“3–9 Shkurt. 2 Nefi 1–5: ‘Ne Jetuam sipas Mënyrës së Lumturisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“3–9 Shkurt. 2 Nefi 1–5”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
3–9 Shkurt
2 Nefi 1–5
“Ne Jetuam sipas Mënyrës së Lumturisë”
Fillojeni përgatitjen tuaj shpirtërore duke lexuar 2 Nefin 1–5 dhe duke i mbajtur shënim mbresat tuaja. Në këta kapituj ka më shumë parime sesa keni kohë t’i diskutoni në një orë mësimore, prandaj ndiqeni Shpirtin në përgatitjen tuaj dhe kushtojuni vëmendje ideve që japin anëtarët e klasës për t’ju ndihmuar të përcaktoni se te cilat parime të përqendroheni dhe se si ta drejtoni bashkëbisedimin.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ka të ngjarë që anëtarët e klasës suaj të kenë shenjuar ose të kenë bërë një shënim për të paktën një varg te 2 Nefi 1–5. Për ta filluar orën mësimore mund t’i ftoni anëtarët e klasës të flasin për vargje që ishin domethënëse për ta. Ftojeni klasën të përmbledhë një parim doktrinor që e mëson nga vargjet që treguan.
Jepeni Mësim Doktrinën
Ne jemi të lirë të veprojmë për veten tonë.
-
Shumë shpesh njerëzit e përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes për t’u shkaktuar shumë vuajtje të tjerëve. Prandaj përse është liria e zgjedhjes kaq e rëndësishme për Atin Qiellor? Ndoshta mund ta shkruani këtë pyetje në tabelë dhe anëtarët e klasës mund të kërkojnë përgjigje te 2 Nefi 2:11–30 dhe t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në tabelë. Si përpiqet kundërshtari ta nënvleftësojë lirinë tonë të zgjedhjes? Si na ndihmon Shpëtimtari “të zgjedhi[m] lirinë dhe jetën e përjetshme”? (2 Nefi 2:27.) Merreni parasysh të këndoni së bashku një himn rreth lirisë së zgjedhjes, të tillë si “Të Dish K’të, Çdo Shpirt Ësht’ i Lir’” (Himne, nr. 151) dhe ftojini anëtarët e klasës të shtojnë në listën e tyre ide të tjera që i fitojnë nga himni.
-
Përvijimi i kësaj jave te materiali burimor Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet përcakton katër kushte thelbësore që e bëjnë të mundur lirinë e zgjedhjes. Ja një mënyrë se si mund të ndërtoni mbi atë që anëtarët e klasës mund të kenë mësuar në shtëpi: Shkruajini të katër kushtet në tabelë. Më pas ftojini anëtarët e klasës të tregojnë thënie nga 2 Nefi 2 që na mësojnë përse këto kushte janë thelbësore për të arritur potencialin tonë hyjnor.
Rënia dhe Shlyerja e Jezu Krishtit janë pjesë thelbësore të planit të Atit Qiellor.
-
Shumë të krishterë besojnë që Rënia ishte një tragjedi dhe që Eva bëri një gabim të tmerrshëm. Këto vargje te 2 Nefi 2 qartësojnë të vërteta rreth Rënies së Adamit dhe të Evës, dhe dëshmojnë se Jezu Krishti na shëlbon nga Rënia. Një mënyrë për t’i diskutuar këto ide është t’i ftoni anëtarët e klasës të hulumtojnë 2 Nefin 2:15–25 dhe të bëjnë një listë të të vërtetave që mësojnë rreth asaj që ndodhi në Kopshtin e Edenit. Çfarë idesh të tjera gjejnë ata në citimin nga Presidenti Dallin H. Ouks te pjesa “Burime Shtesë”? Si na shëlbeu Jezu Krishti nga Rënia? (Shih 2 Nefi 2:6–8, 26–29.)
-
Pasi të bëni një veprimtari si ajo e mëparshme, ju mund të paraqitni disa pyetje si ato që vijojnë dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të japin idetë e tyre:
-
Si i korrigjojnë mësimet e Lehit në këto vargje disa nga keqkuptimet e zakonshme për Rënien?
-
Në çfarë mënyrash është bekim Rënia?
-
Si na ndihmon të kuptuarit me saktësi të Rënies që të kuptojmë më mirë nevojën tonë për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij?
-
Çfarë arsyeje keni për të qenë mirënjohës për zgjedhjen e Adamit dhe të Evës në Kopshtin e Edenit?
-
Ku ngjasonte zgjedhja juaj për të ardhur në tokë me zgjedhjen e Adamit dhe të Evës për të marrë frutën e pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes?
-
Cili është qëllimi i jetës? Përse ishte Rënia e domosdoshme për ta arritur këtë qëllim?
-
Ne mund të kthehemi te Perëndia në dobësinë tonë.
-
Shkrimet e Nefit te 2 Nefi 4:15–35 mund të na sjellin shpresë dhe ngushëllim kur ndihemi të mbingarkuar prej vështirësive dhe dobësive tona. Ndoshta anëtarët e klasës mund t’i rishikojnë këto vargje në dyshe dhe të gjejnë fragmente që mund t’i përdorin për ta ngushëlluar dikë që ndihet i rënduar nga hidhërimet e tij ose të saj. Më pas secila dyshe mund t’ia tregojë këto fragmente klasës. Ndoshta dikush në klasë mund të tregojë një përvojë në të cilën ai ose ajo gjeti ngushëllim duke iu drejtuar Perëndisë, sikurse bëri Nefi.
-
Një mënyrë tjetër për ta rishikuar 2 Nefin 4 mund të jetë duke i ftuar disa anëtarë të klasës paraprakisht që të vijnë të përgatitur për të dhënë vargje ose fraza nga ky kapitull që ishin domethënëse për ta. Kërkojuni atyre të tregojnë atë që bëjnë kur ndihen të mbingarkuar prej dobësive të tyre. Një himn rreth ngushëllimit dhe shpresës, i tillë si “Ku Mund të Gjej Paqe?” (Himne, nr. 67), mund t’i shtojë vlerë këtij diskutimi. Për shembull, anëtarët e klasës mund të tregojnë se si himni e përforcon shembullin e Nefit për t’u mbështetur te Zoti në kohë shkurajimi.
Lumturia gjendet tek të jetuarit e ungjillit.
-
Pavarësisht nga sfidat që hasën Nefi dhe populli i tij, ata ishin në gjendje të ngrinin një shoqëri të bazuar mbi parime që i çuan drejt lumturisë. Çfarë parimesh gjetën anëtarët e klasës gjatë studimit të tyre të 2 Nefit 5, të cilat kontribuan në lumturinë e përjetuar nga nefitët? Ju mund t’u jepni anëtarëve të klasës një fletë letre dhe ftojini të kërkojnë te 2 Nefi 5 për parime që çojnë drejt lumturisë dhe t’i shkruajnë ato në letër. Si janë mënyrat se si bota kërkon lumturi, të ndryshme nga ajo që gjejmë te 2 Nefi 5? Çfarë synimesh mund të caktojnë anëtarët e klasës për ta zbatuar njërin prej këtyre parimeve?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Tregojuni anëtarëve të klasës se 2 Nefi 6–10 ka një prej predikimeve më të mira në të gjithë shkrimin e shenjtë për Shlyerjen e Jezu Krishtit. Ju gjithashtu mund të thoni një varg që e gjeni në këta kapituj, i cili ju emocionon kur e lexoni.
Burime Shtesë
Rënia ishte pjesë e planit të Perëndisë.
Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim:
“Kur Adami dhe Eva morën urdhërimin e parë, ata ishin në një gjendje kalimtare, duke mos qenë më në botën e shpirtrave, por me trupa fizikë ende të panënshtruar ndaj vdekjes dhe ende të paaftë për të krijuar jetë. Ata nuk mund ta përmbushnin urdhërimin e parë të Atit pa e shkelur ndarësen midis haresë në Kopshtin e Edenit dhe sprovave të tmerrshme dhe mundësive të mrekullueshme të jetës në vdekshmëri. …
… Profeti Lehi shpjegoi që ‘nëse Adami nuk do të kishte shkelur, ai nuk do të kishte rënë’ (2 Nefi 2:22), por do të kishte mbetur në të njëjtën gjendje në të cilën u krijua.
… Rënia u planifikua, përfundon Lehi, ngaqë ‘të gjitha gjërat janë bërë në diturinë e atij që i di të gjitha gjërat’ (2 Nefi 2:24).
Ishte Eva që i shkeli e para kufizimet e Edenit, me qëllim që të fillonin kushtet e vdekshmërisë. Veprimi i saj, pavarësisht nga natyra e tij, ishte nga pikëpamja e urdhërimeve një shkelje, por nga pikëpamja e përjetësisë një domosdoshmëri e lavdishme për të hapur portën drejt jetës së përjetshme. Adami tregoi urtësinë e tij duke bërë të njëjtën gjë. Dhe kështu Eva dhe ‘Adami ra[në] që njerëzit të mund të jenë’ (2 Nefi 2:25).
Disa të krishterë e dënojnë Evën për veprimin e saj, duke arritur në përfundimin se ajo dhe bijat e saj kanë njëfarë të mete nga kjo. Jo shenjtorët e ditëve të mëvonshme! Të vënë në dijeni me anë të zbulesës, ne e kremtojmë veprimin e Evës dhe e nderojmë urtësinë dhe guximin e saj në episodin madhështor që quhet Rënie. …
Zbulesa moderne tregon se prindërit tanë të parë e kuptuan domosdoshmërinë e Rënies. Adami shpalli: ‘Bekuar qoftë emri i Perëndisë, sepse për shkak të shkeljes sime sytë e mi u hapën dhe në këtë jetë unë do të kem gëzim e përsëri në mish do ta shoh Perëndinë’ (Moisiu 5:10)” (“The Great Plan of Happiness”, Ensign, nëntor 1993, f. 72–73).