“9–15 Janar. Mateu 2; Lluka 2: Ne Kemi Ardhur për ta Adhuruar Atë”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“9–15 Janar. Mateu 2; Lluka 2”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
9–15 Janar
Mateu 2; Lluka 2
Ne Kemi Ardhur për ta Adhuruar Atë
Përpara se të lexoni idetë në këtë përvijim të mësimit, studiojini kapitujt te Mateu 2 dhe Lluka 2 dhe mbajini shënim mbresat tuaja shpirtërore. Kjo do t’ju ndihmojë të merrni zbulesë për mënyrën se si t’i plotësoni më së miri nevojat e klasës suaj.
Ftojini të Tregojnë
Si mund t’i nxitni anëtarët e klasës të tregojnë ide dhe përvoja që kanë pasur teksa i studiuan shkrimet e shenjta individualisht dhe me familjet e tyre? Ndonëse ka gjasa ta njohin rrëfimin e lindjes së Shpëtimtarit, te Mateu 2 dhe Lluka 2, ata mund të marrin përherë mbresa të reja shpirtërore. Merrni parasysh të ftoni disa anëtarë të klasës të tregojnë një mesazh që kanë gjetur, që u la mbresë në një mënyrë të re.
Jepeni Mësim Doktrinën
Ka shumë dëshmitarë të lindjes së Krishtit.
-
Rrëfimet e adhuruesve te Mateu 2:1–12 dhe Lluka 2:1–38 mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës suaj të përsiatin mënyrat se si ata e tregojnë dashurinë e tyre për Shpëtimtarin. Rishikojeni tabelën rreth dëshmitarëve të lindjes së Krishtit në përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Disa njerëz në klasën tuaj mund të kenë ide për të treguar nga kjo veprimtari ose ju mund ta bëni veprimtarinë si klasë. Përse është domethënëse që këta dëshmitarë të Krishtit vinin nga shtresa të ndryshme shoqërore dhe ekonomike në jetë? Si mund ta ndjekim shembullin e tyre?
-
Përpara se këta dëshmitarë ta adhuronin Krishtin fëmijë, ata e kërkuan Atë. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të mësojnë nga shembulli i tyre, ju mund të shkruani në tabelë titujt vijues: Barinjtë, Ana, Simeoni dhe Dijetarët. Më pas, anëtarët e klasës mund të shqyrtojnë kapitujt Mateu 2 dhe Lluka 2 dhe të shkruajnë në tabelë atë që bënë këta njerëz për ta kërkuar Shpëtimtarin. Çfarë sugjerojnë këto rrëfime rreth disa prej mënyrave se si ne mund ta kërkojmë Krishtin?
Prindërit mund të marrin zbulesë për të mbrojtur familjet e tyre.
-
Për të nisur një diskutim rreth mënyrës se si Ati Qiellor i udhëzoi Jozefin dhe Marinë në rolin e tyre si prindër të Shpëtimtarit, merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të renditin në tabelë disa nga rreziqet me të cilat përballemi sot. Çfarë mësojmë nga Mateu 2:13–23 rreth mënyrës se si të gjejmë mbrojtje nga këto rreziqe? Si na ka ndihmuar zbulesa vetjake t’i mbrojmë familjet tona apo njerëz të tjerë të dashur nga rreziku? Çfarë këshille kanë dhënë profetët dhe apostujt për të na ndihmuar që të gjejmë siguri shpirtërore?
Edhe kur ishte i ri, Jezusi qe i përqendruar në bërjen e vullnetit të Atit të Tij.
-
Historia e Jezusit që jep mësim në tempull kur Ai ishte vetëm 12 vjeç, mund të jetë veçanërisht e fuqishme për të rinjtë që pyesin veten rreth ndihmesës që mund të japin në punën e Perëndisë. Ju mund ta ndani klasën në dyshe që të lexojnë së bashku te Lluka 2:40–52 (shih mbresën nga Përkthimi prej Joseph Smith‑it për vargun Lluka 2:46 , tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta). Secila dyshe mund të kalojë disa minuta për t’i treguar njëri-tjetrit atë çfarë i frymëzon ata rreth këtij rrëfimi. Çfarë mundësish kemi për të folur për atë që dimë rreth ungjillit? Çfarë përvojash mund të tregojmë?
-
Çfarë na mëson Lluka 2:40–52 rreth asaj se si ishte Jezusi kur ishte i ri? Modeli për rritjen vetjake i sugjeruar te Lluka 2:52, mund të frymëzojë një diskutim për atë se çfarë po bëjmë ne që të bëhemi më shumë si Krishti. Ju mund të sugjeroni që anëtarët e klasës të përsiatin se si po rriten në dituri (nga ana intelektuale), në shtat (fizikisht), në hir përpara Perëndisë (shpirtërisht) dhe në hir përpara të tjerëve (nga ana shoqërore). Ata madje mund t’i vënë vetes qëllime në një ose më shumë nga këto fusha. Nëse do t’ju pëlqente të vijoni një diskutim rreth të bërit si Krishti në këto aspekte, veçanërisht nëse iu jepni mësim të rinjve e të rejave, merrni parasysh të përdorni thënien te pjesa “Burime Shtesë”.
Burime Shtesë
Të ndihmojmë fëmijët dhe rininë të rriten “në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve”.
Presidenti Stiven J. Land, e përshkroi programin “Fëmijët dhe Rinia”, që bazohet pjesërisht te Lluka 2:52, në këtë mënyrë:
“Programi Fëmijët dhe Rinia është një mjet për të ndihmuar çdo fëmijë të Fillores dhe të ri e të re, për t’u rritur në dishepullim dhe për të fituar një largpamësi plot besim për faktin se si është lumturia. Ata mund të mësojnë të presin dhe t’i dëshirojnë fort stacionet dhe sinjalizimet përgjatë shtegut të besëlidhjeve, ku do të pagëzohen dhe konfirmohen me dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe shpejt do t’u përkasin kuorumeve dhe klasave të Të Rejave, ku do të ndiejnë gëzimin e ndihmës ndaj të tjerëve nëpërmjet vijimësisë së veprave të shërbimit si Krishti. Ata do të vendosin synime, të mëdha e të vogla, që do të sjellin ekuilibër në jetën e tyre teksa bëhen më shumë si Shpëtimtari” (“Gjetja e Gëzimit në Krisht”, Liahona, nëntor 2020, f. 36–37).