“26 Korrik – 1 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 84: ‘Fuqia e Perëndishmërisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“26 Korrik – 1 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 84”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021
26 Korrik – 1 Gusht
Doktrina e Besëlidhje 84
“Fuqia e Perëndishmërisë”
Çfarë do të bëni që t’i ftoni anëtarët e klasës ta tregojnë atë që mësuan teksa studionin te Doktrina e Besëlidhje 84?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini anëtarët e klasës që t’i tregojnë një anëtari tjetër të klasës një të vërtetë që e gjetën te seksioni 84, e cila i frymëzoi ose i ndihmoi ta kuptojnë më mirë priftërinë e Perëndisë. Më pas ftojini disa veta që t’i tregojnë klasës.
Jepeni Mësim Doktrinën
Doktrina e Besëlidhje 84:1–5, 17–28, 31–42
Ne të gjithë kemi të drejtën e përdorimit të fuqisë dhe bekimeve të priftërisë së Perëndisë.
-
Zoti e fillon këtë “zbulesë për priftërinë” (Doktrina e Besëlidhje 84, kreu i seksionit) duke dhënë mësim se një tempull do të ndërtohet në Sion (shih vargjet 1–5). Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës ta kuptojnë marrëdhënien midis qëllimeve të shenjta të tempujve dhe priftërisë? Ju mund ta filloni duke shkruar një pyetje në tabelë, të tillë si Cilat janë qëllimet e priftërisë? Dhe më pas ftojini anëtarët e klasës të kërkojnë përgjigje te Doktrina e Besëlidhje 84:17–28, 31–42. Si ndihmojnë tempujt dhe ordinancat e tempullit për t’i përmbushur këto qëllime?
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta kuptojnë fuqinë që priftëria mund të ketë në jetën e tyre, ju mund t’i ftoni të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 84:17–28 dhe të marrin parasysh se si jeta e tyre do të ishte e ndryshme pa priftërinë e Perëndisë. Nxitini të tregojnë arsyet përse janë mirënjohës për priftërinë, së bashku me përvoja që i kanë pasur me fuqinë e priftërisë – në familjet, thirrjet ose jetën e tyre vetjake. Si mund ta fitojmë të drejtën për të përdorur fuqinë e priftërisë?
-
Betimi dhe besëlidhja e priftërisë (shih Doktrina e Besëlidhje 84:31–42) kanë zbatim të veçantë për ata që janë të shuguruar në një detyrë të priftërisë. Por shumë nga bekimet e premtuara në këto vargje janë në dispozicion për të gjithë. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të kuptojnë se si këto premtime gjejnë zbatim për ta, ju mund t’i ftoni të lexojnë vargjet 33–42 dhe të flasin rreth mënyrave se si mund t’i “pranojnë” priftërinë (vargu 35), shërbëtorët e Zotit dhe Zotin. Ata gjithashtu mund të lexojnë thëniet te pjesa “Burime Shtesë” që të gjejnë se çfarë na nevojitet të bëjmë për t’i marrë bekimet e priftërisë. Ju mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës të mendojnë rreth asaj që mund të përfshihet në “gjithçka që Ati … ka” (vargu 38), të tilla si tiparet e Tij dhe llojin e jetës që Ai e gëzon. Ç’gjë tjetër ju bën përshtypje nga këto vargje dhe thënie?
Doktrina e Besëlidhje 84:61–88
Zoti do t’i mbështetë ata që i shërbejnë Atij.
-
Ndërkohë që këto vargje u drejtohen atyre që “do të shkoj[n]ë e do të predikoj[n]ë këtë ungjill të mbretërisë” (vargu 80), shumë parime që ato përmbajnë, mund të gjejnë zbatim për këdo që po i shërben Perëndisë. Ju mund t’i jepni çdo anëtari të klasës një pjesë për ta lexuar nga Doktrina e Besëlidhje 84:61–88 dhe t’u kërkoni atyre që t’i tregojnë një anëtari tjetër të klasës atë që mësuan, e cila mund të gjejë zbatim për këdo që i shërben Zotit. Anëtarët e klasës mund të zgjedhin një varg ose një grup vargjesh të parapëlqyera që t’i mësojnë përmendsh ose t’i vënë atje ku mund t’i shohin çdo ditë. Për cilat premtime janë ata më entuziastët? Çfarë do të tregojmë nga këto vargje që t’i frymëzojmë misionarët e tanishëm kohëplotë ose ata që po përgatiten për të shërbyer?
Burime Shtesë
Të gjithë mund të marrin gjithçka që Ati ka.
Presidenti M. Rasëll Ballard dha mësim: “Të gjithë ata që kanë bërë besëlidhje të shenjta me Zotin dhe që i respektojnë ato besëlidhje, kanë të drejtë të marrin zbulesë vetjake, të bekohen nga shërbesa e engjëjve, të bisedojnë me Perëndinë, të marrin plotësinë e ungjillit dhe përfundimisht të bëhen trashëgimtarë përkrah Jezu Krishtit, të gjithçkaje që ka Ati ynë” (“Men and Women and Priesthood Power”, Ensign, shtator 2014, f. 32).
Presidenca e parë e Shoqatës së Ndihmës të Kunjit të Solt‑Lejkut shkroi në vitin 1878: “Ne ndihemi vërtet mirënjohëse që nëpërmjet bekimit të Atit tonë Qiellor, ne, shërbëtoret e Tija thirremi që të jemi bashkëpunëtore me vëllezërit tanë për të ngritur mbretërinë e Perëndisë në tokë, për të ndihmuar në ndërtimin e Tempujve, brenda të cilëve ne mund të marrim bekime për kohën dhe përjetësinë. Në të gjitha ordinancat e marra në Shtëpinë e Zotit, gruaja qëndron përkrah burrit, si për të gjallët edhe për të vdekurit, duke treguar se burri nuk është pa gruan dhe as gruaja nuk është pa burrin në Zotin” (Mary Isabella Horne, Elmina S. Taylor dhe Serepta M. Heywood, “To the Presidents and Members of the Relief Society of Salt Lake Stake of Zion, Greeting!” Woman’s Exponent,15 janar 1878, f. 123).