“9–15 Janar. Mateu 2; Lluka 2: Ne Kemi Ardhur për ta Adhuruar Atë”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)
“9–15 Janar. Mateu 2; Lluka 2”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023
9–15 Janar
Mateu 2; Lluka 2
Ne Kemi Ardhur për ta Adhuruar Atë
Fëmijët të cilëve u jepni mësim, janë bij dhe bija të çmuara të Atit Qiellor. Kërkojini Atij t’ju ndihmojë teksa përpiqeni t’u mësoni atyre nga shkrimet e shenjta. Ai do t’ju udhërrëfejë drejt parimeve që duhet t’i theksoni dhe mund t’ju frymëzojë me ide për veprimtari që do t’i ndihmojnë fëmijët e Tij.
Ftojini të Tregojnë
Kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që dinë rreth lindjes së Krishtit. Cilat janë pjesët e tyre të parapëlqyera të historisë?
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Lindi Jezusi.
Jezusi u largua nga shtëpia e Tij me Atin Qiellor për të lindur në tokë, në mënyrë që të mund të ishte Shpëtimtari ynë. Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta mbajnë mend historinë e lindjes së Krishtit?
Veprimtari të Mundshme
-
Ndërsa e lexoni historinë e lindjes së Krishtit, ftojini fëmijët ta luajnë vetë me role historinë ose të përdorin faqen e veprimtarisë së kësaj jave për ta rishikuar historinë. (Shih edhe “Kapitulli 5: Lindja e Jezu Krishtit”, në Tregime nga Dhiata e Re, f. 13–15, ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org.)
-
Nëse e keni, sillni një maket të skenës së Lindjes së Krishtit dhe ftojini fëmijët që t’i vendosin pjesëzat në vendet e duhura ndërsa ju tregoni historinë e lindjes së Jezu Krishtit. Ju gjithashtu mund të paraqitni një figurë të skenës së Lindjes së Krishtit (shih, për shembull, përvijimin e mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Tregoni me gisht drejt njerëzve të ndryshëm te skena e Lindjes së Krishtit dhe ftojini fëmijët të tregojnë atë që dinë për secilin person.
-
Këndoni së bashku këngët e parapëlqyera të fëmijëve për lindjen e Jezusit. Teksa e bëni këtë, kërkoni mundësi për të dhënë dëshminë tuaj për Shpëtimtarin. Ftojini fëmijët të tregojnë përse e duan Jezusin.
Unë mund t’i jap dhurata të mira Jezusit.
Dijetarët i prunë Jezusit dhurata: ar, temjan dhe mirrë. Si mund ta përdorni këtë histori për t’u mësuar fëmijëve se edhe ata mund t’i japin dhurata Jezusit – dhurata si dashuria, shërbimi dhe bindja?
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni një figurë të Dijetarëve ndërsa e përsëritni me fëmijët historinë e tyre që gjendet te Mateu 2:1–12. Ju mund të paraqitni figurën Wise Men Present Gifts [Dijetarët Japin Dhurata] (ChurchofJesusChrist.org).
-
Mbështillni në formë dhuratash figura ose sende që përfaqësojnë dhuratat që ne mund t’i japim Jezusit. Ftojini fëmijët t’ju ndihmojnë që t’i hapni dhuratat dhe diskutoni për mënyrën se si ne ia japim këto dhurata Shpëtimtarit.
-
Ndihmojeni secilin fëmijë të vizatojë ose të shkruajë një listë me dhuratat që ata mund t’ia japin Jezusit, të tilla si “të jenë shokë të mirë” ose “të luten”. Ftojini fëmijët t’ia tregojnë listat e tyre klasës dhe të zgjedhin një “dhuratë” që do t’ia japin Jezusit sot.
Jezusi dikur ishte fëmijë si unë.
Të mësuarit për fëmijërinë e Shpëtimtarit mund t’i ndihmojë fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të gjejnë lidhje me Të. Pyetini fëmijët se çfarë mund të mësojnë nga këto vargje rreth mënyrës se si mund të jenë si Jezusi tani.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojeni një prej të rinjve ose të rejave në lagje që të vizitojë klasën tuaj dhe të tregojë historinë e Jezusit tek jep mësim në tempull kur Ai ishte i ri.
-
Që më përpara, kërkojuni disa fëmijëve të sjellin fotografi të vetes kur ishin foshnja, që t’ia tregojnë klasës. Pyetini se si janë rritur ata. Tregoni disa prej mënyrave se si u rrit Jezusi (shih Lluka 2:40, 52). Këndoni me fëmijët “Jezusi Dikur një F’mij’ Ishte” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 34) ose një këngë tjetër për Shpëtimtarin.
-
Lexoni vargun te Lluka 2:52 dhe shpjegoni se çfarë kuptimi kanë fjalët “dituri” dhe “shtat”. Ju mund t’u kërkoni fëmijëve të kryejnë veprime që tregojnë se çfarë do të thotë të rritesh në dituri dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve të tjerë. Për shembull, ata mund të kryejnë veprime sikur po lexojnë një libër ose po ndihmojnë një person nevojtar.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Profetët e lashtë profetizuan për lindjen e Shpëtimtarit.
Për shekuj, profetët dhe besimtarët e kishin pritur me padurim lindjen e Shpëtimtarit. Të kuptuarit e kësaj të vërtete mund t’i ndihmojë fëmijët të fitojnë një vlerësim më të thellë për jetën dhe misionin e Shpëtimtarit.
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të flasin rreth gjërave që i presin me padurim, të tilla si një ditëlindje ose pushimet. Vërini fëmijët të lexojnë te Helamani 14:2–5 për të gjetur diçka që profetët po e prisnin me padurim.
-
Lexoni së bashku disa profeci për lindjen e Shpëtimtarit (shih Isaia 7:14; 9:6; 1 Nefi 11:18; Helamani 14:5). Ndihmojini fëmijët të renditin hollësitë që përmbajnë këto profeci, dhe të gjejnë përmbushjen e tyre te Lluka 2:1–21 dhe Mateu 2:1–12.
-
Ftojini fëmijët të vizatojnë një figurë të diçkaje nga Mateu 2:1–12 ose Lluka 2:1–21 dhe të tregojnë pse janë mirënjohës që lindi Jezusi.
Jezusi rritej “në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve”.
Ashtu si Jezusi, fëmijët të cilëve u jepni mësim, kanë një mision të rëndësishëm për të cilin të përgatiten. Çfarë mund të mësojnë ata nga shembulli i Jezusit?
Veprimtari të Mundshme
-
Ndërsa lexoni te Lluka 2:40, 52, u thoni fëmijëve të dëgjojnë për gjërat që bëri Jezusi. Ftojini fëmijët të tregojnë mënyra se si janë rritur që nga koha kur ishin të vegjël. Tregoni përvojën tuaj vetjake të mësimit të ungjillit pak e nga pak. Jepni dëshminë tuaj për Shpëtimtarin.
-
Plotësoni veprimtaritë që ilustrojnë frazat te Lluka 2:40, 52. Për shembull, ju mund të matni gjatësinë e secilit fëmijë (“Jezusi rritej në … shtat”) ose kërkojuni fëmijëve të tregojnë shkrimin e tyre të shenjtë të parapëlqyer (“forcohej në frymë”). Ndihmojini fëmijët të vënë në dukje mënyra se si po rriten dhe t’ua tregojnë ato familjeve të tyre.
-
Pasi të rishikojnë vargjet te Lluka 2:40, 52, ftojini fëmijët të tregojnë se si mendojnë se do të kishte qenë Jezusi kur ishte në moshën e tyre. Si do ta kishte trajtuar Ai nënën e Tij? Vëllezërit dhe motrat e Tij?
Unë mund ta ndjek shembullin e Jezusit.
Që kur ishte i ri, Jezusi jepte mësim ungjillin në tempull. Në mënyrë të ngjashme, fëmijët në klasën tuaj kanë shumë për t’u mësuar njerëzve rreth tyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojeni një fëmijë të vijë i përgatitur për ta përmbledhur historinë te Lluka 2:41–52. Për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë historinë, mësojuni se çfarë do të thotë fraza “punët e Atit” (vargu 49). Për shembull, ju mund t’u tregoni fëmijëve se çfarë pune bëni ju apo prindërit tuaj. Cili ishte profesioni apo “punët” që bënte Jozefi, babai tokësor i Jezusit? (Shih Mateu 13:55.) Cila është puna e Atit të Tij Qiellor? (Shih Lluka 2:46–49; shih edhe Moisiu 1:39.)
-
Lexoni bashkë me fëmijët vargjet te Lluka 2:46–49 dhe pyesni: “Në ç’mënyrë po merrej Jezusi me ‘punët e Atit’ të Tij?” Ndihmojini fëmijët të renditin ose vizatojnë në tabelë mënyrat në të cilat ata gjithashtu mund të ndihmojnë për të bërë punën e Atit Qiellor.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët ta ngrenë vetëbesimin e tyre që, ashtu si djaloshi Jezus, edhe ata mund ta japin mësim ungjillin, ndihmojini që të ushtrohen duke ia mësuar njëri-tjetrit një parim nga broshura Për Forcën e Rinisë.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët t’i mësojnë familjes së tyre diçka që mësuan rreth lindjes së Jezu Krishtit.