Doktrina e Besëlidhje 2021
8–14 Nëntor. Doktrina e Besëlidhje 129–132: “Kur Ne Fitojmë Ndonjë Bekim nga Perëndia, Është me Anë të Bindjes”


“8–14 Nëntor. Doktrina e Besëlidhje 129–132: ‘Kur Ne Fitojmë Ndonjë Bekim nga Perëndia, Është me Anë të Bindjes’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“8–14 Nëntor. Doktrina e Besëlidhje 129–132”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021

Jozef Smithi duke dhënë mësim në Navu

Jozef Smithi në Navu, 1840, nga Theodore Gorka

8–14 Nëntor

Doktrina e Besëlidhje 129–132

“Kur Ne Fitojmë Ndonjë Bekim nga Perëndia, Është me Anë të Bindjes”

Ndërkohë që është e rëndësishme të keni një plan mësimdhënieje, është gjithashtu e rëndësishme të jeni reagues ndaj Shpirtit dhe nevojave të anëtarëve të klasës. Gjeni nga anëtarët e klasës se cilat parime te seksionet 129–132 ishin domethënëse për ta.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Anëtarët e klasës mund të kenë mësuar gjëra nga studimi i tyre i seksioneve 129–132 që lidhen me një larmi temash të ungjillit. Për t’u dhënë mundësi që të tregojnë atë që mësuan, ju mund t’i shkruani disa nga këto tema në tabelë, të tilla si engjëjt, ekzaltimi, bindja, natyra e Perëndisë dhe martesa e përjetshme (në tabelë ju mund të shkruani gjithashtu kolonën tjetër që të vendosni tema shtesë). Anëtarët e klasës mund të përdorin disa minuta për të gjetur një varg në këto seksione që lidhet me një nga temat dhe për ta shkruar referencën në tabelë. Më pas mund t’i lexoni vargjet si klasë dhe të flisni se çfarë na mëson secili varg rreth asaj teme.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Doktrina e Besëlidhje 130:2, 18–23; 131:1–4; 132:20–25

Kjo jetë ka si qëllim që të na përgatitë për ekzaltimin.

  • Ka shumë gjëra që nuk i dimë rreth ekzaltimit ose jetës në mbretërinë çelestiale – shumë prej këtyre mund të jenë përtej aftësisë sonë të tanishme për të kuptuar. Por Perëndia ka zbuluar disa të dhëna të çmuara dhe shumë prej tyre gjenden te Doktrina e Besëlidhje 130–132. Anëtarët e klasës mund të studiojnë një ose më shumë prej referencave të renditura më lart dhe të tregojnë ndonjë ide që e gjejnë rreth ekzaltimit ose mbretërisë çelestiale. Si e bekon jetën tonë tani dituria për këtë informacion rreth jetës së përjetshme?

Doktrina e Besëlidhje 130:20–21; 132:5

Bekimet vijnë nga bindja ndaj Perëndisë.

  • Doktrina e Besëlidhje 130:20–21 dhe 132:5 japin mësim të njëjtin parim. Nxitini anëtarët e klasës që t’i lexojnë të dy fragmentet dhe të thonë, me fjalët e veta, se çfarë është ai parim. Si është demonstruar ky parim në jetën tonë? Si mund të gjejmë shpresë dhe siguri te Krishti kur jemi të bindur, por bekimet që i presim nuk vijnë menjëherë? Për më shumë mbi këtë temë, ju mund të shqyrtoni së bashku ide nga mesazhi i Plakut Dejll G. Renland “Të Mbushur me Bekime” (Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 70–73).

Doktrina e Besëlidhje 131:1–4; 132:3–25

Ati Qiellor e bëri të mundur që familjet të jenë të përjetshme.

  • Çfarë mund t’i thoshit një miku/eje që pyet: “Përse janë martesa dhe familja kaq të rëndësishme në kishën tuaj?” Anëtarët e klasës mund të mendojnë rreth mënyrës se si do t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje ndërsa lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 131:1–4; 132:3–25; ose fjalët e Plakut Diter F. Uhtdorf te pjesa “Burime Shtesë”. Si ndikojnë këto të vërteta te mënyra se si jetojmë?

    një burrë dhe një grua jashtë Tempullit të Akrës në Ganë

    Lidhjet familjare mund të bëhen të përjetshme nëpërmjet ordinancave të tempullit.

Doktrina e Besëlidhje 132:1–2, 29–40

Martesa me shumë gra pranohet nga Perëndia vetëm kur Ai e urdhëron atë.

  • Nëse anëtarët e klasës kanë pyetje rreth martesës me shumë gra, ndihmojini të kuptojnë se edhe Jozef Smithi dhe shenjtorë të tjerë të hershëm kishin pyetje. Nxitini të gjejnë pyetjen që Jozefi ia bëri Zotit te Doktrina e Besëlidhje 132:1 dhe përgjigjen që mori ai te vargjet 29–40 (shih edhe Jakobi [LiM] 2:27, 30). Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të mësojnë rreth mënyrave se si mund të gjejnë përgjigje ndaj pyetjeve të tyre rreth ungjillit, mund të jetë e dobishme të shqyrtoni së bashku “Answering Gospel Questions” [“Përgjigjet ndaj Pyetjeve të Ungjillit”] te topics.ChurchofJesusChrist.org. Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë se si ata kanë kërkuar përgjigje ndaj pyetjeve për ungjillin dhe mënyrës se si ata qëndrojnë besnikë edhe kur disa prej pyetjeve të tyre mbeten pa përgjigje.

ikona e burimeve shtesë

Burime Shtesë

Familja është “rregulli i qiellit”.

Presidenti Diter F. Uhtdorf, dha mësim:

“Jam mirënjohës që i përkas një kishe e cila e vlerëson martesën dhe familjen. Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme njihen anembanë botës që kanë disa prej martesave dhe familjeve më të mira që mund të gjeni. Besoj se kjo është, pjesërisht, për shkak të së vërtetës së çmuar, të rivendosur nga Jozef Smithi, që martesat dhe familjet kanë për qëllim të jenë të përjetshme. Familjet nuk kanë për qëllim që thjesht t’i bëjnë gjërat të veprojnë më lehtësisht këtu në tokë dhe të flaken tej kur ne të mbërrijmë në qiell. Përkundrazi, ato janë rregulli i qiellit. Ato janë një përfaqësim i modelit çelestial dhe një imitim i familjes së përjetshme të Perëndisë.

Por martesa dhe marrëdhëniet e forta familjare nuk ndodhin vetëm ngaqë ne jemi anëtarë të Kishës. Ato kërkojnë punë të vazhdueshme, të qëllimshme. Doktrina e familjeve të përjetshme duhet të na frymëzojë për t’i përkushtuar përpjekjet tona më të mira për shpëtimin dhe përmirësimin e martesave dhe familjeve tona” (“Në Lavdërim të Atyre që Shpëtojnë”, Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 77–78).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Krijoni një mjedis të sigurt. “Nxitini [anëtarët e klasës] që t’ju ndihmojnë të krijoni një mjedis të hapur, të dashur dhe të respektueshëm, me qëllim që çdo njeri të ndihet i sigurt për të treguar përvoja, për të bërë pyetje dhe për të dhënë dëshmitë e veta” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 15).