“30 Gusht – 5 Shtator. Doktrina e Besëlidhje 94–97: ‘Për Shpëtimin në Sion’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“30 Gusht – 5 Shtator. Doktrina e Besëlidhje 94–97”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021
30 Gusht – 5 Shtator
Doktrina e Besëlidhje 94–97
“Për Shpëtimin në Sion”
Si mund t’i ndihmoni në mënyrën më të mirë anëtarët e klasës që të kenë dëshirë për t’i marrë bekimet e premtuara te Doktrina e Besëlidhje 94–97?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë diçka që e gjetën te Doktrina e Besëlidhje 94–97, e cila i frymëzon të shkojnë në tempull më shpesh. Ose ata mund të tregojnë mesazhe të tjera që i frymëzuan, ndërkohë që i lexonin këto seksione.
Jepeni Mësim Doktrinën
Doktrina e Besëlidhje 95:8; 97:10–17
Në tempull Perëndia e bekon popullin e Tij.
-
Si mund t’i përdorni të vërtetat e dhëna mësim te Doktrina e Besëlidhje 95 e 97 për t’i frymëzuar anëtarët e klasës që t’i kërkojnë bekimet e tempullit më me zell? Një mënyrë është që të vendosni një figurë të tempullit në qendër të tabelës dhe t’i pyetni anëtarët e klasës se përse mendojnë që Zoti i udhëzon shenjtorët e Tij të ndërtojnë tempuj. Anëtarët e klasës mund të kërkojnë disa përgjigje te Doktrina e Besëlidhje 95:8; 97:10–17 dhe të shkruajnë në tabelë atë që gjejnë rreth figurës së tempullit. (Ata mund të gjejnë përgjigje shtesë te “Why Latter‑day Saints Build Temples” [“Përse Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme Ndërtojnë Tempuj”] [temples.ChurchofJesusChrist.org].) Si janë përmbushur këto qëllime në jetën tonë? Si mund ta bëjmë tempullin një pjesë më të rëndësishme të jetës sonë?
-
Kisha siguron burime të shumta që na mësojnë rreth tempujve. Merreni parasysh se si mund t’i përdorni disa prej tyre që ta pasuroni diskutimin e klasës rreth seksioneve te Doktrina e Besëlidhje 95 e 97 dhe se si t’i frymëzoni anëtarët e klasës, që t’i kërkojnë bekimet e tempullit më me zell. Për shembull, përpara orës mësimore ju mund të ftoni disa anëtarë të klasës që të shqyrtojnë burimet tek temples.ChurchofJesusChrist.org ose Temples of The Church of Jesus Christ of Latter‑day Saints [Tempujt e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme] (botim i veçantë tek Ensign, tetor 2010). Kërkojuni këtyre anëtarëve të klasës të vijnë të përgatitur për të treguar diçka që e mësuan, e cila i mbështet mësimet te seksionet 95 e 97.
Nëse i jepni mësim rinisë, ju mund t’i ftoni të lexojnë pjesën “Making the Temple a Part of Your Life” [“Bërja e Tempullit Pjesë e Jetës Suaj”] (te Temples of The Church of Jesus Christ of Latter‑day Saints, f. 77–78) dhe të tregojnë se si e bëjnë tempullin përparësi në jetën e tyre.
Materialet filmike “Two Apostles Lead a Virtual Tour of the Rome Italy Temple” [“Dy Apostuj Udhëheqin një Vizitë Virtuale në Tempullin e Romës në Itali”] dhe “Temples” [“Tempujt”] (ChurchofJesusChrist.org) mund t’i ndihmojnë ata që po përgatiten për të shkuar në tempull.
Ju gjithashtu mund të këndoni së bashku një himn rreth tempujve dhe të diskutoni atë që ai na mëson (shih indeksin e temave te Himne).
Ne mund të pranohemi nga Zoti.
-
Çfarë mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 97:8 se do të thotë të pranohesh nga Zoti? Si është kjo e ndryshme nga mënyrat se si nganjëherë kërkojmë të pranohemi nga bota? Çfarë bekimesh u premtohen te vargu 9 atyre që pranohen nga Zoti? Anëtarët e klasës mund të shqyrtojnë gjithashtu mesazhin e Plakut Erik W. Kopishke “Të Pranohesh nga Zoti” (Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 104–106) dhe të tregojnë se si i ndihmon t’i kuptojnë këto vargje. Thënia te pjesa “Burime Shtesë” përfshin ftesën e Plakut Kopishke për të kërkuar në jetën tonë pranimin nga ana e Zotit.
Doktrina e Besëlidhje 97:18–28
Sioni është “të kulluarit në zemër”.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të mendojnë se çfarë është Sioni, ju mund të shkruani në tabelë Çfarë është Sioni? dhe t’i ftoni të kërkojnë përgjigje te Doktrina e Besëlidhje 97:19 e 21 (shih edhe Moisiu 7:18; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Sion”, ChurchofJesusChrist.org). Mund të jetë e dobishme të diskutoni se si na ndihmon Shpëtimtari të bëhemi “të kulluar në zemër”. Çfarë ndihemi të frymëzuar të bëjmë për ta ndërtuar Sionin në jetën tonë? Në lagjen ose degën tonë? Në komunitetin tonë?
-
Zoti dha mësim rreth Sionit mbasi fillimisht i urdhëroi shenjtorët të ndërtonin një tempull “për shpëtimin në Sion” (shih Doktrina e Besëlidhje 97:12, 18–28). Përse është tempulli një pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Sionit? Si janë përmbushur në kohën tonë premtimet që Zoti i bëri rreth Sionit te vargjet 18–28?
Burime Shtesë
Të pranohesh nga Zoti.
Duke iu drejtuar “modelit të thjeshtë” të dhënë mësim te Doktrina e Besëlidhje 97:8, Plaku Erik W. Kopishke dha mësim:
“Kërkimi dhe marrja e pranimit prej Zotit do të na bëjnë të dimë se jemi të zgjedhur e të bekuar prej Tij. Ne do të fitojmë besim më të madh se Ai do të na drejtojë e do të na udhëheqë për mirë. Mëshirat e Tij të dhembshura do të bëhen të dukshme në zemrat tona, në jetën tonë dhe në familjet tona.
Ju ftoj me gjithë zemër që të kërkoni pranimin e Zotit dhe të gëzoni bekimet e Tij të premtuara. Ndërsa ndjekim modelin e thjeshtë që ka treguar Zoti, ne do të arrijmë ta dimë se jemi pranuar prej Tij, pavarësisht nga pozicioni, gjendja apo kufizimet tona tokësore” (“Të Pranohesh nga Zoti”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 106).