“2–8 Janar. Mateu 1; Lluka 1: ‘Le të më Ndodhë sipas Fjalës Sate’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“2–8 Janar. Mateu 1; Lluka 1”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
2–8 Janar
Mateu 1; Lluka 1
“Le të më Ndodhë sipas Fjalës Sate”
Përpara se të lexoni ndonjë material shtesë studimi, lexoni dhe përsiatni kapitujt te Mateu 1 dhe Lluka 1 dhe mbajini shënim mbresat tuaja shpirtërore. Lejojeni Shpirtin që ta udhërrëfejë përgatitjen tuaj. Më pas, shqyrtojini idetë në këtë përvijim të mësimit dhe tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.
Ftojini të Tregojnë
Një qëllim kryesor i Mateut, Llukës dhe shkruesve të tjerë të Ungjillit, ishte që të dëshmonin se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë. Jepuni anëtarëve të klasës disa minuta për të shqyrtuar kapitujt Mateu 1 ose Lluka 1 dhe tregoni një varg që e ndërton besimin e tyre te Jezu Krishti. Sugjerojuni pjesëtarëve të klasës që, ndërsa e studiojnë Dhiatën e Re këtë vit, ata mund të mbajnë një listë me fragmente që dëshmojnë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë. Ju madje mund ta mbani këtë listë si klasë.
Jepeni Mësim Doktrinën
Ati Qiellor vepron përmes fëmijëve të Tij besnikë për t’i përmbushur qëllimet e Tij.
-
Anëtarët e klasës ka më shumë gjasa që të kenë përvoja domethënëse, kur ta studiojnë Dhiatën e Re këtë vit, nëse mund të nxjerrin mësime nga përvojat e njerëzve për të cilët lexojnë. Për t’i ndihmuar ta bëjnë këtë, ju mund t’i shkruani në tabelë emrat e njerëzve te Mateu 1 dhe Lluka 1 së bashku me referencat e shkrimit të shenjtë rreth këtyre individëve, si vijon:
-
Maria (Lluka 1:26–56)
-
Jozefi (Mateu 1:18–25)
-
Elizabeta (Lluka 1:5–7, 24–25, 40–45, 57–60)
-
Zakaria (Lluka 1:5–23, 59–64)
Çfarë mund të mësojmë nga këto rrëfime që do të na ndihmojë sot?
-
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të mendojnë më thellësisht rreth Marisë dhe rolit të saj në planin e Atit, ju mund të shfaqni materialet filmike “An Angel Foretells Christ’s Birth to Mary” [“Një Engjëll i Profetizon Maries për Lindjen e Krishtit”] dhe “Mary and Elisabeth Rejoice Together” [“Maria dhe Elizabeta Gëzohen së Bashku”] (ChurchofJesusChrist.org). Ose mund të lexoni së bashku te Lluka 1:26–38, 46–56, duke kërkuar gjërat që tha Maria, të cilat zbulojnë diçka rreth karakterit të saj. Çfarë tjetër mësojmë nga Maria?
Bekimet e Perëndisë vijnë në vetë kohën e Tij.
-
Mund të ketë njerëz në klasën tuaj të cilët, ashtu si Elizabeta dhe Zakaria, po jetojnë me drejtësi dhe prapëseprapë nuk e kanë marrë një bekim të shpresuar. Merrni parasysh ta ftoni klasën të shqyrtojë vargjet Lluka 1:5–25, duke kërkuar mësime që mund të marrin prej Elizabetës dhe Zakarias rreth pritjes për [kohën e caktuar nga] Zoti. Çfarë shembujsh të tjerë të pritjes së kohës së caktuar nga Zoti mund të tregojnë anëtarët e klasës nga vetë jeta e tyre ose nga rrëfimet në shkrimet e shenjta? Çfarë mësojmë nga këta shembuj? Anëtarët e klasës mund të diskutojnë edhe thënien te pjesa “Burime Shtesë”.
“Me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme.”
-
Me raste, anëtarët e klasës – ashtu si Maria – mund ta pyesin veten se si mund të përmbushen planet e Perëndisë për ta ose premtimet e Tij ndaj tyre. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të kuptojnë që me anë të fuqisë së Perëndisë të gjitha gjërat janë të mundshme, ju mund të paraqitni figurën Lajmërimi i Lindjes së Jezusit: Engjëlli Gabriel i Shfaqet Maries (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 28) dhe t’i ftoni ata të lexojnë së bashku te Lluka 1:26–38. Çfarë mund të mësojmë rreth kapërcimit të asaj që duket e pamundshme nga studimi i fjalëve dhe veprimeve të Maries? Kërkojuni anëtarëve të klasës të tregojnë përvoja në të cilat Perëndia i ndihmoi ata të përmbushnin diçka, që ata menduan se ishte e pamundshme.
Burime Shtesë
Të presësh [kohën e caktuar nga] Zoti.
Duke konsideruar faktin se shumë prej nesh pyesin pse na duhet të presim për bekimet e Perëndisë, Plaku Xhefri R. Holland tha:
“Përgjigjja për pyetje të tilla është: ‘Po, Perëndia mund t’i bëjë mrekullitë menjëherë, por herët a vonë, ne mësojmë se kohët dhe periudhat e udhëtimit tonë në vdekshmëri janë të Tijat dhe vetëm të Tijat për t’i drejtuar’. … Besim do të thotë t’i mirëbesojmë Perëndisë në kohë të mira e të këqija, edhe nëse kjo përfshin disa vuajtje derisa ta shohim krahun e Tij të zbulohet në emrin tonë. …
… Ata që ‘shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja [dhe] ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur … ecin pa u lodhur’ [Isaia 40:31; theksimi i shtuar]. Lutem që ‘ca nga ca’ – herët a vonë – ato bekime do t’i vijnë secilit prej jush që kërkon lehtësim nga pikëllimet e veta dhe çlirim nga hidhërimet e veta. Dëshmoj për dashurinë e Perëndisë dhe për Rivendosjen e ungjillit të Tij të lavdishëm, i cili, në një mënyrë apo tjetër, është përgjigjja për çdo problem që ndeshim në jetë” (“Duke Pritur për Zotin”, Liahona, nëntor 2020, f. 116–117).