“16–22 Janar. Gjoni 1: Ne e Kemi Gjetur Mesian”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“16–22 Janar. Gjoni 1”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
16–22 Janar
Gjoni 1
Ne e Kemi Gjetur Mesian
Ndërsa lexoni dhe përsiatni për kapitullin te Gjoni 1, lutuni për udhërrëfim shpirtëror në lidhje me përgjegjësinë tuaj për të dhënë mësim rreth dëshmisë së Gjonit. Mbajini shënim mbresat që merrni. Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe idetë në këtë përvijim mësimi mund t’ju ndihmojnë për t’i frymëzuar njerëzit në klasën tuaj ta kuptojnë dhe ta vënë në zbatim doktrinën në këtë kapitull.
Ftojini të Tregojnë
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të tregojnë atë çfarë po mësojnë, ju mund t’u kërkoni atyre të shkruajnë në shirita letre pyetje, komente ose ide nga leximi që kanë bërë, dhe t’i vendosin ato në një kuti. Tërhiqni shirita nga kutia për t’i diskutuar si klasë.
Jepeni Mësim Doktrinën
Jezu Krishti ishte “në fillim me Perëndinë”.
-
Çfarë dha mësim Gjoni për Krishtin në jetën paratokësore? Përse është e rëndësishme t’i dimë rolet e Krishtit në jetën paratokësore? Mund të jetë e dobishme t’i shkruani këto pyetje në tabelë dhe t’i vini anëtarët e klasës të kërkojnë për përgjigje te Gjoni 1:1–5 (shih edhe Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:1–5 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]; Moisiu 1:32–33; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta “Jezu Krisht”, nëntitulli “Ekzistenca e Krishtit Para Lindjes”). Anëtarët e klasës mund të tregojnë edhe atë që mësojnë rreth roleve të Krishtit në jetën paratokësore nga dokumenti “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” (ChurchofJesusChrist.org).
-
Nëse do të donit t’i përdornit këto vargje për të folur rreth krijimeve të Zotit, ju mund të lexoni Gjoni 1:3 dhe të tregoni figura që paraqesin bukurinë e tokës. Ju mund të shfaqni materialin filmik “Our Home” [“Shtëpia Jonë”] (ChurchofJesusChrist.org). Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë se si krijimet e Shpëtimtarit i ndihmojnë ata që ta ndiejnë dashurinë e Tij.
Jezu Krishti është Drita.
-
Merrni parasysh t’u kërkoni anëtarëve të klasës të gjejnë secilin rast ku përdoret fjala dritë te Gjoni 1:1–14. Përse është drita një fjalë e mirë për ta përshkruar Jezu Krishtin? Anëtarët e klasës mund të tregojnë se si Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij na sigurojnë dritë shpirtërore në jetën tonë. Si pjesë të këtij diskutimi, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që të lexojnë më shumë rreth Dritës së Krishtit te Doktrina e Besëlidhje 84:45–46; 88:11–13, ose ju mund t’i drejtoni ata te pjesa “Dritë e Krishtit” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Si mund ta përhapim dritën e Shpëtimtarit tek të tjerët?
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të përfytyrojnë atë që jepet mësim rreth Shpëtimtarit te Gjoni 1, ju mund të paraqitni disa figura (përfshirë figurën nga përvijimi i mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet) që paraqet aspekte të jetës së Jezu Krishtit dhe misionit hyjnor. Anëtarët e klasës mund të shqyrtojnë vargjet te Gjoni 1:1–14, duke kërkuar fjalë ose fraza që mund të shërbejnë si tituj për figurat.
Ne mund të fitojmë vetë dëshminë tonë për Shpëtimtarin dhe më pas t’u bëjmë ftesë të tjerëve: “Ejani e shikoni”.
-
Te Gjoni 1, ftesa e bërë “ejani e shikoni”, shfaqet dy herë (shih vargjet 39, 46). Ne mund të mos e kemi mundësinë që ta shohim fizikisht Shpëtimtarin siç e panë Andrea dhe Natanaeli, por ne mund t’i përgjigjemi të njëjtës ftesë. Çfarë do të thotë “ejani e shikoni” në ditët tona?
-
Anëtarët e klasës mund të lexojnë te Gjoni 1:35–51 dhe të tregojnë atë që mësojnë nga këto vargje rreth ftesës ndaj të tjerëve për të mësuar rreth Krishtit (shih edhe te pjesa “Burime Shtesë” ose materialin filmik: “Ftesa ndaj të Tjerëve që ‘Të Vijnë e të Shohin’” në ChurchofJesusChrist.org). Ata mund të tregojnë edhe se si kanë gjetur mënyra të thjeshta dhe të zakonshme për t’i ftuar të tjerët që të “vijnë e të shohin”.
1:17
Burime Shtesë
Ne mund t’u bëjmë të tjerëve ftesën: “Ejani e shikoni”.
Plaku Nil L. Andersen dha mësim:
“Shpëtimtari na mësoi se si ta ndajmë ungjillin. Më pëlqen historia e Andreas, i cili pyeti: ‘Rabbi, ku banon?’ [Gjoni 1:38]. Jezusi mund t’i qe përgjigjur me vendin ku jetonte. Por, përkundrazi, Ai i tha Andreas: ‘Ejani e shikoni’ [Gjoni 1:39]. Më pëlqen të mendoj se Shpëtimtari po thoshte: ‘Ejani e shikoni jo vetëm ku jetoj, por si jetoj. Ejani e shikoni kush jam. Ejani e ndieni Shpirtin.’ Ne nuk dimë gjithçka rreth asaj dite, por vërtet dimë se kur Andrea e gjeti të vëllanë, Simonin, i shpalli: ‘E gjetëm … Krishti[n]’ [Gjoni 1:41].
Ndaj atyre që tregojnë interes për bisedat tona, ne mund të ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke i ftuar ata të ‘[vijnë] e shiko[jnë]’. Disa do ta pranojnë ftesën tonë dhe të tjerë jo. Ne të gjithë njohim dikë që është ftuar disa herë përpara pranimit të një ftese për të ‘[ardhur] e shik[uar]’” (“Është një Mrekulli”, Liahona, maj 2013, f. 79).