“11–17 Janar. Doktrina e Besëlidhje 2; Joseph Smith – Historia 1:27–65: ‘Zemrat e Fëmijëve do të Kthehen tek Etërit e Tyre’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“11–17 Janar. Doktrina e Besëlidhje 2; Joseph Smith – Historia 1:27–65”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021
11–17 Janar
Doktrina e Besëlidhje 2; Joseph Smith – Historia 1:27–65
“Zemrat e Fëmijëve do të Kthehen tek Etërit e Tyre”
Përpara se t’i lexoni idetë në këtë përvijim, studiojini Doktrina e Besëlidhje 2 dhe Joseph Smith – Historia 1:27–65, dhe shënojini mbresat tuaja shpirtërore.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’i nxitur anëtarët e klasës që të tregojnë idetë dhe përvojat që patën teksa i studiuan këto shkrime të shenjta, ju mund t’u kërkoni atyre të lexojnë një varg që i bëri të përsiatnin më thellë se zakonisht. Çfarë iu bëri përshtypje atyre tek ai varg?
Jepeni Mësim Doktrinën
Joseph Smith – Historia 1:27–65
Jozef Smithi u thirr nga Perëndia që të bënte punën e Tij.
-
A do të përfitonte klasa juaj nga shqyrtimi i historisë te Joseph Smith – Historia 1:27–65? Mund ta ftoni një anëtar të klasës ta përmbledhë atë, ose anëtarët e klasës mund t’ia tregojnë njëri-tjetrit historinë në dyshe ose grupe të vogla. Nxitini të përfshijnë sa më shumë hollësi që mund të mbajnë mend. Si i forcon kjo histori dëshmitë tona për thirrjen hyjnore të Jozef Smithit? Çfarë mësimesh marrim nga kjo histori rreth mënyrës se si Perëndia e bën punën e Tij?
-
Merrni parasysh të paraqitni sende ose fotografi që lidhen me punën që u thirr të bënte Jozef Smithi, të tilla si një Libër Mormoni ose një fotografi e një tempulli. Anëtarët e klasës mund të gjejnë te Joseph Smith – Historia 1:33–42 vargje që na mësojnë rreth këtyre aspekteve të misionit të Profetit. Si lidhet puna e Perëndisë për Jozef Smithin me punën që Perëndia ka për ne? Çfarë na mësojnë profetët tanë të gjallë për këtë punë?
Elija erdhi për t’i kthyer zemrat tona te paraardhësit tanë.
-
A do të përfitonte klasa juaj nga një diskutim rreth asaj se kush ishte Elija dhe rreth fuqisë vulosëse që ai rivendosi? Anëtarët e klasës mund të lexojnë rreth Elijas tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta ose të shqyrtojnë një histori nga jeta e tij (shih 1 Mbretërve 17–18). Çfarë i shton ky informacion te Doktrina e Besëlidhje 2 kuptueshmërisë sonë? Ju gjithashtu mund të flisni rreth asaj se çfarë do të thotë të vulosësh diçka. Ndoshta disa sende mund të ndihmojnë, si një kavanoz me ushqim, një çantë plastike për ruajtje që mbyllet me zinxhir ose një vulë që ratifikon një dokument. Si mund të na ndihmojnë këto sende që të kuptojmë se çfarë do të thotë t’i vulosësh familjet përgjithmonë? Si ndihmon kjo fuqi për të përmbushur qëllimin e krijimit të tokës? (Shih Doktrina e Besëlidhje 138:47–48 dhe thënien e Presidentit Rasëll M. Nelson te pjesa “Burime Shtesë”.) Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të kuptojnë se si u përmbush profecia te Doktrina e Besëlidhje 2, ju mund të diskutoni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 110:13–16.
-
Ndoshta të mësuarit për “premtimet e bëra etërve” (Doktrina e Besëlidhje 2:2), do t’i ndihmojë ata të cilëve u jepni mësim, që ta kuptojnë më mirë fuqinë e priftërisë që Elija u dërgua ta rivendoste. Kush janë “etërit”? (Shih Doktrina e Besëlidhje 27:9–10.) Çfarë premtimesh bëri Zoti me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin? (Shih Zanafilla 17:1–8; 22:16–18; 26:1–5, 24; 28:11–15; Abraham 2:8–11.) Çfarë do të thotë t’i “mbjell[im]” këto premtime në zemrat tona? Si na ndihmon bërja e kësaj që t’i kthejmë zemrat tona te paraardhësit tanë?
-
Për t’i frymëzuar anëtarët e klasës që t’i kthejnë zemrat e tyre te paraardhësit e tyre, ju mund t’i ftoni disa anëtarë të drejtojnë një diskutim për temën. Merrni parasysh të përfshini këshilluesin e tempullit dhe të historisë familjare të lagjes. Ju mund të filloni duke lexuar te Doktrina e Besëlidhje 2:2–3 dhe duke i ftuar udhëheqësit e diskutimit të tregojnë përvoja në të cilat zemrat e tyre u kthyen drejt paraardhësve të tyre. Çfarë ka ndodhur në jetën e tyre që i ndihmoi të kishin dëshirë të mësonin për historinë e tyre familjare? Çfarë sugjerimesh mund të japin ata që t’i ndihmojnë anëtarët e tjerë të klasës të përfshihen në historinë familjare dhe shërbimin në tempull? Thënia nga Presidenti Dallin H. Ouks te pjesa “Burime Shtesë” dhe materialet filmike “The Promised Blessings of Family History” [“Bekimet e Premtuara për Historinë Familjare”] dhe “If We Put God First” [“Nëse e Vendosim Perëndinë të Parin”] (ChurchofJesusChrist.org) gjithashtu mund të ndihmojnë për t’i frymëzuar anëtarët e klasës. Ju gjithashtu mund t’i referoni për ide anëtarët te faqja FamilySearch.org.
3:23
Burime Shtesë
Qëllimi i Krijimit.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Jeta e përjetshme, e bërë e mundur nëpërmjet Shlyerjes, është qëllimi më i lartë i Krijimit. Për ta shprehur këtë deklaratë në formën e saj negative, nëse familjet nuk do të vuloseshin në tempujt e shenjtë, e gjithë toka do të ishte tërësisht e shkretuar.
Qëllimet e Krijimit, Rënies dhe Shlyerjes, që të gjitha puqen te puna e shenjtë që bëhet në tempujt e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme” (“The Atonement”, Ensign, nëntor 1996, f. 35). Shih edhe Moisiu 1:39.
Çdo njeri mund të bëjë diçka.
Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Në punën për shëlbimin e të vdekurve ka shumë detyra për t’u kryer. … Përpjekja jonë nuk është që ta detyrojmë këdo të bëjë çdo gjë, por ta nxitim këdo që të bëjë diçka” (“Family History: ‘In Wisdom and in Order’”, Ensign, qershor 1989, f. 6).