“22–28 Mars. Doktrina e Besëlidhje 29: ‘Jezu Krishti do t’i Mbledhë Njerëzit e Tij’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“22–28 Mars. Doktrina e Besëlidhje 29”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës
22–28 Mars
Doktrina e Besëlidhje 29
Jezu Krishti do t’i Mbledhë Njerëzit e Tij
Mënyra më e rëndësishme për t’u përgatitur që të jepni mësim nga Doktrina e Besëlidhje 29 është ta studioni atë me lutje dhe të kërkoni udhëzimin e Shpirtit. Merrni parasysh mënyra të tjera për ta ftuar Shpirtin në jetën tuaj, të tilla si agjërimi, marrja pjesë në tempull ose shërbimi ndaj të tjerëve.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Te Doktrina e Besëlidhje 29:5 Zoti u tha shenjtorëve: “Gëzohuni në zemrat tuaja e ngazëllehuni”. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë diçka që e mësuan gjatë studimit të tyre vetjak ose familjar, që i bën të “gëzoh[en] në zemrat [e tyre] e [të] ngazëlleh[en]”.
Jepeni Mësim Doktrinën
Ati Qiellor përgatiti një plan për ekzaltimin tonë.
-
Një mënyrë për ta nxitur të mësuarin në shtëpi është të ndërtoni mbi veprimtaritë që gjenden në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Për shembull, ju mund të renditni në tabelë pjesë të planit të shpëtimit, të tilla si jeta para lindjes, Krijimi, Shlyerja e Jezu Krishtit e kështu me radhë. Anëtarët e klasës mund të tregojnë atë që mësojnë nga Doktrina e Besëlidhje 29 rreth këtyre pjesëve të planit. Mund t’i bëni edhe të tregojnë se çfarë mund t’i mësojnë nga ky seksion dikujt që nuk di rreth planit të Perëndisë.
Doktrina e Besëlidhje 29:1–8, 14–21
Jezu Krishti do t’i mbledhë njerëzit e Tij përpara Ardhjes së Tij të Dytë.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të kuptojnë përse Jezu Krishti i mbledh njerëzit e Tij, ju mund t’i ftoni të lexojnë vargjet 1–8 dhe të diskutojnë pyetje rreth mbledhjes, të tilla si: Në ç’mënyrë e kemi përjetuar Krishtin duke na mbledhur dhe duke na mbrojtur, si një klloçkë i mbledh dhe i mbron zogjtë e saj? Si mblidhemi te Shpëtimtari? (Shih, për shembull, vargun 2.) Anëtarët e klasës mund të tregojnë se si janë bekuar nga mbledhja dhe adhurimi me anëtarë të tjerë të Kishës.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të mendojnë rreth përgjegjësisë së tyre për ta ndihmuar Atin Qiellor që të mbledhë fëmijët e Tij, ju mund të lexoni fjalët e Presidentit Rasëll M. Nelson te pjesa “Burime Shtesë”. Ose mund të shfaqni materialin filmik “A Witness of God” [“Një Dëshmi për Perëndinë”] (ChurchofJesusChrist.org). Çfarë mësojmë për mbledhjen nga këto mesazhe? Si e përforcojnë këto fjalë atë që Zoti thotë te Doktrina e Besëlidhje 29:1–8?
-
Disa nga ngjarjet e ditëve të mëvonshme të përshkruara te Doktrina e Besëlidhje 29:14–21 mund të jenë shqetësuese për anëtarët e klasës. Lejojini të tregojnë se si ndihen. Përse na paralajmëron Zoti rreth këtyre ngjarjeve? Çfarë të vërtetash siguruese mësojmë rreth Shpëtimtarit dhe mbledhjes nga vargjet 1–8? Si na ndihmon mbledhja që t’i presim këto ngjarje me besim dhe jo me frikë? Si pjesë e këtij diskutimi ju mund të këndoni një himn rreth mbledhjes, të tillë si “Izrael, Per’ndia po Th’rret” (Himne, nr. 7) dhe të diskutoni për atë që na mëson himni rreth mbledhjes së Izraelit.
Doktrina e Besëlidhje 29:34–35
Çdo urdhërim i Zotit është shpirtëror.
-
Edhe pse disa urdhërime mund të duken materiale, të gjitha urdhërimet janë shpirtërore për Zotin. Për ta kuptuar këtë të vërtetë, anëtarët e klasës mund të lexojnë së bashku vargjet 34–35 dhe të renditin disa urdhërime në tabelë, së bashku me parimet shpirtërore dhe bekimet që lidhen me secilin prej tyre. Ata mund të tregojnë shembuj nga jeta e tyre ose nga shkrimet e shenjta që i kanë ndihmuar të kuptojnë natyrën shpirtërore të urdhërimeve të Perëndisë. Si ndikon kjo veprimtari te mënyra se si ne i shohim urdhërimet?
Burime Shtesë
Pjesëmarrja në mbledhjen e Izraelit.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Këto me siguri janë ditët e mëvonshme dhe Zoti po e përshpejton punën e Tij që Izraeli të mblidhet. Ajo mbledhje është gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot. Asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga rëndësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhështia. Dhe nëse e zgjidhni, nëse e dëshironi, ju mund të jeni një pjesë e madhe e saj. Mund të jeni një pjesë e madhe e diçkaje të madhe, diçkaje të madhërishme, diçkaje madhështore!
Kur flasim për mbledhjen, po themi thjesht këtë të vërtetë themelore: çdonjëri nga fëmijët e Atit tonë Qiellor, në të dyja anët e velit e meriton ta dëgjojë mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Ata e vendosin vetë a dëshirojnë të dinë më shumë. …
Ati ynë Qiellor ka ruajtur shumë nga shpirtrat e Tij më fisnikë – ndoshta, mund të them, skuadrën e Tij më të mirë – për këtë fazë përfundimtare. Ata shpirtra fisnikë – ata lojtarë më të mirë, ata heronj – jeni ju!” (“Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], ChurchofJesusChrist.org.)