“22–28 Shkurt. Doktrina e Besëlidhje 18–19: ‘Vlera e Shpirtrave Është e Madhe’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“22–28 Shkurt. Doktrina e Besëlidhje 18–19”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021
22–28 Shkurt
Doktrina e Besëlidhje 18–19
“Vlera e Shpirtrave Është e Madhe”
Është vetëm nëpërmjet Frymës së Shenjtë që zemra e një njeriu mund të ndryshojë. Presidenti Henri B. Ajring dha mësim: “Nëse jepni mësim parime doktrinore, Fryma e Shenjtë do të vijë” (“Discussion with Elder Richard G. Scott and Elder Henry B. Eyring” [transmetim satelitor i trajnimit të Sistemit Arsimor të Kishës, 11 gusht 2003]).
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’i nxitur anëtarët e klasës që të tregojnë përvojat e tyre me shkrimet e shenjta, lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 18:34–36. Më pas kërkojuni anëtarëve të klasës të flasin për një varg që e lexuan gjatë javës, në të cilin e dalluan zërin e Zotit.
Jepeni Mësim Doktrinën
Doktrina e Besëlidhje 18:10–16; 19:15–20, 39–41
Zoti gëzohet kur ne pendohemi.
-
Shumë njerëz e lidhin pendimin me ndjenja negative. Si mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës fjalët e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 18 e 19 për ta parë pendimin si diçka të gëzueshme? Mund të shkruani në tabelë Pendimi është dhe t’u kërkoni anëtarëve të klasës të sugjerojnë mënyra për ta plotësuar këtë fjali, bazuar në atë që kanë lexuar prej seksioneve 18 e 19. (Merrni parasysh shqyrtimin e fragmenteve te Doktrina e Besëlidhje 18:10–16; 19:15–20, 39–41 në orën mësimore.)
-
Çfarë do të thotë të “shpallni pendim”? (Doktrina e Besëlidhje 18:14.) Ndoshta anëtarët e klasës mund ta mbajnë parasysh këtë pyetje ndërsa lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 18:10–16. Përse njerëzit nganjëherë zgjedhin të mos pendohen? Si mund t’i frymëzojmë njerëzit të cilët i duam, që të vijnë te Shpëtimtari dhe të marrin falje? Nxitini anëtarët e klasës që të kërkojnë diçka që mund t’i ndihmojë te Doktrina e Besëlidhje 18:10–16 ose 19:15–20.
Doktrina e Besëlidhje 18:10–16
“Vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë.”
-
Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës që ta kuptojnë se sa me vlerë është secili prej nesh në sytë e Perëndisë? Ndoshta ata mund të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 18:10–16 dhe të tregojnë përvoja në të cilat arritën ta kuptonin vlerën e tyre për Perëndinë. Si ndikojnë këto vargje në mënyrën se si e shohim veten tonë, njerëzit e tjerë? Si na e tregon Perëndia se kemi vlerë të madhe për Të?
Doktrina e Besëlidhje 19:15–19
Jezu Krishti vuajti për tërë njerëzimin.
-
Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës që ta ndiejnë dëshminë e Frymës së Shenjtë teksa përsiatin përshkrimin e Shpëtimtarit për vetë vuajtjen e Tij shlyese? (Doktrina e Besëlidhje 19:15–19.) Ndoshta mund të ftoni dikë që të këndojë një himn të parapëlqyer rreth Shpëtimtarit. Gjithashtu mund të paraqitni një figurë të Shpëtimtarit dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të lexojnë vargjet 15–19; më pas ata mund të shkruajnë mendimet dhe ndjenjat e tyre. (Fjalët e Plakut D. Tod Kristoferson te pjesa “Burime Shtesë” mund ta thellojnë gjithashtu vlerësimin e anëtarëve të klasës për vuajtjen e Shpëtimtarit.) Një fjali si kjo në tabelë mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës që të përsiatin: Jam mirënjohës për Shlyerjen e Jezu Krishtit, sepse …. Disa anëtarë të klasës mund të jenë të gatshëm për të shprehur atë që shkruan dhe për të dhënë dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin.
Doktrina e Besëlidhje 19:16–26, 34–41
Bërja e vullnetit të Perëndisë shpesh kërkon sakrificë.
-
Kur anëtarët e klasës përballen me situata në të cilat duhet të bëjnë sakrifica për ungjillin, mund të jetë frymëzuese për ta që të mësojnë rreth sakrificës që bëri Martin Harrisi me qëllim që Libri i Mormonit të mund të botohej. Ndoshta mund të ftoni dikë që të vijë në klasë i/e përgatitur për të treguar rreth vendimit të Martinit që të hipotekonte fermën e tij për të paguar për shtypjen e Librit të Mormonit (shih Shenjtorët, 1:76–78). Cilat vargje nga seksioni 19 mund ta kenë ndihmuar atë që të merrte vendimin e tij? Ju mund të doni t’i ftoni anëtarët e klasës që të tregojnë se si Libri i Mormonit i ka bekuar ata dhe se sa mirënjohës janë për sakrificën e Martin Harrisit dhe të të tjerëve, të cilët sakrifikuan që ky libër të mund të botohej.
-
Ndoshta dikush në klasë mund të tregojë për një sakrificë që ka bërë për Zotin. Kjo mund t’i bëjë anëtarët e klasës të mendojnë për vetë gatishmërinë e tyre për të sakrifikuar. Nxitini të tregojnë diçka që e gjejnë nga Doktrina e Besëlidhje 19, e cila i frymëzon të bëjnë sakrifica me qëllim që të bëjnë vullnetin e Perëndisë (shih veçanërisht vargjet 16–26, 34–41).
Burime Shtesë
Çmimi i dashurisë së Perëndisë.
Duke iu drejtuar vargut te Doktrina e Besëlidhje 19:18, Plaku D. Tod Kristoferson tha: “Le ta marrim parasysh çmimin e dashurisë së paçmuar të Perëndisë. … Agonia e Tij në Gjetseman dhe në kryq ishte më e madhe nga ç’mund ta duronte çdo njeri i vdekshëm. Sidoqoftë, për shkak të dashurisë së Tij për Atin e Tij dhe për ne, Ai duroi dhe, si rrjedhojë, Ai mund të na ofrojë si pavdekësinë, ashtu edhe jetën e përjetshme” (“Qëndroni në Dashurinë Time”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 50).