“9–15 Mars. Jakobi [LiM] 1–4: ‘Pajtohuni me Perëndinë nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“9–15 Mars. Jakobi [LiM] 1–4”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
9–15 Mars
Jakobi [LiM] 1–4
Pajtohuni me Perëndinë nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit
Jakobi [LiM] 1–4 përmban shumë mësime që gjejnë zbatim për kohën tonë. Teksa i lexoni këta kapituj, merreni parasysh se si mund t’i ndihmoni ata të cilëve u jepni mësim, që ta jetojnë doktrinën e dhënë mësim nga Jakobi.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të japin ide nga Jakobi [LiM] 1–4, ju mund të shpërndani fletë letre dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të shkruajnë një referencë të shkrimit të shenjtë nga këta kapituj, të cilën e gjetën domethënëse. Futini fletët në një enë, nxirrini disa prej tyre dhe ftojini personat që i shkruan referencat, të japin idetë e tyre.
Jepeni Mësim Doktrinën
Jakobi [LiM] 1:6–8, 15–19; 2:1–11; 4:18
Udhëheqësit e drejtë punojnë me zell për mirëqenien e shpirtrave.
-
Ju mund të filloni një diskutim rreth punëve të zellshme të Jakobit mes popullit të vet duke u kërkuar anëtarëve të klasës të tregojnë përvoja kur u bekuan prej shërbimit të një udhëheqësi të Kishës. Ose merreni parasysh t’i kërkoni një udhëheqësi/eje vendor/e të Kishës – të mëparshëm ose të tanishëm – të flasë për një rast kur ai ose ajo u ndje i/e frymëzuar t’i shërbente dikujt. Më pas anëtarët e klasës mund të gjejnë fjalë dhe fraza te Jakobi [LiM] 1:6–8, 15–19; 2:1–11 dhe 4:18 të cilat na ndihmojnë të kuptojmë se si u ndje Jakobi për thirrjen e tij dhe për njerëzit të cilëve u shërbeu. Si i kemi parë udhëheqësit tanë t’i lartësojnë thirrjet e tyre? Çfarë sugjerojnë këto vargje rreth mënyrës se si duhet t’i mbështetim udhëheqësit tanë?
Ne duhet ta shmangim krenarinë dhe t’i ndihmojmë njerëzit në nevojë.
-
Zoti pati paralajmërime të forta për nefitët rreth krenarisë. Për t’ju ndihmuar që të filloni një diskutim mbi këtë temë, ju mund të viheni në kontakt me disa anëtarë të klasës paraprakisht dhe t’i vini të kërkojnë mënyra se si kundërshtari e nxit dashurinë për pasuritë në botën tonë sot. Më pas ftojini që t’i tregojnë klasës atë që vunë re. Anëtarët e klasës mund të punojnë në dyshe për të lexuar te Jakobi [LiM] 2:12–21 dhe për të gjetur atë që dha mësim Zoti rreth mënyrës se si duhet ta shohim pasurinë materiale. Më pas ata mund të krijojnë dhe të tregojnë një afishe që e nxit atë parim. Jepuni kohë anëtarëve të klasës që ta përsiatin individualisht atë që mund të bëjnë për t’i zbatuar ato që mësojnë nga mesazhi i Jakobit.
-
Anëtarët e klasës suaj mund të shqyrtojnë vargjet te Jakobi [LiM] 2:12–21 dhe të shkruajnë vetë pyetjet e tyre për t’ia shtuar listës së Plakut Peri. Çfarë shton thënia e Plakut Peri te pjesa “Burime Shtesë”, tek i kuptuari ynë për mësimet e dhëna nga Jakobi?
Zoti kënaqet në dëlirësi.
-
Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim se ne jetojmë “në një botë e cila e tall gjithnjë e më shumë shenjtërinë e riprodhimit dhe e ul skajshëm vlerën e jetës njerëzore” (“Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 41–44). Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës të përdorin vargjet te Jakobi [LiM] 2:23–35 që të kundërveprojnë ndaj mesazheve të botës rreth dëlirësisë? Një mënyrë mund të jetë që të shkruani në tabelë Si ndihet Zoti rreth dëlirësisë? dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të gjejnë përgjigje për pyetjen. Disa prej tyre mund të kërkojnë te Jakobi [LiM] 2:23–35 dhe të tjerët mund të kërkojnë te biseda e Plakut Bednar që përmendet më lart. Ata mund t’i renditin në tabelë përgjigjet që gjejnë. Për të diskutuar mbi standardet dhe bekimet që lidhen me të jetuarit e ligjit të dëlirësisë, ju mund të shqyrtoni pjesën “Pastërtia Seksuale” (Për Forcën e Rinisë, f. 35–37) ose të tregoni një nga materialet filmike të renditura te pjesa “Burime Shtesë”. Cilat janë bekimet e të jetuarit të një jete të dëlirë?
Nefitët besojnë te Jezu Krishti.
-
Jakobi donte që ne të dinim që, edhe pse ai dhe populli i tij jetuan qindra vjet përpara shërbesës së Shpëtimtarit në vdekshmëri, ata e njihnin Atë dhe shihnin tek Ai për shpëtim. Sipas vargjeve te Jakobi [LiM] 4:4–5, përse e zbatuan nefitët ligjin e Moisiut? Çfarë kemi ne në kohën tonë që i drejton shpirtrat tanë te Shpëtimtari? Çfarë simbolesh ose ngjashmërish përdori Jakobi për të dhënë mësim rreth Jezu Krishtit? (Shih edhe Zanafilla 22:1–13.)
Unë mund t’i shmangem verbërisë shpirtërore duke u përqendruar te Shpëtimtari.
-
A ka pasur ndonjëri në klasën tuaj kohët e fundit një kontroll të syve? Nëse po, mund t’i kërkoni këtij personi të përshkruajë se si e vlerësoi mjeku shikimin e tij ose të saj. Anëtarët e klasës mund të tregojnë se çfarë mendojnë se do të thotë të jesh i verbër shpirtërisht. Në ç’mënyrë ngjason verbëria shpirtërore me verbërinë fizike? Ftojini anëtarët e klasës të sugjerojnë mënyra se si mund ta vlerësojmë nëse jemi të verbër shpirtërisht. Ata gjithashtu mund të shqyrtojnë vargjet te Jakobi [LiM] 4:8–18 dhe të sugjerojnë disa gjëra që mund t’i bëjmë për ta shtuar aftësinë tonë që të “shohim” gjëra shpirtërore.
-
Plaku Kuentin L. Kuk përvijoi katër mënyra se si njerëzit në kohën tonë mund të shohin “përtej shenjës” (shih “Burime Shtesë”). Çfarë shtojnë fjalët e tij te kuptueshmëria jonë për vargjet te Jakobi [LiM] 4:13–15? Çfarë do të thotë të shohësh përtej shenjës? Si mund ta shmangim shikimin përtej shenjës?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Për t’i frymëzuar anëtarët e klasës të lexojnë te Jakobi [LiM] 5–7, u thoni se ata do ta gjejnë përgjigjen për pyetjen te Jakobi [LiM] 4:17 kur t’i lexojnë plot lutje tre kapitujt vijues.
Burime Shtesë
Qëndrimet tona ndaj pasurisë materiale
Duke iu referuar vargjeve te Jakobi [LiM] 2:13–19, Plaku L. Tom Peri dha mësim: “Ne duhet ta marrim për zemër këshillën e Jakobit. Ne duhet ta lexojmë këtë shkrim të shenjtë sikur të ishte shkruar veçanërisht për ne në këto ditë, sepse prandaj u shkrua. Fjalët e tij duhet të na shkaktojnë që t’i bëjmë vetes pyetje për të analizuar brenda vetes sonë. A i kemi gjërat në vijë në vetë jetën tonë? A po investojmë, para së gjithash, në gjërat që janë të përjetshme në natyrë? A kemi një këndvështrim të përjetshëm? Apo kemi rënë në kurthin e investimit fillimisht te gjërat e kësaj bote dhe më pas ta kemi harruar Zotin?” (“United in Building the Kingdom of God”, Ensign, maj 1987, f. 34).
Materiale filmike rreth Dëlirësisë (ChurchofJesusChrist.org)
-
“I Choose to Be Pure” [“Zgjedh të Jem i/e Dëlirë”]
-
“Chastity: What Are the Limits?” [“Dëlirësia: Cilët Janë Kufijtë?”]
-
“Law of Chastity” [“Ligji i Dëlirësisë”]
Shikimi përtej shenjës
Plaku Kuentin L. Kuk dha mësim se si mund të shohim “përtej shenjës”:
“Zëvendësimi me filozofitë e njerëzve i të vërtetave të ungjillit”
“Disa njerëz duken të jenë të turpëruar nga thjeshtësia e mesazhit të Shpëtimtarit. Ata duan ta bëjnë më të ndërlikuar dhe madje t’i shtojnë errësirë së vërtetës për ta bërë atë më sfiduese intelektualisht ose më të pajtueshme me prirjet e tanishme akademike. … Ne shohim përtej shenjës kur refuzojmë t’i pranojmë të vërtetat e thjeshta të ungjillit për atë që janë.”
“Ekstremizmi i ungjillit”
“Ne shohim përtej shenjës kur e ngremë cilindo parim, pavarësisht nga sa i vlefshëm mund të jetë ai, në një nivel rëndësie që e pakëson zotimin tonë ndaj parimeve të tjera po aq të rëndësishme, ose kur mbajmë një qëndrim që është në kundërshtim me mësimet e Vëllezërve.”
“Gjestet heroike si zëvendësues i përkushtimit të përditshëm”
“Disa anëtarë shpallin se do të zotoheshin me entuziazëm nëse do t’u jepej një thirrje disi e madhe, por nuk e mendojnë mësimin e shtëpisë ose vizitat mësimore [tani të quajtura dhënie shërbese] të denja ose mjaft heroike për përpjekjet e tyre të qëndrueshme.”
“Lartësimi i rregullave mbi doktrinën”
“Ata që zotohen t’i ndjekin rregullat pa iu referuar doktrinës dhe parimit, janë veçanërisht të prirur të shohin përtej shenjës” (“Looking beyond the Mark”, Ensign ose Liahona, mars 2003, f. 42–44).