“2–8 Janar. Mateu 1; Lluka 1: ‘Le të Më Ndodhë sipas Fjalës Sate’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)
“2–8 Janar. Mateu 1; Lluka 1”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023
2–8 Janar
Mateu 1; Lluka 1
“Le të Më Ndodhë sipas Fjalës Sate”
Fillojeni duke lexuar kapitujt te Mateu 1 dhe Lluka 1. Manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund t’ju ndihmojë që t’i kuptoni këta kapituj dhe ky përvijim i mësimit mund t’ju japë ide për mësimdhënien. Nëse ju duhet ndihmë shtesë për mësimdhënien e fëmijëve më të vegjël, shihni “Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve Më të Vegjël” në fillim të këtij burimi.
Ftojini të Tregojnë
Kërkojuni fëmijëve të ulen në formë rrethi dhe më pas kërkojini një fëmije të tregojë diçka që e ka mësuar nga shkrimet e shenjta kohët e fundit. Ai fëmijë mund të rrokullisë një top drejt një fëmije tjetër brenda rrethit ose t’i drejtohet atij me gisht, të cilit më pas i vjen radha të tregojë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Engjëj lajmërojnë lindjen e Jezusit.
Maria dhe Jozefi u vizituan secili veç e veç nga një engjëll që paralajmëroi lindjen e Jezu Krishtit. Këto përvoja mund t’i ndihmojnë fëmijët të kuptojnë se sa e rëndësishme ishte lindja e Krishtit.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini prindërit e një fëmije të vijnë në klasë të veshur si Maria dhe Jozefi. Kërkojuni atyre të tregojnë përvojat që shënohen te Mateu 1:18–25 dhe Lluka 1:26–38.
-
Tregoni historitë e engjëjve që iu shfaqën Maries dhe Jozefit, siç shënohen në këto vargje. (Shih edhe “Kapitulli 2: Maria dhe Engjëlli” dhe “Kapitulli 4: Jozefi dhe Engjëlli”, në Tregime nga Dhiata e Re, f. 8–9, 12, ose materialet filmike përkatëse në ChurchofJesusChrist.org.) Mund të tregoni figurën në përvijimin e mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ftojini fëmijët t’jua tregojnë historitë sërish juve.
-
Ftojini fëmijët të vizatojnë figura të historive që gjenden te Mateu 1:18–25 dhe Lluka 1:26–38.
Ati Qiellor u përgjigjet lutjeve të mia.
Zakaria dhe Elizabeta ndoshta ishin lutur për shumë vite për të pasur një fëmijë. Përfundimisht, Ati Qiellor iu përgjigj lutjeve të tyre duke u dhënë një djalë, Gjon Pagëzorin. Si mund ta përdorni këtë histori për t’u mësuar fëmijëve që Ati Qiellor iu përgjigjet lutjeve?
Veprimtari të Mundshme
-
Me vetë fjalët tuaja, tregoni historinë nga Lluka 1:5–25, 57–63. Ju mund të doni ta përsëritni historinë disa herë. Caktoni fëmijë të luajnë me role pjesët e Zakarias, Elizabetës, engjëllit dhe ta aktrojnë historinë. Theksoni fjalët e engjëllit drejtuar Zakarias: “Lutja jote u plotësua” (Lluka 1:13). Tregoni një përvojë në të cilën Ati Qiellor iu përgjigj lutjes suaj.
-
Përdorni këngën “Kokat Ulim” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 18a) ose një këngë tjetër për t’i mësuar fëmijët se si të luten. Sa herë që fëmijët këndojnë fjalën “lutje”, ftojini ta ulin kokën dhe t’i mbledhin krahët.
-
Kërkojini secilit fëmijë të bëjë veprime që tregojnë diçka për të cilën mund të lutet ai apo ajo. Lërini fëmijët e tjerë të gjejnë se çfarë përfaqësojnë veprimet. Ata mund të gjejnë ide në faqen e veprimtarisë së kësaj jave.
Jezu Krishti është Biri i Perëndisë.
Jezu Krishti është Biri i Atit Qiellor dhe i Maries. Çfarë mund të bëni që t’i ndihmoni fëmijët të mësojnë më shumë rreth Tij?
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve që engjëlli i tha Maries se foshnja e saj do të quhej Biri i Perëndisë (shih Lluka 1:35). Ndihmojini fëmijët ta përsëritin frazën “Jezu Krishti është Biri i Perëndisë”. Ndihmojini fëmijët ta kuptojnë se kush ishin prindërit e Jezusit duke i ftuar të vizatojnë figura të vetë prindërve të tyre. Ndërsa e bëjnë këtë, u thoni se edhe Jezusi kishte prindër – Marien dhe Atin Qiellor. Përveç kësaj, Jozefit iu kërkua ta mbronte dhe të kujdesej për Jezusin ndërsa Ai jetoi në tokë.
-
Jepni dëshminë tuaj që për shkak se Jezusi ishte Biri i Perëndisë, Ai mund të vdiste për mëkatet tona dhe të kthehej sërish në jetë. Paraqitni figurat e Kryqëzimit dhe të Ringjalljes së Jezusit (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 57, 59).
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Me Perëndinë asgjë s’është e pamundur.
Lindja e Jezusit dhe e Gjon Pagëzorit u bënë të mundura vetëm nëpërmjet fuqisë së Perëndisë. Të mësuarit për këto mrekulli mund ta forcojë besimin e fëmijëve se Perëndia ka fuqi të bëjë mrekulli në jetën e tyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Ndërsa ju dhe fëmijët rishikoni vargjet te Mateu 1:18–25 dhe Lluka 1:5–37, bëjuni fëmijëve pyetje si këto: “Çfarë do të thoshit po të ishit në vend të Maries?” ose “Si do të ndiheshit po të ishit në vend të Zakarias?”
-
Me fjalë të thjeshta tregoni historitë e përshkruara te Mateu 1:18–25 dhe Lluka 1:5–37. Kërkojuni fëmijëve të ngrenë dorën kur të dëgjojnë diçka që mund t’u duket e pamundur pa fuqinë e Perëndisë. Çfarë historish të tjera mund të tregojnë fëmijët në të cilat Perëndia bëri diçka që dukej e pamundur?
-
Ndihmojini fëmijët të mësojnë përmendsh vargun te Lluka 1:37. Për ta bërë këtë, ju mund ta shkruani vargun në tabelë dhe t’i ftoni fëmijët ta përsëritin atë disa herë. Pas çdo përsëritjeje, fshini një fjalë.
Mateu 1:21–25; Lluka 1:30–35, 46–47
Jezu Krishti është Biri i Perëndisë.
Jezu Krishti është Biri i Atit Qiellor dhe i Maries. Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta mësojnë këtë të vërtetë?
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të lexojnë vargjet te Lluka 1:30–35, duke kërkuar përgjigjet për këto pyetje: “Kush është nëna e Jezusit?” dhe “Kush është Ati i Jezusit?” Ndihmojini ata të kuptojnë se Jezu Krishti është i vetmi person që pati një nënë të vdekshme, Marien, dhe një Atë të pavdekshëm, Atin Qiellor (shih edhe 1 Nefi 11:18–21).
-
Ndërsa i lexoni këto vargje, ftojini fëmijët të kërkojnë emra ose tituj të Jezu Krishtit. Çfarë kuptimi kanë këta emra dhe çfarë na mësojnë ata rreth Jezusit?
-
Jepni dëshminë tuaj për Jezu Krishtin dhe ftojini edhe fëmijët të japin dëshmitë e tyre.
Ati Qiellor i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve të mia.
Perëndia u përgjigjet lutjeve, por jo gjithmonë në mënyrën që mund të presim ne. Si mund ta përdorni rrëfimin rreth Zakarias dhe Elizabetës për t’ua mësuar fëmijëve këtë të vërtetë?
Veprimtari të Mundshme
-
Pyetini fëmijët se çfarë do t’i thoshin dikujt që është lutur për një bekim, por nuk e ka marrë ende atë. Ftojini që të mendojnë për këtë pyetje ndërsa lexojnë së bashku vargjet te Lluka 1:5–25, 57–66. (Shih edhe “Kapitulli 1: Elizabeta dhe Zakaria” dhe “Kapitullin 3: Lindja e Gjon Pagëzorit”, te Tregime nga Dhiata e Re, f. 6–7, 10–11, ose materialet filmike përkatëse te ChurchofJesusChrist.org.) Çfarë mund t’i thoshin Zakaria dhe Elizabeta dikujt që mendonte se lutja e tij ose e saj nuk po merrte përgjigje?
-
Që më përpara, ftojini disa fëmijë të tregojnë përvoja kur Ati Qiellor iu përgjigj lutjeve të tyre. Tregoni një rast në të cilin ndiet se lutjet tuaja morën përgjigje në një mënyrë që nuk e prisnit.
-
Ftojini fëmijët të vizatojnë një figurë për një rast kur Ati Qiellor iu përgjigj një lutjeje – veçanërisht një lutjeje të bërë nga vetë ata. Lejojini t’ua tregojnë vizatimet e tyre klasës.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët që t’u japin familjeve të tyre ndonjë figurë që e vizatuan gjatë orës mësimore. Nxitini që t’i pyesin pjesëtarët e familjes së tyre rreth rasteve kur Perëndia iu përgjigj lutjeve të tyre.