“1–7 Shkurt. Doktrina e Besëlidhje 10–11: ‘Që të Mund të Dalësh Fitues’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“1–7 Shkurt. Doktrina e Besëlidhje 10–11”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021
1–7 Shkurt
Doktrina e Besëlidhje 10–11
“Që të Mund të Dalësh Fitues”
Çfarë mbresash kishit ndërsa lexuat Doktrina e Besëlidhje 10–11? Çfarë mendimesh ju erdhën rreth nevojave të njerëzve të cilëve u jepni mësim?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Që t’u jepni anëtarëve të klasës mundësinë të flasin për atë që mësuan gjatë studimit të tyre vetjak dhe familjar të shkrimeve të shenjta, ju mund të shkruani në tabelë Doktrina e Besëlidhje 10 dhe Doktrina e Besëlidhje 11. Disa anëtarë të klasës mund të shkruajnë, nën secilin titull, numrin e një vargu ku ata gjetën një të vërtetë të rëndësishme. Përzgjidhini disa nga vargjet dhe ftojini anëtarët e klasës të tregojnë të vërtetat që gjetën atje.
Jepeni Mësim Doktrinën
Satani kërkon ta shkatërrojë veprën e Perëndisë.
-
Doktrina e Besëlidhje 10 mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës t’i njohin dhe t’u bëjnë ballë përpjekjeve të Satanit për ta shkatërruar besimin e tyre. Për të dhënë pak kontekst historik për këtë seksion, ju mund ta ftoni një anëtar të klasës të tregojë rrëfimin për Martin Harrisin që humbi 116 faqe të përkthimit të Librit të Mormonit (shih kreun e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 3 dhe Shenjtorët, 1:50–53). Anëtarët e klasës më pas mund të hetojnë te Doktrina e Besëlidhje 10:1–33 për të gjetur planin e Satanit për faqet e humbura. Çfarë mësojmë nga këto vargje për mënyrat se si punon Satani dhe përse ai i bën këto gjëra? (Shih edhe vargun 63.) Si po punon ai në mënyra të ngjashme në kohën tonë? Si na ndihmon Zoti ta mposhtim Satanin në jetën tonë?
Doktrina e Besëlidhje 10:34–52
“Urtësia [e Zotit] është më e madhe se djallëzia e djallit.”
-
Kur ndihemi të shkurajuar për mëkatet tona, ne mund të gjejmë shpresë ngaqë dimë se si Zoti zhdëmtoi për mëkatin që kryen Jozef Smithi dhe Martin Harrisi kur nuk iu bindën Zotit dhe humbën 116 faqe të përkthimit të Librit të Mormonit. Merrni parasysh se si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës të gjejnë shpresë te ky rrëfim. Për shembull, ju mund t’i ftoni ata të tregojnë diçka që mësojnë rreth Zotit nga Doktrina e Besëlidhje 10:34–52 (shih edhe Doktrina e Besëlidhje 3:1–3). Anëtarët e klasës mund të tregojnë se si ata e kanë parë që “urtësia [e Zotit] është më e madhe se djallëzia e djallit” (Doktrina e Besëlidhje 10:43). Si e forcon kjo njohuri besimin tonë tek Ai?
Nëse i kërkojmë Perëndisë, ne do të marrim.
-
Përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet na fton ta lexojmë seksionin Doktrina e Besëlidhje 11 si të ishte shkruar për ne. Ndoshta anëtarët e klasës do të ishin të gatshëm të tregonin diçka nga seksioni që është veçanërisht e vlefshme për ta. Si planifikojnë ata ta vënë në zbatim atë që mësuan?
-
Një mënyrë për të nxitur diskutim për seksionin Doktrina e Besëlidhje 11 është t’i ftojmë anëtarët e klasës që të gjejnë një parim te seksioni dhe më pas të shkruajnë një pyetje për të. Pyetje të tilla mund të përfshijnë: “Çfarë do të thotë t’i qëndrosh besnik Krishtit me gjithë zemrën tënde?” (vargu 19) ose “Si e fitojmë ne fjalën e Perëndisë?” (Vargu 21.) Anëtarët e klasës mund t’i vendosin pyetjet e tyre në krye të një flete letre dhe t’i kalojnë fletët e tyre nëpër dhomë, duke shtuar mendime dhe përgjigje të mundshme për pyetjet e njëri-tjetrit. (Mund të ndihmojë fillimisht ndarja e klasës në grupe të vogla.) Më pas anëtarët e klasës mund t’i tregojnë klasës disa nga idetë që të tjerët shkruan për pyetjen e tyre.
Perëndia do të na japë Shpirtin e Tij kur përgatitemi sipas mënyrës së Tij.
-
A do të përfitonin anëtarët e klasës suaj po të flitnin rreth mënyrës se si ta njohin zbulesën vetjake nëpërmjet Shpirtit? Nëse do të përfitonin, ju mund të filloni një diskutim duke i ftuar ata të përfytyrojnë sikur iu ishte kërkuar të shkruanin disa të vërteta rreth mënyrës se si të marrin zbulesë vetjake. Çfarë do të përfshinin nga Doktrina e Besëlidhje 11:8–26? Për shembull, çfarë do të shkruanin rreth përgatitjes për të marrë udhërrëfim për jetën tonë dhe përgjigje për pyetjet tona? Çfarë do të thonin rreth mënyrës se si t’i dallojnë përgjigjet kur ato vijnë? Ftojini anëtarët e klasës të përsiatin rreth mënyrës se si ata do ta vënë në zbatim atë që kanë mësuar, ndërsa përpiqen fort të kërkojnë zbulesë vetjake.
Si pjesë e kësaj veprimtarie, ju mund të jepni këtë thënie nga Motra Xhuli B. Bek, ish‑Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës: “Aftësia për t’u cilësuar, për të marrë dhe vepruar sipas zbulesës vetjake është zotësia e vetme më e rëndësishme që mund të fitohet në këtë jetë” (“Në Ato Ditë do të Përhap Frymën Time Mbi Shërbëtoret”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 11).