“27 Janar – 2 Shkurt. 1 Nefi 16–22: ‘Unë do të Përgatis Udhën para Jush’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“27 Janar – 2 Shkurt. 1 Nefi 16–22”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
27 Janar – 2 Shkurt
1 Nefi 16–22
“Unë do të Përgatis Udhën para Jush”
Teksa lexoni 1 Nefin 16–22, mendoni se si shembulli i Nefit për përballjen me sfidat mund të jetë i dobishëm për njerëzit në klasën tuaj.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Nefi e pa vlerën e përshtatjes së shkrimeve të shenjta për veten e tij dhe popullin e vet (shih 1 Nefi 19:23). Merreni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës që të tregojnë parimet që mësuan nga rrëfimi i udhëtimit të Nefit drejt tokës së premtuar, të cilat lidhen me vetë jetën e tyre.
Jepeni Mësim Doktrinën
1 Nefi 16:10–16, 23–31; 18:10–13, 20–22
Perëndia përdor mjete të vogla për të përmbushur gjëra të mëdha.
-
A mund të mendoni ju ose dikush në klasën tuaj për diçka të vogël që mund të përdoret për të bërë të ndodhë diçka të madhe? (Shih 1 Nefi 16:29.) Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të diskutojnë atë që mësojnë rreth këtij parimi pas leximit të këtyre shkrimeve të shenjta individualisht ose si grup: 1 Nefi 16:25–31; Alma 37:3–8; dhe Doktrina e Besëlidhje 64:33; 123:12–17. Si ka përdorur Perëndia mjete të vogla për të përmbushur gjëra të mëdha në jetën tonë?
-
Klasa juaj mund të përfitojë nga diskutimi mbi mënyrën se si Ati Qiellor i drejton shtigjet tona. Si fillim ju mund t’i kërkoni klasës të diskutojë parimet që e bënë Liahonën të funksiononte (shih 1 Nefi 16:10–16, 23–31; 18:10–13, 20–22; shih edhe Alma 37:38–47). Si mund të konsiderohen këto parime “mjete të thjeshta”? Anëtarët e klasës mund të renditin në tabelë gjëra që Perëndia i ka siguruar për të na udhërrëfyer (shih “Burime Shtesë” për ide). Çfarë veprimesh të vogla mund të ndërmarrim për të marrë udhërrëfim nga Perëndia?
1 Nefi 16:18–32; 17:7–16; 18:1–4
Kur i zbatojmë urdhërimet, Perëndia do të na ndihmojë t’i përballojmë sfidat.
-
Anëtarët e klasës suaj mund të jenë duke u përballur me detyra dhe sfida që duken të pamundura. Si mund ta përdorni përvojën e Nefit me vetë detyrat e tij të pamundura në dukje – ushqimin e familjes së tij në vendin e shkretë dhe ndërtimin e një anijeje – për t’i ndihmuar ata? Ndoshta anëtarët e klasës mund të lexojnë 1 Nefin 16:18–32; 17:7–16 dhe 18:1–4, duke kërkuar parime që mund t’i ndihmojnë kur përballen me një vështirësi sfiduese (për shembull, 1 Nefi 16:24–26 na mëson se lutja dhe përulësia na lejojnë të marrim frymëzim dhe drejtim nga Perëndia). Mund ta filloni duke u dhënë atyre një shembull të një parimi që e gjetët në këto vargje. Teksa tregojnë atë që gjetën, ata gjithashtu mund të tregojnë përvoja vetjake që lidhen me parimin.
Besimi çon drejt veprimit.
-
Përvoja e Lehit dhe familjes së tij në vendin e shkretë ilustron fuqinë e besimit dhe pasojat e mosbesimit. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që t’i zbulojnë këto të vërteta, ju mund t’i shkruani këto pyetje në tabelë: Si veproi Nefi mbi bazën e besimit të vet? Si u bekua ai për pasojë? Cilat ishin pasojat e mosbesimit të Lamanit dhe Lemuelit? Ftojini anëtarët e klasës që në grupe të kërkojnë përgjigje për këto pyetje te 1 Nefi 16:18–32 ose 17:7–22 dhe të tregojnë atë që gjejnë.
Ne mund t’i përshtatim shkrimet e shenjta për veten tonë.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të mësojnë se si t’i përshtatin shkrimet e shenjta për veten e tyre, ata mund të lexojnë shembuj të mënyrës se si e bëri Nefi këtë. Për shembull, te 1 Nefi 4:1–3 dhe 17:23–32, 41–45, cilat parime dha mësim Nefi duke i përshtatur shkrimet e shenjta me gjendjen e familjes së tij? Tregimi nga Plaku Robert D. Hejls te pjesa “Burime Shtesë” ilustron mënyrën se si mund të na bekojë përshtatja e shkrimeve të shenjta për veten tonë. Merreni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të përcaktojnë sfida që po i hasin ata ose pjesëtarë të familjes së tyre dhe më pas gjeni rrëfime nga shkrimet e shenjta që mund t’u japin ide dhe ndihmë për ato situata. Sipas vargjeve te 1 Nefi 19:22–24, si mund të na bekojë përshtatja e shkrimeve të shenjta për veten tonë?
-
Diskutimi për vargjet te 1 Nefi 19:22–24 mund të jetë një mundësi e madhe për anëtarët e klasës që të tregojnë se si ata i “përshtat[in] … shkrimet e shenjta” për veten dhe familjet e tyre, si edhe bekimet që i kanë marrë ngaqë e bënë këtë gjë. Merreni parasysh t’i renditni në tabelë idetë e anëtarëve të klasës rreth mënyrës se si t’i përshtatin shkrimet e shenjta për veten e tyre (për disa sugjerime, shih listën te pjesa “Burime Shtesë”). Në një orë të ardhshme mësimore, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë përvoja kur ata i përdorën idetë në listë.
Zoti do ta mbledhë shtëpinë e Izraelit në ditët e fundit.
-
Për t’i nxitur anëtarët e klasës që të tregojnë mësime domethënëse që i gjetën te 1 Nefi 20–21, merreni parasysh të shkruani tituj si këta në tabelë: Fëmijët e Izraelit, Familja e Lehit dhe Njerëzit në Kohën Tonë. Jepuni kohë të shqyrtojnë kapitujt te 1 Nefi 20–21 dhe renditni nën secilin titull mënyrën se si gjejnë zbatim profecitë e Isaias për këto grupe.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Për t’i frymëzuar anëtarët e klasës që të lexojnë te 2 Nefi 1–5, ftojini të mendojnë rreth asaj që do t’u thoshin familjeve të tyre nëse koha e tyre në tokë ishte e shkurtër. Vini në dukje se kapitujt e parë të 2 Nefit përmbajnë mesazhin e fundit që Lehi i dha familjes së vet.
Burime Shtesë
Materiale Filmike nga Libri i Mormonit.
Gjeni materiale filmike që përshkruajnë ngjarje nga 1 Nefi 16–22 në koleksionin e Materialeve Filmike të Librit të Mormonit te ChurchofJesusChrist.org ose programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
“Liahonat” Tona.
Plaku Dejvid A. Bednar na mësoi: “Fryma e Shenjtë vepron në jetën tonë pikërisht ashtu si Liahona vepronte për Lehin dhe familjen e tij, sipas besimit, zellit dhe vëmendjes sonë” (“Që të Mund të Kemi Gjithmonë me Vete Shpirtin e Tij”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 31 [Konferenca e Përgjithshme, prill 2006, f. 51]).
Në konferencën e përgjithshme të tetorit 2005 Plaku Louëll M. Snou, i Të Shtatëdhjetëve, tha: “Vetë kjo konferencë e përgjithshme është një Liahonë bashkëkohore, një kohë dhe një vend që të marrim udhëzim dhe drejtim të frymëzuar që na çon përpara” (“Busulla e Zotit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 97 [Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 134]).
Presidenti Tomas S. Monson dha mësim: “I njëjti Zot që siguroi një Liahona për Lehin, siguron për ju dhe për mua sot një dhuratë të rrallë dhe të çmuar që të na japë drejtim në jetën tonë. … Dhuratës së cilës i drejtohem, njihet si bekimi juaj patriarkal” (Thomas S. Monson, “Your Patriarchal Blessing: A Liahona of Light”, Ensign, nëntor 1986, f. 65).
Përshtatja e shkrimeve të shenjta për veten tonë.
Plaku Robert D. Hejls dha mësim:
“Shumë vite më parë po i mësoja birit tonë të vogël rreth jetës dhe përvojave të vëllait të Jaredit. Edhe pse historia ishte shumë interesante, ai nuk po kushtonte vëmendje. Atëherë e pyeta se çfarë domethënie kishte historia për atë vetë. Ka shumë rëndësi kur ne i pyesim fëmijët tanë: ‘Ç’domethënie ka ajo për ty?’ Ai tha: ‘E di, nuk është dhe aq e ndryshme nga ajo që bëri Jozef Smithi në korije, kur u lut e mori përgjigje’.
I thashë: ‘Ti ke të njëjtën moshë me Jozefin. A mendon se një lutje si e tija do të ishte e dobishme për ty?’ Papritur ne nuk po flisnim më për një histori të shumë kohëve më parë në një tokë shumë të largët. Po flisnim për birin tonë – për jetën e tij, nevojat e tij dhe mënyrën se si lutja mund ta ndihmonte atë.
Si prindër ne kemi përgjegjësinë që t’i ndihmojmë fëmijët tanë t’i ‘përshtat[in] të gjitha shkrimet e shenjta [në të vërtetë, çdo pjesë të ungjillit të Jezu Krishtit] për ne [dhe për fëmijët tanë] … për përfitimin dhe mësimin [e familjeve tona]’” (“With All the Feeling of a Tender Parent: A Message of Hope to Families”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 90).
Sugjerime për përshtatjen e shkrimeve të shenjta.
-
Mendoni për ngjarje ose rrethana në kohën tonë që janë të ngjashme me ato në shkrimet e shenjta që po lexoni.
-
Kërkoni se çfarë dinë, mësojnë ose bëjnë njerëzit në shkrimet e shenjta që mund t’ju ndihmojnë me një problem ose pyetje të tanishme vetjake.
-
Përcaktoni parime nga ajo histori që mund t’ju ndihmojnë në vetë rrethanat tuaja.