“26 Dhjetor – 1 Janar. Ne Jemi Përgjegjës për Të Mësuarin Tonë Vetjak”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“26 Dhjetor – 1 Janar. Ne Jemi Përgjegjës për Të Mësuarin Tonë Vetjak”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
26 Dhjetor – 1 Janar
Ne Jemi Përgjegjës për Të Mësuarin Tonë Vetjak
Teksa i lexoni dhe i përsiatni fragmentet e shkrimeve të shenjta në këtë përvijim të mësimit, mbajini shënim mbresat shpirtërore që merrni. Ato do ta ftojnë Shpirtin gjatë përgatitjes suaj. Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe idetë në vijim mund t’ju ndihmojnë që t’i frymëzoni njerëzit në klasën tuaj për ta studiuar Dhiatën e Re këtë vit.
Ftojini të Tregojnë
Një prej synimeve tuaja si mësues është që t’i nxitni anëtarët e klasës të mësojnë nga shkrimet e shenjta më vete dhe me familjet e tyre. Të dëgjuarit e përvojave të të tjerëve mund t’i frymëzojë ata që të përpiqen për të pasur vetë përvojat e tyre. Kështu që, në fillim të çdo ore mësimore, kërkojuni anëtarëve të klasës të tregojnë shkrime të shenjta nga studimi i tyre, të cilat i frymëzuan apo u lanë mbresa atyre.
Jepeni Mësim Doktrinën
Të mësuarit kërkon veprim me besim.
-
Si mund t’i frymëzoni anëtarët e klasës suaj që të ndërmarrin një rol më aktiv në të mësuarin e tyre, në vend që t’ia lënë përgjegjësinë vetëm mësuesit? Këtu është një ide. Hidhni një objekt të butë drejt një anëtari/eje të klasës, të cilit/së cilës i keni thënë paraprakisht që të mos bëjë asnjë përpjekje për ta kapur atë. Përdoreni këtë veprimtari për të nisur një diskutim rreth roleve të nxënësit dhe mësuesit në të mësuarin e ungjillit. Si studentë, si ta “kapim” atë që jepet mësim në klasat tona? Thëniet që gjenden te pjesa “Burime Shtesë” mund të ndihmojnë në këtë diskutim.
-
Të gjithë anëtarët e klasës kanë përgjegjësi që ta ftojnë Shpirtin në orën mësimore. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta kuptojnë këtë, kërkojuni të lexojnë tek Alma 1:26 dhe Doktrina e Besëlidhje 50:13–22; 88:122–123 dhe të tregojnë atë që mund të bëjnë mësuesit dhe anëtarët e klasës për ta ftuar Shpirtin. Mund të jetë e dobishme t’i shkruani përgjigjet e tyre në tabelë nën titujt si këta: Ajo çfarë mund të bëjë mësuesi dhe Ajo çfarë mund të bëjnë studentët. Anëtarët e klasës mund të krijojnë një afishe me përgjigjet e tyre që mund të paraqitet për javët e ardhshme.
Ne kemi nevojë ta dimë të vërtetën për vete.
-
Shumë fragmente në Dhiatën e Re na mësojnë parime që mund ta udhërrëfejnë kërkimin tonë për të vërtetën. Shembuj përfshijnë: Lluka 11:9–13; Gjoni 5:39; 7:14–17 dhe 1 Korintasve 2:9–11. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës suaj që i kanë lexuar këto fragmente gjatë studimit të tyre vetjak, të tregojnë atë që kanë mësuar. Ose ju mund t’i lexoni këto fragmente si klasë dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë se si e fituan dëshminë e tyre.
-
Veprat e Apostujve 17:10–12 përshkruan shenjtorë që i shqyrtuan shkrimet e shenjta dhe fituan dëshminë e tyre vetjake për të vërtetën. Për t’i nxitur anëtarët e klasës ta ndjekin shembullin e tyre, lexojini këto vargje së bashku dhe ftoni anëtarë të klasës të tregojnë fragmente të shkrimeve të shenjta që e kanë forcuar dëshminë e tyre për ungjillin.
Si mund ta bëjmë më domethënës të studiuarin tonë të shkrimeve të shenjta?
-
Krijimi i zakonit të studimit të shkrimit të shenjtë mund të jetë sprovues për anëtarë të klasës që ndiejnë se nuk e kanë kohën, kuptueshmërinë apo aftësitë e nevojshme. Çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar ata të jenë të suksesshëm? Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të fitojnë vetëbesim për t’i studiuar shkrimet e shenjta, ju mund të jepni informacion nga pjesa “Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve të Shenjta” tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ndoshta ju ose anëtarë të tjerë të klasës mund të tregojnë përvoja lidhur me përdorimin e disa prej këtyre ideve ose përvoja të tjera domethënëse me studimin e shkrimeve të shenjta. Ju gjithashtu mund të zgjidhni një kapitull te Dhiata e Re dhe të përpiqeni ta studioni atë si klasë duke përdorur disa prej këtyre ideve.
Burime Shtesë
Marrja e njohurisë shpirtërore për veten tonë.
Profeti Jozef Smith dha mësim: “Gjërat e Perëndisë kanë rëndësi të madhe; dhe koha e përvoja si dhe mendimet e kujdesshme e përsiatëse dhe solemne munden veç t’i gjejnë ato. Mendja jote, or njeri, nëse ti do të udhëheqësh një shpirt në shpëtim, duhet të shtrihet aq lart sa qiejt më të lartë dhe të kërkojë e të sodisë humnerën më të errët dhe hapësirën e gjerë të përjetësisë – ti duhet të bashkëbisedosh me Perëndinë. Sa më shumë dinjitoze dhe fisnike janë mendimet e Perëndisë, sesa përfytyrimet e kota të zemrës njerëzore!” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 283.)
Plaku Dejvid A. Bednar shpjegoi: “Nëse gjithçka që ju ose unë dimë rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij të rivendosur, është ajo që na mësojnë ose na thonë njerëzit e tjerë, atëherë themeli i dëshmisë sonë për Të dhe për veprën e Tij të lavdishme në ditët e mëvonshme është ndërtuar mbi rërë. Ne nuk mund të mbështetemi vetëm te drita dhe njohuria e ungjillit e njerëzve të tjerë ose t’i marrim ato hua nga të tjerët – madje as nga ata që i duam dhe që u mirëbesojmë” (“Të Përgatitur për të Fituar Çdo Gjë të Nevojshme”, Liahona, maj 2019, f. 102).