“8–14 Mars. Doktrina e Besëlidhje 23–26: ‘Forcimi i Kishës’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“8–14 Mars. Doktrina e Besëlidhje 23–26”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021
8–14 Mars
Doktrina e Besëlidhje 23–26
“Forcimi i Kishës”
Përpara se ta lexoni këtë përvijim, lexoni te Doktrina e Besëlidhje 23–26 dhe përsiatni parimet që e ndieni se do t’i forcojnë anëtarët e klasës suaj. Më pas merrni parasysh se çfarë burimesh do t’ju ndihmojnë të jepni mësim, përfshirë ato që sugjerohen në këtë përvijim.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Çfarë bekimesh kemi përjetuar kur ia kemi “kush[uar] kohën t[onë] studimit të shkrimeve të shenjta”? (Doktrina e Besëlidhje 26:1.) Si e kemi ndier Shpirtin në shtëpitë tona? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë se si i kanë kapërcyer pengesat ose shpërqendrimet për t’ia përkushtuar kohën studimit vetjak dhe familjar të shkrimeve të shenjta.
Jepeni Mësim Doktrinën
Ne të gjithë mund ta forcojmë Kishën.
-
Ju mund të doni të shqyrtoni me anëtarët e klasës se çfarë do të thotë të “këshill[osh] kishën” (Doktrina e Besëlidhje 25:7). Ndoshta dikush mund të lexojë përkufizimet e fjalorit për fjalën këshilloj ose të tregojë shembuj që i ka parë për këshillimin. Çfarë mundësish kemi për ta këshilluar njëri‑tjetrin? Si e ndihmon kjo Kishën? Çfarë tjetër mësojmë te Doktrina e Besëlidhje 23–26 që mund të na ndihmojë për ta forcuar Kishën? Ju gjithashtu mund të diskutoni se si këto parime gjejnë zbatim për forcimin e shtëpive tona. Për t’i zbatuar këto parime në përpjekjet tuaja për të dhënë shërbesë, ju mund të rishikoni pjesë të mesazhit të Motrës Boni H. Kordën “Të Bëhesh Bari” (Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 74–76).
Shpëtimtari mund të na shpëtojë “nga të gjitha mundimet [tona]”.
-
Zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 24 u dha për t’i “forcuar, inkurajuar dhe udhëzuar” Jozefin dhe Oliverin gjatë një kohe sprove (Doktrina e Besëlidhje 24, kreu i seksionit; shih edhe Saints [Shenjtorët], 1:94–96). Mund ta ftoni klasën të kërkojë te ky seksion për prova se Zoti ishte në dijeni të Jozefit dhe gjendjes së tij. Si iu përgjigj Zoti nevojave të Jozefit? Si bën Ai të njëjtën gjë për ne sot? Merrni parasysh t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të tregojnë përvoja kur ata e ndien se Zoti ishte në dijeni të rrethanave të tyre vetjake dhe i shpëtoi gjatë mundimeve të tyre.
Ema Smithi është “një zonjë e zgjedhur”.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të gjejnë zbulesë vetjake në zbulesën e Zotit për Ema Smithin, merrni parasysh këtë veprimtari: Vëreni gjysmën e klasës të kërkojë te seksioni 25 gjërat që Zoti ia kërkoi Emës që t’i bënte dhe vëreni gjysmën tjetër të kërkojë gjërat që Ai premtoi se Ai do të bënte. Ftojini ata të renditin atë që gjejnë dhe t’ia tregojnë njëri‑tjetrit. Disa anëtarë të klasës mund të tregojnë parime që janë veçanërisht domethënëse për ta.
-
Cilat fjalë dhe fraza te seksioni 25 e përkrahin shpalljen e Zotit drejtuar Ema Smithit: “Ti je një zonjë e zgjedhur”? (Vargu 3.) Anëtarët e klasës gjithashtu mund të diskutojnë se si Ema i jetoi parimet në këtë zbulesë. Burime të dobishme përfshijnë materialin filmik “An Elect Lady” [“Një Zonjë e Zgjedhur”] (ChurchofJesusChrist.org), “Thou Art an Elect Lady” (Revelations in Context, f. 33–39) dhe “Zëra të Rivendosjes” në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.
-
Sipas vargjeve te Doktrina e Besëlidhje 25:11–12, si ndihet Zoti rreth muzikës së shenjtë? Ndoshta klasa mund të diskutojë për mënyrat se si t’i përdorin himnet që ta ftojnë Shpirtin në shtëpitë e tyre.
Doktrina e Besëlidhje 25:5, 14
Ne duhet të përpiqemi të kemi “shpirtin e butësisë”.
-
Zoti e këshilloi Emën të “vazhdo[nte] në shpirtin e butësisë” (Doktrina e Besëlidhje 25:14; shih edhe vargun 5). Për ta zbuluar çfarë mund të thotë kjo, ju mund të shkruani në tabelë Butësi dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të shkruajnë pranë saj se për çfarë i bën të mendojnë ajo fjalë. Më pas mund të kërkojnë te seksioni 25 fjalë e fraza që e ndiejnë se lidhen me butësinë dhe më pas të tregojnë atë që gjejnë. Merrni parasysh ta lexoni thënien nga Plaku Dejvid A. Bednar te pjesa “Burime Shtesë”. Përse është e rëndësishme të jesh i butë?
Doktrina e Besëlidhje 25:10, 13
Ne duhet të kërkojmë gjërat e një bote më të mirë.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta vënë në jetë këshillën e Zotit për t’i “lë[në] mënjanë gjërat e kësaj bote dhe të kërko[jnë] gjërat e një më të mire” (Doktrina e Besëlidhje 25:10), ju mund t’u kërkoni të renditin shembuj të “gjëra[ve të] kësaj bote” dhe shembuj të “gjëra[ve të] një [bote] më të mir[ë]”. Çfarë këshille mund t’i japim njëri‑tjetrit që të na ndihmojë të përqendrohemi te gjërat e përjetshme? Si lidhet këshilla në vargun 13 me këtë qëllim?
Burime Shtesë
Butësia është fuqi.
Plaku Dejvid A. Bednar shpjegoi: “Cilësia si e Krishtit e zemërbutësisë shpesh keqkuptohet në botën tonë bashkëkohore. Zemërbutësia është e fortë, jo e dobët; vepruese, jo pësuese; e guximshme, jo e ndrojtur; e përmbajtur, jo e tepruar; e thjeshtë, jo vetëmburrëse; dhe e hirshme, jo e pahijshme. Një njeri zemërbutë nuk nxitet lehtë në zemërim, nuk ka pretendime ose nuk është imponues, dhe me gatishmëri i vlerëson arritjet e të tjerëve” (“Zemërbutë dhe të Përulur nga Zemra”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 32).