“11–17 Prill. Pashka: Ai ‘Do të Shkatërrojë Përgjithnjë Vdekjen’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“11–17 Prill. Pashka”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
11–17 Prill
Pashka
Ai “Do të Shkatërrojë Përgjithnjë Vdekjen”
Teksa përgatiteni që të jepni mësim, përsiatni se si mund t’i ndihmoni fëmijët të marrin një kuptueshmëri dhe një dëshmi më të thellë për Shlyerjen e Jezu Krishtit.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Pyetini fëmijët se çfarë bëjnë familjet e tyre për ta kremtuar Pashkën. Çfarë bëjnë ata për ta kujtuar Ringjalljen e Jezu Krishtit?
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Jezu Krishti është Shpëtimtari im.
E diela e Pashkës është një rast i mirë për t’u mësuar fëmijëve rreth Shlyerjes së Shpëtimtarit në Gjetseman dhe vdekjes së Tij në kryq. Kjo mund t’i ndihmojë që ta ndiejnë dashurinë e Jezusit për ta.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni figura të Shpëtimtarit nga përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet ose figura të tjera të flijimit të Shpëtimtarit (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 56, 57, 58), dhe lërini fëmijët t’jua tregojnë atë që dinë rreth ngjarjeve të paraqitura te figurat. Tregojuni fëmijëve rreth vuajtjes së Jezusit në Gjetseman dhe në kryq (shih Mateu 26:36–46; 27:35–50; Lluka 22:39–46; Gjoni 19:16–30; “Kapitulli 51: Jezusi Vuan në Kopshtin e Gjetsemanit”, te Tregime nga Dhiata e Re, f. 129–132). Jepni dëshminë tuaj se Jezusi ishte i gatshëm të vuante dhe të vdiste për ne për shkak se Ai na do. Ftojini fëmijët të tregojnë se çfarë ndiejnë për Jezu Krishtin.
-
Lexojuni fëmijëve te Gjoni 10:9 duke theksuar fjalët e Jezusit: “Unë jam dera”. Për shkak se Jezusi vuajti për mëkatet tona, vdiq dhe u ringjall, Ai e bëri të mundur për secilin prej nesh që të jetojë sërish me Perëndinë. Përdoreni derën e klasës për të dhënë mësim se Jezusi është si një portë që na lejon të kthehemi tek Ati Qiellor.
-
Lexojuni fëmijëve nga Isaia 53:6 dhe tregojuni atyre një figurë ose vizatim të një deleje. Lëreni njërin nga fëmijët ta vendosë figurën larg në një cep të dhomës. Shpjegoni se kur bëjmë zgjedhje të gabuara, ne po endemi larg Atit Qiellor si një dele që e humb rrugën. Pastaj ftojeni fëmijën që ta sjellë sërish delen dhe jepni dëshminë tuaj që për shkak se Jezu Krishti vuajti dhe vdiq për ne, Ai mund të na sjellë sërish pranë Atit Qiellor. (Ju mund të tregoni një figurë të Jezusit si bari, e tillë si figura 64 te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit.)
-
Këndoni me fëmijët një këngë rreth Jezu Krishtit, e tillë si “T’Shpëtuesit Dashuri Ndiej” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 42). Ndihmojini që të vënë re çfarëdo ndjenje paqeje dhe dashurie që kanë teksa këndojnë. Vini në dukje gjithashtu fjalë te kënga që përshkruajnë dashurinë e Shpëtimtarit. Si mund t’ua tregojmë dashurinë e Tij të tjerëve?
Jezusi vdiq dhe u ringjall për mua.
Si mund t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë se për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit, ne dhe njerëzit tanë të dashur do të ringjallemi një ditë?
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve rreth vdekjes dhe Ringjalljes së Jezusit (shih Marku 15–16). Përdorini figurat në përvijimin e kësaj jave, figurat 57–60 te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, ose “Kapitullin 54: Jezusi u Ngrit” te Tregime nga Dhiata e Re (faqet 139–144) për t’i ndihmuar fëmijët që ta përfytyrojnë historinë.
-
Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se ringjallje do të thotë që pasi vdesim, ne do të jetojmë përsëri përgjithmonë me një trup fizik të përsosur dhe nuk do të vdesim kurrë. Jepni dëshminë tuaj për Ringjalljen dhe lërini fëmijët të punojnë me faqen e veprimtarisë së kësaj jave. Ftojini fëmijët që ta përdorin atë për t’ua treguar familjeve të tyre historinë e Ringjalljes së Jezusit.
-
Lexojuni fëmijëve nga Alma 40:23. Tregojuni atyre dorën tuaj brenda një dorashke. Tregojuni atyre se dora juaj është si një shpirt dhe se dorashka është si një trup fizik. Hiqeni dorashkën për të treguar se kur vdesim, shpirti ynë do të largohet nga trupi ynë. Visheni prapë dorashkën për të simbolizuar Ringjalljen.
-
Këndoni një këngë për Ringjalljen e Jezu Krishtit, e tillë si “Jezusi a Jetoi Sërish?” ose “Jezusi u Ngrit” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 45, 44). Jepni dëshminë tuaj se për shkak të Jezu Krishtit, ne do të jetojmë përsëri dhe do të kemi trupa të përsosur pasi të vdesim.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Jezusi vuajti për mua.
Teksa e studioni Shlyerjen e Shpëtimtarit, përsiatni se si mund t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë se si Shpëtimtari mund t’i bekojë e forcojë ata.
Veprimtari të Mundshme
-
Ndajini fëmijët në tre grupe dhe jepini secilit grup një nga fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta: Isaia 53:4–12; Alma 7:11–13; dhe Doktrina e Besëlidhje 19:16–19. Ftojini fëmijët të kërkojnë fjalë dhe fraza që përshkruajnë gjërat që Jezu Krishti vuajti për ne. Kërkojuni që t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në tabelë dhe të tregojnë se si ndihen rreth Shpëtimtarit pas leximit të këtyre shkrimeve të shenjta.
-
Përgatitni shirita letre. Te gjysma e tyre, shkruani referenca të shkrimeve të shenjta nga Dhiata e Vjetër rreth Jezu Krishtit. Te gjysma tjetër, shkruani referenca që përputhen të shkrimeve të shenjta nga Dhiata e Re, mbi mënyrën se si u përmbushën këto profeci. (Përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet rendit disa shembuj.) Ftojini fëmijët t’i lexojnë vargjet dhe t’i përputhin profecitë me përmbushjen e tyre.
-
Ndihmoni fëmijët të mësojnë përmendësh nenin e tretë të besimit. Çfarë mësimi jep ky shkrim i shenjtë rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe planit të Atit Qiellor për fëmijët e Tij?
-
Pyetini fëmijët se si do t’ia përshkruanin dikujt Shlyerjen e Jezu Krishtit. Nxitini që të përdorin shkrimet e shenjta, himnet ose figurat për të shprehur se çfarë do të thotë për ta flijimi shlyes i Shpëtimtarit. Si bekohemi ne nga Shlyerja e Shpëtimtarit?
Jezusi vdiq dhe u ringjall për mua.
Realiteti i Ringjalljes së Jezu Krishtit mund të na sjellë shpresë e gëzim të madh – veçanërisht kur përjetojmë vdekjen e një njeriu të dashur. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të gjejnë ngushëllim tek Ringjallja?
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni figurat 57–59 te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit. Kërkojuni fëmijëve që t’i përputhin figurat me fragmentet vijuese: Mateu 27:29–38; Mateu 27:59–60; dhe Gjoni 20:10–18. Më pas ftojini fëmijët që të tregojnë histori për vdekjen, varrimin dhe Ringjalljen e Jezusit me fjalët e veta.
-
Lexojuni fëmijëve vargun te Jobit 14:14. Ftojini fëmijët të tregojnë se si do t’i përgjigjeshin pyetjes së Jobit. Ndihmojini që të gjejnë shkrime të shenjta të cilat dëshmojnë për Ringjalljen (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ringjallje”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
-
Lexojuni fëmijëve nga Moisiu 1:39. Pyetini nëse e dinë se cili është ndryshimi midis “pavdekësi[së]” dhe “jet[ës së] përjetshme”. Kush do ta marrë pavdekësinë? Çfarë kërkohet për të marrë jetë të përjetshme? Jepni dëshminë tuaj se të dyja këto dhurata të çmueshme janë të mundura për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit.
-
Këndoni së bashku një këngë ose himn Pashke, të tillë si “Ai Dërgoi Birin e Tij” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 20) ose “Ai Ësht’ Ngritur!” (Himne, nr. 118). Ftojini fëmijët të tregojnë se si ndihen kur i këndojnë këto këngë. Çfarë na mësojnë këto këngë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit? Ftojini fëmijët të shkruajnë dëshmitë e tyre për Shpëtimtarin që t’ua tregojnë në shtëpi familjeve të tyre.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Për t’i ndihmuar fëmijët që t’ua tregojnë familjeve atë që mësuan në klasë, nxitini që këtë javë të këndojnë një këngë në shtëpi rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit.