“19–25 Korrik. Doktrina e Besëlidhje 81–83: Atje Ku ‘Shumë … Është Dhënë, Shumë … Kërkohet’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“19–25 Korrik. Doktrina e Besëlidhje 81–83”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021
19–25 Korrik
Doktrina e Besëlidhje 81–83
Atje Ku “Shumë … Është Dhënë, Shumë … Kërkohet”
Mbani mend që anëtarët e klasës suaj po përjetojnë përvoja shpirtërore ndërsa studiojnë shkrimet e shenjta në shtëpi. Me lutje merreni parasysh se si ju mund t’i nxitni që të tregojnë përvojat e tyre për ta lartësuar njëri‑tjetrin.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini anëtarët e klasës të zgjedhin një frazë nga secili prej seksioneve vijuese që do të përbënte një titull të mirë për atë seksion: Doktrina e Besëlidhje 81, 82 dhe 83. Përse i zgjodhën këta tituj?
Jepeni Mësim Doktrinën
Doktrina e Besëlidhje 81:5; 82:18–19
Secili prej nesh duhet të kërkojë “interesin e të afërmit” të vet.
-
Përvijimi i mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet sugjeron pyetje për të përsiatur rreth vargut te Doktrina e Besëlidhje 81:5. Këto gjithashtu mund të përdoren si pyetje të mira për diskutim në klasën tuaj. Gjithashtu merrni parasysh të tregoni një përvojë vetjake kur u ndiet “[i] dobët” në ndonjë mënyrë dhe shërbimi i dikujt ju lartësoi ose forcoi. Anëtarët e klasës mund të kenë vetë përvoja të ngjashme për të treguar. Ju gjithashtu mund të shikoni materialin filmik “Works of God” [“Veprat e Perëndisë”] (ChurchofJesusChrist.org) që t’i frymëzoni anëtarët e klasës për t’i shërbyer njëri‑tjetrit. Ju mund të lexoni edhe thënien e Presidentit M. Rasëll Ballard te pjesa “Burime Shtesë”.
-
Merreni parasysh t’u kërkoni anëtarëve të klasës të studiojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 82:18–19, duke kërkuar parimet që i ndihmojnë të kuptojnë qëllimet dhe bekimet e shërbimit ndaj të tjerëve. Më pas lërini të tregojnë atë që mësojnë. Ju gjithashtu mund të shfaqni materialin filmik “Teachings of Thomas S. Monson: Rescuing Those in Need” [“Mësimet e Tomas S. Monsonit: Shpëtimi i Njerëzve në Nevojë”] (ChurchofJesusChrist.org). Si janë anëtarët e lagjes së Peshkopit Monson shembuj të asaj që jepet mësim te vargjet 18–19?
“Unë, Zoti, lidhem kur ju bëni çfarë ju them.”
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta kuptojnë marrëdhënien ndërmjet bindjes sonë të vullnetshme dhe bekimeve të premtuara nga Perëndia, ju mund të lexoni te Doktrina e Besëlidhje 1:37–38; 82:10; 130:20–21 së bashku ose në grupe të vogla. Çfarë na mësojnë këto shkrime të shenjta rreth Zotit? Ndoshta anëtarët e klasës mund të renditin fjalët që e përshkruajnë karakterin e Tij, nisur nga këto vargje.
-
Pasi të lexojnë vargun 10, anëtarët e klasës mund të flasin rreth asaj që Zoti na ka premtuar dhe mënyrës se si Zoti i ka mbajtur premtimet e Tij. Historia e treguar nga Motra Virxhinia H. Pirs që gjendet te pjesa “Burime Shtesë” mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës të kuptojnë se Zoti na bekon në përputhje me vetë urtësinë e Tij, jo gjithmonë në mënyrën që e duam apo e presim.
-
Çfarë mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 82:8–10 rreth arsyes përse Ati Qiellor na jep urdhërime? Ndoshta anëtarët e klasës mund të gjejnë ide në këto vargje që t’i përdorin për të ndihmuar një mik/e ose një fëmijë që mendon se urdhërimet janë kufizuese (shikoni edhe materialin filmik “Blessed and Happy Are Those Who Keep the Commandments of God” [“Të Bekuar dhe të Lumtur Janë Ata që i Zbatojnë Urdhërimet e Perëndisë”] ChurchofJesusChrist.org). Ose ata mund të tregojnë përvoja që u kanë mësuar t’i shohin urdhërimet si bekime.
Burime Shtesë
Feja e pastër.
Presidenti M. Rasëll Ballard dha mësim:
“Në dishepullimin tonë ne kemi shumë kërkesa, shqetësime dhe detyra. Gjithsesi, disa veprimtari duhet të jenë gjithmonë në thelbin e anëtarësisë sonë në Kishë. ‘Prandaj’, urdhëroi Zoti, ‘ji besnik; qëndro në detyrën që të kam caktuar; ndihmo të dobëtit, ngri duart që varen poshtë dhe forco gjunjët e këputur’ [Doktrina e Besëlidhje 81:5; theksimi i shtuar].
Kjo është Kisha në veprim! Kjo është feja e pastër! Ky është ungjilli në kuptimin e tij të vërtetë kur ne ndihmojmë, ngremë dhe forcojmë ata që kanë nevoja shpirtërore dhe materiale! Bërja e kësaj gjëje na kërkon që t’i vizitojmë dhe t’i ndihmojmë ata [shih Jakob (Bibël) 1:27], që dëshmitë e tyre për besimin tek Ati Qiellor, Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij të nguliten në mënyrë të palëkundshme në zemrat e tyre” (“Dhurata të Çmuara nga Perëndia”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 11).
Zoti na bekon sipas vetë mënyrave të Tij të mrekullueshme.
Motra Virxhinia H. Pirs, ish‑anëtare e Presidencës së Përgjithshme të Të Rejave, tregoi rreth një gruaje e cila shqetësohej për fëmijët e saj që ishin larguar nga ungjilli. Ajo caktoi një synim ambicioz që ta shtonte frekuentimin në tempull dhe u ndie e sigurt se Zoti do ta nderonte këtë sakrificë domethënëse duke i ndryshuar zemrat e fëmijëve të saj. Gruaja raportoi:
“Pas dhjetë vitesh frekuentimi të shtuar të tempullit dhe lutjeje të vazhdueshme, më vjen keq të them se zgjedhjet e fëmijëve të mi nuk kanë ndryshuar. …
Por unë kam ndryshuar. Unë jam një grua e ndryshme. … Kam hequr dorë nga kufizimet që kam vendosur për kohën time dhe jam në gjendje të kem besim të madh te Zoti. … Pritshmëritë e mia kanë ndryshuar. Në vend që të pres që të ndryshojnë fëmijët e mi, unë pres për këto mëshira të dhembshura, të shpeshta dhe jam plot mirënjohje për to. … Zoti vepron në mënyra të mahnitshme dhe unë vërtet jam e mbushur me paqen që ia tejkalon çdo zgjuarsie” (në “Prayer: A Small and Simple Thing”, At the Pulpit [2017], f. 288–289).