Doktrina e Besëlidhje 2021
3–9 Maj. Doktrina e Besëlidhje 46–48: “Kërkoni me Zell Dhuratat Më të Mira”


“3–9 Maj. Doktrina e Besëlidhje 46–48: ‘Kërkoni me Zell Dhuratat Më të Mira’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“3–9 Maj. Doktrina e Besëlidhje 46–48”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021

njerëz të grumbulluar pranë liqenit

Mbledhje në Fushim, nga Worthington Whittredge

3–9 Maj

Doktrina e Besëlidhje 46–48

“Kërkoni me Zell Dhuratat Më të Mira”

Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 46–48, Fryma e Shenjtë mund t’ju dëshmojë për të vërtetat në këto seksione. Mbajtja shënim dhe rishikimi i mbresave mund t’ju ndihmojnë të gjeni mënyra se si t’i ndihmoni anëtarët e klasës të zbulojnë po të njëjtat të vërteta.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Mund të jetë e dobishme që anëtarët e klasës të tregojnë herë pas here se si po shkon studimi i tyre vetjak ose familjar i shkrimeve të shenjta. Për shembull, kur anëtarët e klasës tregojnë një ide rreth diçkaje që ata ose një pjesëtar i familjes e zbuloi gjatë javës, ju mund t’i pyetni se çfarë po bënin gjatë studimit të tyre që i nxiti ato ide.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Doktrina e Besëlidhje 46:1–7

Ne duhet t’i mirëpresim të gjithë njerëzit në Kishën e Jezu Krishtit.

  • Për shumë njerëz, mënyra se si ndihen dhe ajo që ata ndiejnë në mbledhjet e Kishës mund të ndikojnë në mënyrë domethënëse tek aktiviteti i tyre në Kishë. Udhëzimet e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 46:1–7 mund t’i ndihmojnë anëtarët e lagjes suaj që të krijojnë përvoja adhurimi më mirëpritëse dhe më domethënëse për njëri‑tjetrin dhe për vizitorët. Anëtarët e klasës mund t’i kontrollojnë këto vargje, duke kërkuar parime që lidhen me mbledhjet e Kishës dhe ta renditin në tabelë atë që gjejnë. Për secilin zë në listë, klasa mund të diskutojë se si duket ai parim kur ushtrohet.

  • Si mund tʼi ndihmojnë anëtarët e klasës udhëzimet e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 46, që t’i shohin mbledhjet e Kishës si mundësi për ta ndier Frymën e Shenjtë? Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që të kërkojnë te Doktrina e Besëlidhje 46:2 dhe të diskutojnë se kur i kanë parë udhëheqësit dhe mësuesit t’i drejtojnë mbledhjet nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Cili është roli i atyre që marrin pjesë në mbledhje? Merreni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës që të tregojnë për raste kur e ndien se një mbledhje u drejtua dhe pati udhërrëfim nga Fryma e Shenjtë.

  • Ndoshta ju mund t’i ftoni disa anëtarë të klasës që të tregojnë përvojat e tyre kur ata morën pjesë për herë të parë në një mbledhje të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Çfarë i ndihmoi të ndihen të mirëpritur? Çfarë këshille do t’u jepnin anëtarëve të tjerë që të ndihmonin për t’i bërë mbledhjet tona të Kishës më mirëpritëse? Si mund ta vëmë në jetë këshillën e Zotit që gjendet te Doktrina e Besëlidhje 46:1–7? Lërini anëtarët e klasës të ushtrojnë se çfarë do të thoshin nëse do të shihnin një të panjohur duke u futur në godinën kishtare për herë të parë.

  • anëtarë në kishë

    Zoti dha mësim se të gjithë njerëzit janë të mirëpritur në Kishën e Tij.

Doktrina e Besëlidhje 46:7–33

Ati Qiellor jep dhurata shpirtërore për dobinë e fëmijëve të Tij.

  • Shenjtorët e hershëm besonin me vendosmëri në shfaqjet e Frymës së Shenjtë. Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës suaj që ta forcojnë besimin e tyre se këto dhurata mund të shfaqen në jetën tonë sot? Mund ta filloni duke i ftuar anëtarët e klasës që të lexojnë në dyshe ose në grupe të vogla vargjet te Doktrina e Besëlidhje 46:7–33. Vërini të kërkojnë për të paktën pesë dhurata shpirtërore dhe të diskutojnë për mënyra se si i kanë parë ato dhurata të shfaqen në jetën e tyre ose në jetën e dikujt që e njohin – përfshirë njerëzit në klasë. Çfarë gjetën ata që mund t’ia tregojnë klasës për ta forcuar besimin e tyre te këto dhurata?

  • Zoti shpalli se dhuratat e Shpirtit janë për dobinë e atyre që janë besnikë dhe nuk janë “për një shenjë” (vargu 9). Ndoshta anëtarët e klasës mund të diskutojnë se si dhuratat shpirtërore janë për dobinë e besnikëve. Si mund t’i ndihmojnë këto dhurata ata që dëshirojnë të fitojnë ose ta forcojnë dëshminë e tyre për ungjillin?

  • Disa njerëz e duan Perëndinë dhe përpiqen t’i zbatojnë urdhërimet e Tij, por nuk e ndiejnë se kanë përjetuar ndonjë nga dhuratat e Shpirtit. Si mund të ndihmojë këshilla te Doktrina e Besëlidhje 46:7–33?

Doktrina e Besëlidhje 47

Fryma e Shenjtë mund të na drejtojë ndërkohë që i përmbushim thirrjet tona.

  • Shumë njerëz mund të kenë të njëjtat ndjenja me ato që ndjeu Xhon Uitmeri kur dëshironte të sigurohej sërish se thirrja e tij erdhi nga Perëndia. Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja të ngjashme që i kanë pasur. Çfarë gjejmë te Doktrina e Besëlidhje 47 që mund t’i ketë dhënë Xhon Uitmerit vetëbesim për detyrën që iu caktua atij?

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Roli juaj si mësues. Mësimdhënia është më tepër sesa paraqitja e informacionit që keni përgatitur. Mes gjërave të tjera, ajo përfshin krijimin e një mjedisi ku anëtarët e klasës mund të mësojnë dhe zbulojnë të vërteta për veten e tyre dhe t’ua tregojnë të tjerëve atë që kanë mësuar. Për shembull, gjatë gjithë mësimit, pyetini anëtarët e klasës rreth përvojave të tyre lidhur me studimin e shkrimeve të shenjta në shtëpi.