“2–8 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 85–87: ‘Qëndroni në Vende të Shenjta’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“2–8 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 85–87”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021
2–8 Gusht
Doktrina e Besëlidhje 85–87
“Qëndroni në Vende të Shenjta”
Mos ndieni detyrim që të diskutoni në Shkollën e së Dielës çdo varg – apo edhe çdo seksion – te Doktrina e Besëlidhje. Lëreni Shpirtin t’ju udhërrëfejë dhe jini reagues ndaj asaj që anëtarët e klasës e gjejnë domethënëse për jetën e tyre.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Anëtarët e klasës mund t’i shohin me të shpejtë seksionet te Doktrina e Besëlidhje 85–87 për një fjalë ose frazë që duket e rëndësishme për ta (ndoshta një që e kanë shenjuar në shkrimet e tyre të shenjta). Kërkojuni t’i shkruajnë fjalët ose frazat e tyre në tabelë dhe zgjidhni disa për t’i diskutuar.
Jepeni Mësim Doktrinën
Shpirti flet me një “zë [të] vogël, [të] qetë”.
-
Te Doktrina e Besëlidhje 85:6, Profeti Jozef Smith përdori gjuhë përshkruese që të tregonte për mënyrën se si Shpirti i kishte folur atij. Çfarë mësojmë për Frymën e Shenjtë prej përshkrimit të tij? Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të mendojnë për raste kur Shpirti u foli atyre – si do ta përshkruanin përvojën e tyre? Ata mund të gjejnë përshkrime shtesë në fragmente të shkrimeve të shenjta si këto: Lluka 24:32; Mosia 5:2; Alma 32:28; Helamani 5:30; Doktrina e Besëlidhje 6:22–23; 11:12–13.
-
A mund të mendoni për një mësim me sende ose një demonstrim që do të ilustronte pëshpëritjet e vogla, të qeta të Shpirtit? Ndoshta mund të luhet me zë të ulët muzikë e shenjtë teksa anëtarët e klasës hyjnë në dhomë. Anëtarët e klasës mund të flasin rreth mënyrës se si muzika i bëri të ndihen dhe sa më e vështirë do të ishte ta dëgjonin atë muzikë nëse do të kishte zhurma shpërqendruese. Kjo mund të çojë drejt një diskutimi për shpërqendrimet në jetën tonë, të cilat nuk na lejojnë ta dëgjojmë zërin e vogël, të qetë. Anëtarët e klasës mund të tregojnë se çfarë bëjnë për ta rritur ndjeshmërinë e tyre ndaj Shpirtit – disa këshilla mund të gjenden te pjesa “Burime Shtesë”.
Të drejtët mblidhen në ditët e fundit.
-
Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës të kuptojnë simbolikën në shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrave: Ju mund të shkruani në shirita të veçantë letre dhe të vendosni në tabelë fraza simbolike nga shëmbëlltyra (të tilla si “mbjellësit e farës”, “egjrat ia marrin frymën grurit”, “gjethja po çel” dhe “mbledhj[a e] grurit” [vargjet 2–4, 7]) dhe interpretime të mundshme (si “Apostujt”, “Braktisja”, “Rivendosja” dhe “puna misionare”). Më pas anëtarët e klasës mund të punojnë së bashku që t’i përputhin simbolet me kuptimin e tyre, duke përdorur atë që mësojnë nga Doktrina e Besëlidhje 86:1–7 (ata mund të lexojnë gjithashtu te Mateu 13:37–43). Përse është e rëndësishme që Zoti ua drejton këtë zbulesë “juve, shërbëtorëve të mi”? (Vargu 1.) Çfarë mesazhesh gjejmë që lidhen me shërbimin tonë ndaj Zotit? (Shih edhe vargun 11.)
Doktrina e Besëlidhje 87:2, 6, 8
Paqe gjendet në “vende të shenjta”.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të kuptojnë nevojën që të “qëndro[jnë] në vende të shenjta”, ju mund ta filloni duke i ftuar të renditin disa prej sfidave me të cilat përballemi në ditët e mëvonshme. Ata mund të gjejnë disa shembuj te Doktrina e Besëlidhje 87:2, 6. Më pas mund të diskutoni se si ftesa e Zotit te vargu 8 mund të ndihmojë për këto sfida. Pyetje si këto mund të ndihmojnë:
Çfarë është domethënëse rreth fjalës “qëndroni” në këtë varg?
Çfarë e bën të shenjtë një vend?
Çfarë gjëje mund ta lëvizë një njeri prej një vendi të shenjtë?
Si mund të sigurohemi që nuk lëvizim?
-
Ndoshta anëtarë të klasës mund të jenë të gatshëm t’i tregojnë njëri‑tjetrit shembuj të tjerë të “vende[ve] të shenjta” dhe çfarë i bën ato vende të shenjta (mund të vini në dukje se një vend i shenjtë mund të jetë më shumë sesa thjesht një vendndodhje fizike). Materiali filmik “Standing in Holy Places” [“Qëndroni në Vende të Shenjta”] (ChurchofJesusChrist.org) mund të japë ide shtesë. Teksa tregojnë, nxitini të flasin rreth arsyes përse ato vende janë të shenjta për ta. Si na ndihmojnë këto vende të shenjta që të gjejmë paqe në mes të rreziqeve të ditëve të mëvonshme?
Burime Shtesë
Gjeni “një kohë qetësie e heshtjeje çdo ditë”.
Motra Viki F. Matsumori, ish‑këshilltare në Presidencën e Përgjithshme të Fillores, dha këtë këshillë: “Meqenëse Shpirti përshkruhet shpesh si zë i vogël e i qetë, është … e rëndësishme të kemi një kohë qetësie edhe në jetën tonë. Zoti na ka këshilluar: ‘Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi’ [Psalmeve 46:10]. Nëse sigurojmë një kohë qetësie e heshtjeje çdo ditë kur nuk na bombardojnë televizori, kompjuteri, lojërat kompjuterike apo pajisjet vetjake elektronike, ne i japim atij zëri të vogël e të qetë një mundësi që të na japë zbulesë vetjake dhe të na pëshpëritë udhëheqje, siguri e ngushëllim të ëmbël” (“Të Ndihmojmë të Tjerët të Njohin Pëshpëritjet e Shpirtit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 11).