimtari të Mundshme

  • Përdorini vargjet te Mateu 3:11, 16 për t’u mësuar fëmijëve se Fryma e Shenjtë zbriti te Jezusi kur Ai u pagëzua (një pëllumb u shfaq si shenjë për të treguar se kjo kishte ndodhur). Paraqitni figurën Dhurata e Frymës së Shenjtë (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 105) dhe shpjegoni se ne e marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë kur konfirmohemi.

  • Sillni një kuti me gjëra të tilla si një figurë të Jezusit, një batanije të rehatshme dhe një busull ose hartë. Ftojini fëmijët të zgjedhin një send dhe lejojini të shpjegojnë se si secili send përfaqëson një mënyrë se si Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë – Ai dëshmon për Jezusin (shih Gjoni 15:26), na ngushëllon (shih Gjoni 14:26) dhe na tregon udhën e duhur (shih 2 Nefi 32:5).

  • Tregoni përvojat tuaja vetjake në lidhje me ndihmën që keni marrë nga Fryma e Shenjtë.

  • Ftojini fëmijët të mbajnë vesh për mënyrat se si na ndihmon Fryma e Shenjtë, ndërsa këndojnë një këngë rreth Tij, të tillë si “Fryma e Shenjtë” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 56).

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Mateu 3

Unë bekohem nga ordinancat e Priftërisë Aarone.

Gjon Pagëzori mbante Priftërinë Aarone, prandaj leximi për të te Mateu 3 është një mundësi e mirë për t’u mësuar fëmijëve rreth Priftërisë Aarone. Ndihmojini që t’i dallojnë bekimet dhe fuqinë që na vjen nëpërmjet kësaj priftërie.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të bëjnë një listë të detyrave të Priftërisë Aarone, duke përdorur Doktrina e Besëlidhjet 20:46, 58–60; 84:111. Vërini fëmijët të shohin te Mateu 3 për shembuj të Gjonit duke i përmbushur disa nga këto detyra. Si mund t’i ftojmë ne të gjithë njerëzit e tjerë që të vijnë te Krishti, siç bëri Gjoni?

  • Paraqitni disa figura me mbajtës të Priftërisë Aarone duke kryer ordinancat e pagëzimit dhe sakramentit (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 103–104, 107–108). Diskutoni për mënyrën se si këto ordinanca na përgatitin që ta pranojmë Jezu Krishtin dhe bekimet e Shlyerjes së Tij.

  • Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 13:1 dhe dëshmoni se Gjon Pagëzori ia rivendosi Priftërinë Aarone Jozef Smithit. Pyetini fëmijët se si janë bekuar ata për shkak të rivendosjes së Priftërisë Aarone.

Mateu 3:13–17; Marku 1:1–11; Lluka 3:2–18

Unë mund t’i mbaj besëlidhjet e mia të pagëzimit.

Të mësuarit rreth rrëfimit të pagëzimit të Jezusit jep një mundësi të mirë për t’i ndihmuar fëmijët që të rishikojnë besëlidhjet e tyre të pagëzimit dhe të rizotohen për t’i mbajtur ato.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët që me radhë të lexojnë vargje nga Marku 1:1–11. Diskutoni mbi atë se përse dëshiron Ati Qiellor që ne të pagëzohemi. Përse u pagëzua Jezusi, edhe pse Ai nuk kishte nevojë të pastrohej nga mëkati? Ndihmojini fëmijët të gjejnë përgjigje ndaj kësaj pyetjeje te Mateu 3:13–15 dhe 2 Nefi 31:6–7.

  • Përsëritini besëlidhjet që bënë fëmijët në pagëzim, të cilat gjenden te Mosia 18:8–10 dhe Doktrina e Besëlidhje 20:37. Ndihmojini fëmijët t’i shkruajnë këto referenca në faqen e veprimtarisë së kësaj jave.

  • Përgatitni disa dyshe kartash me fraza që përputhen me njëra-tjetrën ose figura që përfaqësojnë besëlidhjet tona të pagëzimit. Vendosini kartat përmbys. Ftojini fëmijët që me radhë të kthejnë nga përpara dy kartat njëherësh, për të parë nëse përputhen. Pasi të jetë gjetur një dyshe e kartave që përputhen, ftojini fëmijët të tregojnë mënyrat se si ata e kanë mbajtur atë besëlidhje.

  • Flisni për mënyrën se si ju ka bekuar mbajtja e besëlidhjeve tuaja të pagëzimit.

Mateu 3:11, 16

Fryma e Shenjtë mund të më udhërrëfejë.

Fëmijët po mësojnë se si ta dallojnë dhe ndjekin udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë. Ndihmojini të kuptojnë që mbajtja e besëlidhjeve të tyre të pagëzimit do t’i ndihmojë të jenë të denjë për ta marrë udhërrëfimin e Tij.

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojini secilit fëmijë të lexojë një nga shkrimet e shenjta vijuese dhe të shpjegojë se çfarë u mëson ai shkrim rreth mënyrës se si na flet Fryma e Shenjtë: Helamani 5:30; Doktrina e Besëlidhje 6:23; 8:2–3; 11:12–13.

  • Kërkojini një fëmije të lexojë te Mateu 3:11. Si ngjason Fryma e Shenjtë me zjarrin? Për shembull, zjarri mund të na krijojë rehati si kur gjejmë ngushëllim dhe na jep dritë për të na udhërrëfyer (shih Gjoni 15:26; 2 Nefi 32:5).

  • Ftojini fëmijët t’i mbyllin sytë dhe t’i nxjerrin duart përpara. Pastaj prekini lehtë pëllëmbët e tyre me një pupël ose fije. Ftojini që t’ju thonë kur e ndiejnë atë. Çfarë na mëson kjo veprimtari rreth dallimit të mbresave nga Fryma e Shenjtë?

  • Ftojini fëmijët të tregojnë përvojat që kanë pasur me Frymën e Shenjtë. Përse mbajtja e besëlidhjeve tona na ndihmon që ta kemi udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë?

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Nxiteni secilin fëmijë të pyesë prindërit e vet, pjesëtarë të tjerë të familjes ose shokë apo shoqe rreth pagëzimeve të tyre.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Kërkoni frymëzimin tuaj vetjak. Mos i shikoni këto përvijime si udhëzime që duhet t’i ndiqni ndërsa jepni mësim. Përkundrazi, përdorini ato si ide për t’i dhënë shkëndijë frymëzimit tuaj vetjak ndërsa përsiatni nevojat e fëmijëve të cilëve u jepni mësim. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 7.)