“4–10 Janar. Joseph Smith – Historia 1:1–26: ‘Unë Pashë një Shtyllë Drite’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“4–10 Janar. Joseph Smith – Historia 1:1–26”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021
4–10 Janar
Joseph Smith – Historia 1:1–26
“Unë Pashë një Shtyllë Drite”
Mbani mend se përgatitja juaj më e rëndësishme do të jetë studimi i shkrimeve të shenjta dhe të jetuarit sipas asaj që mësoni. Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se ku të përqendroheni në orën mësimore.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Çfarë idesh morën anëtarët e klasës ndërsa studiuan Joseph Smith – Historia 1:1–26 këtë javë? Ndoshta ju mund të paraqitni një fotografi të Jozef Smithit ose të Vegimit të Parë dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të shkruajnë në tabelë disa ide nga studimi i tyre, së bashku me vargjet ku i gjetën ato. Ata gjithashtu mund të tregojnë se si dëshmitë e tyre për Jozef Smithin dhe misionin e tij u rritën ndërsa mësuan për të këtë javë.
Jepeni Mësim Doktrinën
Joseph Smith – Historia 1:5–18
Nëse kërkojmë me besim, Perëndia do të na përgjigjet.
-
Anëtarët e klasës suaj mund të jenë në gjendje të tregojnë për dëshirën e Jozefit për ta kërkuar të vërtetën në një botë ku jepen mësim shumë ide kontradiktore. Si është pështjellimi në kohën tonë i ngjashëm me atë me të cilin u përball ai? Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të kuptojnë se si mund të gjejmë përgjigje për pyetjet tona, ju mund t’i ftoni ata të renditin në tabelë mënyra të ndryshme se si njerëzit e kërkojnë të vërtetën. Më pas ata mund të shqyrtojnë fragmentin Joseph Smith – Historia 1:5–18 dhe të shtojnë në listë atë që bëri Jozef Smithi për të gjetur përgjigje për pyetjet e tij.
-
Anëtarët e klasës mund të tregojnë se si e kanë ndjekur shembullin e Jozef Smithit gjatë kërkimit nga ana e tyre për të vërtetën dhe se si Perëndia u është përgjigjur atyre. Thënia e Presidentit Rasëll M. Nelson te pjesa “Burime Shtesë” sugjeron disa mënyra se si ne mund ta kërkojmë të vërtetën nga Perëndia.
Joseph Smith – Historia 1:15–20
Jozef Smithi pa Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin.
-
Vegimi i Parë zbuloi disa të vërteta për Perëndinë që binin në kundërshtim me ato që besonin shumë njerëz në kohën e Jozefit. Anëtarët e klasës mund të lexojnë Joseph Smith – Historia 1:15–20 dhe të identifikojnë diçka që mësojnë për Perëndinë. Përse është e rëndësishme që t’i dimë këto të vërteta për Perëndinë?
-
Nëse Jozef Smithi do të vizitonte klasën tonë, për çfarë do ta pyetnim lidhur me përvojën e tij? Materiali filmik “Ask of God: Joseph Smith’s First Vision” [“Kërkoji Perëndisë: Vegimi i Parë i Jozef Smithit”] (ChurchofJesusChrist.org) mund t’ju japë anëtarëve të klasës ide shtesë për Vegimin e Parë të Jozef Smithit (shih edhe “Burime Shtesë”). Ndoshta ata mund të përsiatin se si do ta plotësonin një fjali si kjo: “Ngaqë ndodhi Vegimi i Parë, unë e di se …”. Çfarë bekimesh kanë ardhur në jetën tonë për shkak të Vegimit të Parë?
6:35 -
Për ta shtuar shpirtin e diskutimit tuaj, anëtarët e klasës mund të lexojnë ose të këndojnë himnin “Lutja e Parë e Jozef Smithit” (Himne, nr. 18). Çfarë na ndihmon ky himn që të kuptojmë dhe ndiejmë rreth Vegimit të Parë? Ndoshta disa anëtarë të klasës mund të tregojnë se si ata vetë kanë arritur të dinë se Jozefi vërtet e pa Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin në Korijen e Shenjtë. Ose ju mund t’i ftoni misionarët kohëplotë (ose një misionar/e të kthyer kohët e fundit) të vijnë në klasë dhe të flasin për atë se si Vegimi i Parë ka ndikuar në jetën e njerëzve të cilëve u japin mësim.
Joseph Smith – Historia 1:21–26
Ne mund të qëndrojmë të vërtetë për atë që dimë, edhe nëse të tjerët nuk na pranojnë.
-
Anëtarët e klasës mund të jenë në gjendje të identifikojnë disa nga gjërat që përjetoi Jozef Smithi kur filloi t’u tregonte njerëzve të tjerë për vegimin e tij (shih Joseph Smith – Historia 1:21–26). Ndoshta ata mund të tregojnë për fragmente që i frymëzojnë kur të tjerët i sfidojnë bindjet e tyre.
-
Nëse njihni anëtarë të lagjes që kanë përjetuar kundërshtim ngaqë janë anëtarë të Kishës, merreni parasysh t’u kërkoni atyre të vijnë në klasë të përgatitur për të treguar se si e mbajnë besimin e tyre të fortë. Çfarë mësojmë nga shembulli i Jozef Smithit te Joseph Smith – Historia 1:21–26?
Burime Shtesë
Ndiqeni shembullin e Jozefit.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Profeti Jozef Smith caktoi një model për ne që ta ndjekim në zgjidhjen e pyetjeve tona. I tërhequr drejt premtimit të Jakobit që, në qoftë se na mungon urtia, ne mund të kërkojmë nga Perëndia [shih Jakob (Bibël) 1:5], djaloshi Jozef e çoi pyetjen e tij drejtpërsëdrejti tek Ati Qiellor. Ai kërkoi zbulesë vetjake dhe kërkimi i tij e hapi këtë periudhë të fundit ungjillore.
Në mënyrë të ngjashme, çfarë do të hapë kërkimi juaj për ju? Çfarë urtësie ju mungon? Çfarë mendoni se keni nevojë të ngutshme për të ditur ose kuptuar? Ndiqni shembullin e Profetit Jozef. Gjeni një vend të qetë ku mund të shkoni rregullisht. Përuleni veten përpara Perëndisë. Hapjani zemrën Atit tuaj Qiellor. Drejtojuni Atij për përgjigje e ngushëllim” (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 95).
Vegimi i Parë i Jozef Smithit.
Për të lexuar një përshkrim të Vegimit të Parë që mbështetet te disa nga rrëfimet e Jozef Smithit, shih Shenjtorët, 1:14–16.