“1–7 Mars. Doktrina e Besëlidhje 20–22: ‘Ngritja e Kishës së Krishtit’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“1–7 Mars. Doktrina e Besëlidhje 20–22”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021
1–7 Mars
Doktrina e Besëlidhje 20–22
“Ngritja e Kishës së Krishtit”
Mbajini shënim mbresat tuaja shpirtërore kur të studioni te Doktrina e Besëlidhje 20–22. Disa prej këtyre mbresave mund të çojnë në ide që do t’ju ndihmojnë kur jepni mësim.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Gjatë studimit të tyre në shtëpi anëtarët e klasës mund të kenë fituar ide rreth bekimeve të pasjes së Kishës së vërtetë në tokë. Ftojini ata të japin një fragment nga këto seksione, i cili ilustron arsyen përse janë mirënjohës që u rivendos Kisha.
Jepeni Mësim Doktrinën
Kisha e Jezu Krishtit është rivendosur.
-
Anëtarët e klasës mund të përfitojnë nga studimi i ngjashmërive midis Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe Kishës që Krishti e themeloi në lashtësi. Mund të vizatoni në dërrasë një tabelë me katër kolona të emërtuara: Doktrina, Ordinancat, Autoriteti i Priftërisë dhe Profetët. Ju mund të jepni referencat vijuese rreth Kishës së Krishtit në kohët e lashta: Mateu 16:15–19; Gjoni 7:16–17; Efesianëve 2:19–22; 3 Nefi 11:23–26; Moroni 4–5. Anëtarët e klasës mund të përcaktojnë se çfarë na mëson secili fragment rreth Kishës së Krishtit dhe ta shkruajnë referencën në kolonën e duhur në tabelë. (Disa referenca mund të gjejnë zbatim në më shumë se një kolonë.) Ata mund të bëjnë të njëjtën gjë për referencat vijuese rreth Kishës së rivendosur të Krishtit: Doktrina e Besëlidhje 20:17–25, 60, 72–79; 21:1–2. Çfarë mësoni për Rivendosjen e Kishës së Krishtit nga ky krahasim?
Doktrina e Besëlidhje 20:37, 75–79; 22
Ordinancat e shenjta na ndihmojnë të bëhemi si Shpëtimtari.
-
Jepuni anëtarëve të klasës kohë për të studiuar kualifikimet për pagëzim, të përshkruara te Doktrina e Besëlidhje 20:37 dhe kërkojuni të përsiatin pyetje si këto: Si na ndihmojnë këto kualifikime që të përgatitemi për t’u pagëzuar në Kishën e Zotit? Çfarë do të thotë të marrim mbi vete emrin e Krishtit? (Shih Mosia 5:5–12.) Çfarë ju ndihmon ta ruani “vendosmëri[në tuaj] për t’i shërbyer [Jezu Krishtit] deri në fund”?
-
Çfarë na mëson seksioni 22 rreth pagëzimit? Kërkojuni anëtarëve të klasës të përfytyrojnë sikur kanë një mik që është pagëzuar në një kishë tjetër. Ata mund ta lexojnë këtë seksion që të gjejnë këshillë për ta ndihmuar mikun e tyre që të kuptojë përse është i nevojshëm pagëzimi në Kishën e rivendosur të Shpëtimtarit. Anëtarët e klasës mund ta interpretojnë me role këtë skenar si klasë ose në dyshe.
-
Lexojini së bashku vargjet te Doktrina e Besëlidhje 20:75–79 dhe ftojini anëtarët e klasës të marrin në shqyrtim se çfarë na mësojnë këto vargje rreth Shpëtimtarit dhe fuqisë së Tij në jetën tonë. Çfarë fjalësh ose frazash na bien në sy kur i lexojmë lutjet e sakramentit në këtë mënyrë? Përse është e rëndësishme që ta marrim sakramentin çdo javë?
Doktrina e Besëlidhje 20:38–60
Shërbimi i priftërisë i bekon anëtarët e Kishës dhe familjet e tyre.
-
Përshkrimi i detyrave të priftërisë te Doktrina e Besëlidhje 20:38–60 mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës suaj që ta zgjerojnë kuptimin e tyre për shërbimin e priftërisë. Ndoshta ju mund t’i ftoni të përfytyrojnë sikur një mik apo pjesëtar i familjes i sapopagëzuar është gati për t’u shuguruar në një detyrë të priftërisë. Si do t’i përdornit këto vargje për ta ndihmuar atë që t’i kuptojë detyrat e tij? Çfarë shembujsh do të tregonit për ta ndihmuar atë që të kuptojë se si përmbushja e atyre detyrave mund ta ndihmojë që të bëhet më shumë si Jezu Krishti? Ndoshta ata mund ta interpretojnë me role këtë bashkëbisedim.
Përveç kësaj, si mund t’i përdorin ata këto vargje që ta ndihmojnë një motër të sapopagëzuar të kuptojë se si ajo mund të marrë pjesë në punën e përshkruar këtu? (Mund të ndihmojë thënia te pjesa “Burime Shtesë”.)
Ne bekohemi kur e marrim fjalën e Zotit nëpërmjet profetit të Tij.
-
Doktrina e Besëlidhje 21 përmban thënie të fuqishme rreth ndjekjes së profetit të Zotit. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të përsiatin e diskutojnë këto thënie, vërini të hetojnë te vargjet 4–7 një frazë që do të donin ta kuptonin më mirë dhe ta shkruajnë atë frazë në tabelë. Zgjidhni disa nga frazat dhe diskutoni si klasë se çfarë domethënie mund të kenë ato. Çfarë na mësojnë këto fraza rreth ndjekjes së profetit të Zotit?
Burime Shtesë
Ne të gjithë punojmë me fuqinë e priftërisë.
“Burrat shugurohen në detyrat e priftërisë, ndërkohë që edhe burrat edhe gratë ftohen t’i përjetojnë fuqinë dhe bekimet e priftërisë në jetën e tyre. …
… [Gratë] predikojnë dhe luten në bashkësi, marrin pozicione të shumta udhëheqjeje dhe shërbimi, marrin pjesë në këshillat e priftërisë në nivel vendor dhe të përgjithshëm dhe shërbejnë në misione zyrtare predikimi në të gjithë botën. Në këto mënyra dhe të tjera, gratë e ushtrojnë autoritetin e priftërisë edhe pse nuk janë shuguruar në detyrën e priftërisë. …
… Në thirrjet kishtare, ordinancat e tempullit, marrëdhëniet familjare dhe shërbesën e qetë dhe individuale, gratë dhe burrat shenjtorë të ditëve të mëvonshme, veprojnë me fuqinë dhe autoritetin e priftërisë. Kjo varësi e ndërsjellë e burrave dhe grave për përmbushjen e punës së Perëndisë nëpërmjet fuqisë së Tij, është qendrore në ungjillin e Jezu Krishtit” (Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Joseph Smith’s Teachings about Priesthood, Temple, Women” [“Mësimet e Dhëna nga Jozef Smithi rreth Priftërisë, Tempullit dhe Grave”], topics.ChurchofJesusChrist.org).