“21–27 Qershor. Doktrina e Besëlidhje 67–70: ‘Vlerë … sa Pasuritë e Gjithë Tokës’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“21–27 Qershor. Doktrina e Besëlidhje 67–70”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës
21–27 Qershor
Doktrina e Besëlidhje 67–70
“Vlerë … sa Pasuritë e Gjithë Tokës”
Të përgatiteni për të dhënë mësim do të thotë më shumë se të mendoni rreth asaj që do të thoni dhe bëni si mësues. Duhet të përfshijë gjithashtu marrjen parasysh se çfarë mund të bëjnë ata të cilëve u jepni mësim, që t’i japin mësim njëri‑tjetrit. Si do t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë përvoja ose ide që i kanë pasur gjatë leximit të këtyre shkrimeve të shenjta?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ju mund të shkruani në tabelë: Këtë javë Zoti më mësoi … dhe t’i ftoni anëtarët e klasës që ta mbarojnë fjalinë me diçka që e mësuan.
Jepeni Mësim Doktrinën
Zbulesat e dhëna nëpërmjet Jozef Smithit janë të vërteta dhe vijnë nga Perëndia.
-
Të kuptuarit e sfondit historik te Doktrina e Besëlidhje 67 mund të jetë i dobishëm për një diskutim të këtij seksioni. Ndoshta një anëtar i klasës mund t’i përmbledhë rrethanat që çuan drejt kësaj zbulese (shih Doktrina e Besëlidhje 67, kreu i seksionit; Saints [Shenjtorët], 1:140–143). Po të kishim qenë të pranishëm në mbledhjen ku u diskutua botimi i zbulesave, çfarë arsyesh mund të jepnim në favor të idesë? Çfarë mund t’iu thoshim njerëzve që ishin të shqetësuar për papërsosuritë në gjuhën e përdorur nga Jozef Smithi? Çfarë na mëson seksioni 67 rreth profetëve dhe zbulesës? Anëtarët e klasës gjithashtu mund të tregojnë se si ata kanë arritur të dinë vetë se këto zbulesa janë të vërteta.
Fjalët e frymëzuara të shërbëtorëve të Zotit janë fjalët e Zotit.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të diskutojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 68:1–6, ju mund t’i ftoni ata që t’i lexojnë këto vargje në grupe të vogla dhe t’i tregojnë njëri‑tjetrit të vërtetat që mësojnë nga mësimet e shërbëtorëve të Zotit. Ftojini grupet që t’i tregojnë njëri‑tjetrit se si e dinë që parimet e dhëna mësim në vargun 4 janë të vërteta. Anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja kur ata folën ose dhanë mësim ashtu siç u “nxit[ë]n nga Fryma e Shenjtë” (vargu 3) dhe se si Zoti ishte me ta dhe qëndroi përkrah tyre (shih vargun 6).
-
Nëse do të doni të diskutoni se si këto vargje gjejnë zbatim te mësimet e shërbëtorëve të Zotit në konferencën e përgjithshme, thënia e Plakut Xhefri R. Holland te pjesa “Burime Shtesë” mund të jetë e dobishme. Anëtarët e klasës mund të tregojnë gjithashtu mesazhe nga konferenca e kohës së fundit, që e forcuan besimin e tyre te doktrina që gjendet në këto vargje.
Doktrina e Besëlidhje 68:25–31
Prindërit kanë përgjegjësi t’i mësojnë fëmijët e tyre.
-
A ka në klasën tuaj prindër – ose prindër të ardhshëm? Ndoshta ata mund të përfitojnë po të flitet për këshillën që Zoti u dha prindërve te seksioni 68. Për shembull, ndoshta disa prindër në klasë mund të zgjedhin një parim nga vargjet 25–28 dhe të flasin rreth mënyrës se si ata përpiqen t’ua mësojnë këto gjëra fëmijëve të tyre (vargjet 29–31 kanë gjithashtu disa parime të rëndësishme). Ose anëtarët e klasës mund të flasin për mënyrën se si prindërit e tyre ua kanë mësuar parimet e ungjillit.
Pse është shtëpia vendi më i mirë ku fëmijët ta mësojnë ungjillin? Çfarë do t’u thoshit prindërve që ndihen të papërshtatshëm ose të mbingarkuar nga detyra për t’i mësuar fëmijët e tyre?
Ne jemi të përgjegjshëm për zbulesat që na ka dhënë Zoti.
-
Zoti u dha vëllezërve të caktuar kujdestari mbi zbulesat që t’i çonin ato në Misuri dhe të mbikëqyrnin botimin e tyre. Në çfarë kuptimi mund ta shohim veten si kujdestarë mbi zbulesat? Çfarë mësimesh të tjera nga ky seksion rreth kujdestarisë mund të gjejnë zbatim për ne?
Burime Shtesë
Perëndia na flet neve sot.
Plaku Xhefri R. Holland tregoi se si parimi i dhënë mësim te Doktrina e Besëlidhje 68:4 gjen zbatim për konferencën e përgjithshme: “Ju kërkoj të mendoni në ditët e mëtejshme, jo vetëm mbi mesazhet që keni dëgjuar, por gjithashtu mbi fenomenin unik që është në vetvete konferenca e përgjithshme – atë që ne, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, besojmë se janë konferenca të tilla dhe atë që ne e ftojmë botën të dëgjojë e të vëzhgojë për to. Ne i dëshmojmë çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli se Perëndia jo vetëm që jeton por se gjithashtu Ai flet, se për kohën tonë dhe në ditën tonë, këshilla që ju keni dëgjuar është, nën drejtimin e Frymës së Shenjtë, ‘vullneti i Zotit, … fjala e Zotit, … zëri i Zotit dhe fuqia e Perëndisë për shpëtim’ [Doktrina e Besëlidhje 68:4]” (“Një Flamur për Kombet”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 111).