“16–22 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 89–92: ‘Një Parim me Premtim’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“16–22 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 89–92”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës
16–22 Gusht
Doktrina e Besëlidhje 89–92
“Një Parim me Premtim”
Ndërsa përgatiteni të jepni mësim, merrni parasysh parimet që ju dolën në pah teksa studiuat seksionet 89–92 këtë javë.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Këtu janë disa pyetje që mund t’i përdorni për t’i nxitur anëtarët e klasës që të tregojnë diçka nga studimi i tyre i shkrimeve të shenjta: Çfarë lexuat këtë javë që e forcoi besimin tuaj te Jezu Krishti? Te thirrja profetike e Jozef Smithit? Çfarë lexuat që ju ndihmoi ta kuptoni më mirë planin e Atit Qiellor për fëmijët e Tij?
Jepeni Mësim Doktrinën
Fjala e Urtësisë është një “parim me premtim”.
-
Shumë njerëz mund ta shohin Fjalën e Urtësisë thjesht si një listë të gjërave që duhet të “bëni” dhe të “mos bëni”. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të përsiatin parimet që qëndrojnë në themel të këtij udhëzimi, ftojini të kërkojnë te Doktrina e Besëlidhje 89 duke pasur pyetje si ato që vijojnë në mendje: Përse na e dha Zoti Fjalën e Urtësisë? Çfarë na mëson kjo zbulesë rreth Atit Qiellor dhe planit të Tij për ne? Thëniet te pjesa “Burime Shtesë” mund të ndihmojnë. Nëse e ndjeni se do të jetë e dobishme për anëtarët e klasës, ju mund t’i ftoni që të renditin në tabelë praktikat e shëndetshme dhe të dëmshme që Zoti i përcaktoi te Doktrina e Besëlidhje 89:5–17. Më pas ata mund të shqyrtojnë “Shëndeti Fizik dhe Emocional” te broshura Për Forcën e Rinisë (f. 25–27) dhe t’u shtojnë listave të tyre gjëra të tjera që i gjejnë. Si janë përmbushur në jetën tonë premtimet te vargjet 18–21?
-
Këtu është një mënyrë tjetër që t’i ndihmoni anëtarët e klasës të diskutojnë parimet që gjenden te Fjala e Urtësisë. Mund ta ndani klasën në tri grupe dhe t’i kërkoni secilit grup të lexojë seksionin 89, duke kërkuar përgjigje për njërën nga pyetjet vijuese: Çfarë parimesh mund t’i japin kurajë dikujt që po has vështirësi për t’iu bindur Fjalës së Urtësisë? Cilat parime mund të na ndihmojnë që të mos jemi gjykues ndaj atyre që po hasin vështirësi për t’iu bindur asaj? Cilat parime mund të na ngushëllojnë kur kemi probleme shëndetësore pavarësisht se e jetojmë Fjalën e Urtësisë? Si pjesë e kësaj veprimtarie, ju mund të lexoni përvojën e Presidentit Diter F. Uhtdorf gjatë ushtrimit për t’u bërë pilot luftarak (shih “Vazhdoni me Durim”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 58). Nxitini anëtarët e klasës të mendojnë për diçka që ndien mbresë ta bënin gjatë diskutimit dhe jepuni atyre kohë që t’i shkruajnë mbresat e tyre.
Presidenca e Parë mban “çelësat e mbretërisë”.
-
Përvijimi i mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet sugjeron që anëtarët të kërkojnë te Doktrina e Besëlidhje 90:1–17 që të mësojnë për Presidencën e Parë. Mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të tregojnë atë që mësuan në shtëpi nga kjo veprimtari ose ju mund t’i shqyrtoni këto vargje si klasë. Anëtarët e klasës mund të gjejnë gjithashtu fraza te himni “Eja, Zën’ e Profetit D’gjo” (Himne, nr. 15) ose te një këngë tjetër rreth profetëve, të cilat lidhen me mësimet e dhëna në këto vargje. Si ju ka ndihmuar shërbimi i dhënë nga Presidenca e Parë që t’i njihni Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
“Shpirti e manifeston të vërtetën.”
-
Në botë sot, ne jemi të ekspozuar ndaj mesazheve që përmbajnë “shumë gjëra … të cilat janë të vërteta” dhe “shumë gjëra … që nuk janë të vërteta” (vargjet 1–2). Ftojini anëtarët e klasës të shohin te seksioni 91 për këshillën rreth Apokrifës, e cila mund t’i ndihmojë që ta dallojnë të vërtetën në mesazhet që hasin. Çfarë shembujsh mund të tregojnë ata për mënyrën se si Shpirti i ka ndihmuar ta dallojnë të vërtetën?
Burime Shtesë
Fjala e Urtësisë.
Presidenti Bojd K. Paker dha mësim:
“Fjala e Urtësisë u ‘dh[a] për një parim me premtim’ [Doktrina e Besëlidhje 89:3]. Ajo fjalë parim në këtë zbulesë është një fjalë shumë e rëndësishme. Një parim është një e vërtetë jetëgjatë, një ligj, një rregull që mund ta përvetësoni për t’ju udhërrëfyer në marrjen e vendimeve. Në përgjithësi parimet nuk shkruhen me hollësi. Kjo gjë ju lë të lirë të gjeni udhën tuaj me një të vërtetë jetëgjatë, një parim, si spirancën tuaj.
Anëtarët shkruajnë duke na pyetur nëse kjo gjë apo ajo gjë është kundër Fjalës së Urtësisë. Dihet mirë që çaji, kafeja, pijet alkoolike dhe duhani janë kundër saj. Ajo nuk është shkruar më me hollësi. Në vend të kësaj, ne e japim mësim parimin së bashku me bekimet e premtuara. Ka shumë gjëra që krijojnë varësi e që formojnë zakone, të cilat dikush mund t’i pijë ose përtypë apo t’i thithë me frymëmarrje, apo t’i marrë me injektim, të cilat e dëmtojnë si trupin ashtu edhe shpirtin, që nuk përmenden te zbulesa. …
Nderojeni parimin e Fjalës së Urtësisë dhe ju do t’i merrni bekimet e premtuara” (“The Word of Wisdom: The Principle and the Promises”, Ensign, maj 1996, f. 17–18).