“9–15 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 88: ‘Ngrini … një Shtëpi të Perëndisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“9–15 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 88”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021
9–15 Gusht
Doktrina e Besëlidhje 88
“Ngrini … një Shtëpi të Perëndisë”
Si mësues i ungjillit, ju keni përgjegjësinë për t’i ndihmuar pjesëtarët e klasës suaj që t’i “mëso[jnë] njëri‑tjetrit doktrinën e mbretërisë” dhe “fjalë urtësie” (Doktrina e Besëlidhje 88:77, 118). Përveçse të tregoni gjëra që frymëzoheni t’i jepni mësim nga Doktrina e Besëlidhje 88, nxitini anëtarët e klasës që t’i mësojnë njëri‑tjetrit gjërat që kanë mësuar vetë.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Nganjëherë një figurë mund të nxitë të treguarit. Ju mund të tregoni një figurë të një dege ulliri (ose vizatoni një në tabelë) dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë vargje nga Doktrina e Besëlidhje 88, që i ndihmojnë të kuptojnë përse Jozef Smithi mund ta ketë quajtur këtë zbulesë “‘gjethja e ullirit’ … , mesazhi i paqes i Zotit për ne” (kreu i seksionit).
Jepeni Mësim Doktrinën
Drita dhe ligji vijnë nga Jezu Krishti.
-
Për ta ndihmuar klasën të kuptojë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 88:6–50, ju mund të shkruani dritë dhe ligj në tabelë dhe ta ndani klasën në dy grupe. Një grup mund të shqyrtojë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 88:6–13, 40–50, duke kërkuar në këto vargje gjëra që i mësojnë rreth Jezu Krishtit nga referencat për dritën. Grupi tjetër mund të hetojë vargjet 13–26, 34–42, duke kërkuar atë që mësojnë rreth rëndësisë së ndjekjes së ligjit të Tij. Çfarë na mësojnë për Shpëtimtarin të vërtetat rreth dritës dhe ligjit te seksioni 88? Si na frymëzojnë të bëhemi më shumë si Ai?
Doktrina e Besëlidhje 88:62–76, 119–126
Ne mund të bëhemi të pastër nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.
-
Urdhri i Zotit “shenjtërojeni veten tuaj” shfaqet dy herë në seksionin 88 (vargjet 68, 74). Nëse ndiheni të frymëzuar të diskutoni se çfarë do të thotë ajo frazë, ju mund të filloni duke shqyrtuar së bashku përkufizimet e fjalës shenjtëroj ose duke rishikuar disa nga fragmentet e renditura nën titullin “Shenjtërim” në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Ju gjithashtu mund t’i ftoni anëtarët e klasës të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 88:62–76, 119–126 dhe të diskutojnë për pyetje si këto me një partner: Si bëhemi të shenjtëruar? Cilat premtime nga Zoti i gjejmë në këto vargje? Përse Zoti dëshiron që ne të jemi të pastër? Ata gjithashtu mund të gjejnë përgjigje ndaj këtyre pyetjeve në mesazhin e Presidentit Dallin H. Ouks “Të Pastruar nëpërmjet Pendimit” (Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 91–94; shih edhe “Burime Shtesë”).
Doktrina e Besëlidhje 88:77–78, 118–126
Zoti do që ne të kërkojmë të mësojmë me anë të studimit dhe me anë të besimit.
-
Këshilla që dha Zoti për të ndihmuar me ngritjen e “shkollë[s së] profetëve” në Kirtland (vargu 137) mund ta ndihmojë klasën tuaj në përpjekjet tuaja që “t’ia mësoni njëri-tjetrit doktrinën e mbretërisë” (vargu 77). Ndoshta ju mund të shqyrtoni vargjet 77–78 e 118–126 dhe të diskutoni se si ta bëni klasën tuaj një “shtëpi mësimi” (vargu 119). Anëtarët e klasës mund të shkruajnë disa “rregulla për klasën” ose parime nisur nga këto vargje që do ta udhëzojnë të mësuarit tuaj në klasë. Ju gjithashtu mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të tregojnë se si po përpiqen t’i zbatojnë këto parime teksa “kërko[jnë] të mëso[jnë]” (vargu 118).
Tempulli është shtëpia e Perëndisë.
-
Nëse është e mundur, paraqitni në tabelë një figurë të tempullit më të afërt dhe ftojeni klasën të shkruajë pranë saj fjalë nga vargu 119 të përdorura për të përshkruar shtëpinë e Zotit. Ftojini të flasin për përvoja që tregojnë se si tempulli i përshtatet secilit përshkrim. Gjithashtu mund të diskutoni se si ky varg mund ta udhërrëfejë jetën tonë.
Burime Shtesë
Të pastruar nëpërmjet pendimit.
Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim:
“Pendimi fillon me Shpëtimtarin tonë dhe ai është një gëzim, jo një barrë. …
Që të pastrohemi nëpërmjet pendimit, ne duhet t’i braktisim mëkatet tona dhe t’ia rrëfejmë ato Zotit dhe gjykatësve të Tij tokësorë, aty ku kërkohet (shih Doktrina e Besëlidhje 58:43). Alma dha mësim se ne gjithashtu duhet të ‘s[jellim] vepra drejtësie’ (Alma 5:35). E gjitha kjo është pjesë e ftesës së vazhdueshme nga shkrimi i shenjtë që të vijmë te Krishti.
Ne kemi nevojë ta marrim sakramentin çdo ditë Shabati. Në atë ordinancë ne bëjmë besëlidhje dhe marrim bekime që na ndihmojnë t’i mposhtim të gjitha veprimet dhe dëshirat që na pengojnë nga përkryerja që Shpëtimtari ynë na fton ta arrijmë (shih Mateu 5:48; 3 Nefi 12:48). Kur ‘i moho[jmë] vetes çdo ligësi dhe [e] d[uam] Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën t[onë]’, atëherë ne mund të ‘[jemi] të përsosur në Krisht’ dhe ‘të shenjtërohe[mi]’ nëpërmjet derdhjes së gjakut të Tij që të ‘bëhe[mi] të shenjtë, pa njollë’ (Moroni 10:32–33). Çfarë premtimi! Çfarë mrekullie! Çfarë bekimi!” (“Të Pastruar nëpërmjet Pendimit”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 92).