Dhiata e Re 2023
10–16 Prill. Mateu 15–17; Marku 7–9: “Ti Je Krishti”


“10–16 Prill. Mateu 15–17; Marku 7–9: ‘Ti Je Krishti’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)

“10–16 Prill. Mateu 15–17; Marku 7–9”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023

Shpërfytyrimi i Krishtit

The Transfiguration [Shpërfytyrimi], nga Carl Heinrich Bloch

10–16 Prill

Mateu 15–17; Marku 7–9

“Ti Je Krishti”

Një nga qëllimet kryesore si mësues është të ndihmojmë të tjerët të ndërtojnë besimin e tyre te Jezu Krishti. Mbajeni në mendje këtë teksa i studioni shkrimet e shenjta këtë javë. Çfarë gjeni që do të mund t’i ndihmonte anëtarët e klasës të besojnë tek Ai më thellësisht?

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Një mënyrë se si mund t’i nxitni anëtarët e klasës që t’i studiojnë shkrimet e shenjta vetë dhe me familjet e tyre, është duke i ftuar që të tregojnë çdo javë mënyrën se si studimi i shkrimeve të shenjta i ka ndihmuar ata të marrin zbulesë dhe e ka bekuar jetën e tyre. Për shembull, si ka ndikuar studimi i këtyre kapitujve në zgjedhjet që ata kanë bërë këtë javë?

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Mateu 16:13–17

Një dëshmi për Jezu Krishtin vjen me anë të zbulesës.

  • A i është dashur ndonjërit prej anëtarëve të klasës që t’i shpjegojë dikujt se si e dinte se ungjilli është i vërtetë? Te Mateu 16:13–17, çfarë dha mësim Shpëtimtari rreth mënyrës se si e marrim një dëshmi? Ju mund të tregoni mënyrën se si e fitoi Alma dëshminë e tij (shih Alma 5:45–46) ose atë që Zoti i mësoi Oliver Kaudërit rreth zbulesës (shih Doktrina e Besëlidhje 6:14–15, 22–23; 8:2–3). Çfarë mendoni se do të kishin thënë Pjetri apo Alma ose Oliveri nëse dikush do t’i kishte pyetur ata se si e dinin që ungjilli është i vërtetë?

  • Mund të ketë njerëz në klasën tuaj që janë duke u lutur për zbulesë vetjake, por nuk dinë se si ta dallojnë kur ajo vjen. Te faqja HearHim.ChurchofJesusChrist.org, ju mund të gjeni materiale filmike në të cilat udhëheqësit e Kishës tregojnë për mënyrën se si e dallojnë zërin e Zotit. Ju mund të shihni një ose më shumë prej këtyre materialeve filmike me klasën dhe të flisni për mësimet që japin ato rreth marrjes së zbulesës. Cilat mësime apo shkrime të tjera të shenjta i vijnë ndërmend klasës suaj, që do ta ndihmonin dikë ta dallonte zbulesën vetjake? (Për shembull, shikoni 1 Mbretërve 19:11–12; Galatasve 5:22–23; Enosi 1:1–8; Doktrina e Besëlidhje 6:22–24; 8:2–3; 9:7–9.)

Mateu 16:13–19; 17:1–9

Çelësat e priftërisë janë thelbësorë për shpëtimin tonë.

  • Për të nisur një diskutim rreth çelësave të priftërisë, ju mund të shkruani referenca si këto në tabelë: Mateu 16:19; Doktrina e Besëlidhje 107:18–20; 128:8–11; 132:18–19, 59; Joseph Smith – Historia 1:72 dhe “Çelësa të Priftërisë” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Më pas ftojini anëtarët e klasës që të lexojnë një ose më shumë prej fragmenteve dhe të tregojnë diçka që mësuan prej tyre rreth çelësave të priftërisë. Përse kemi nevojë për çelësat e priftërisë?

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që t’i forcojnë dëshmitë e tyre për rivendosjen e çelësave të priftërisë në ditët e mëvonshme, ju mund t’i kërkoni gjysmës së klasës që të studiojë vargjet te Mateu 17:1–9 dhe gjysmës tjetër Doktrina e Besëlidhje 110. Më pas ata mund t’i tregojnë njëri-tjetrit atë që mësuan dhe t’i dallojnë ngjashmëritë midis dy tregimeve. Materiali filmik “Priesthood Keys: The Restoration of Priesthood Keys” [“Çelësat e Priftërisë: Rivendosja e Çelësave të Priftërisë”] (ChurchofJesusChrist.org) mund të jetë gjithashtu i dobishëm.

statuja e Pjetrit duke mbajtur çelësa

Çelësat e priftërisë janë autoriteti për të drejtuar përdorimin e priftërisë.

Marku 9:14–30

Kur kërkojmë besim më të madh, ne e fillojmë me besimin që kemi.

  • Plaku Xhefri R. Holland përdori tregimin e një babai që po kërkonte shërim për të birin, për të na mësuar se si duhet t’i qasemi Zotit kur ndiejmë se besimi ynë është i pamjaftueshëm (shih “Unë Besoj, o Zot”, Liahona, maj 2013, f. 93–95). Pasi të lexoni te Marku 9:14–30 si klasë, ju mund të diskutoni së bashku tri vëzhgimet nga Plaku Holland (shih “Burime Shtesë”).

ikona e burimeve

Burime Shtesë

Tri vëzhgime që na ndihmojnë të fitojmë më shumë besim.

Pasi e ritregoi rrëfimin që gjendet te Marku 9:14–29, Plaku Xhefri R. Holland dha mësim:

“Gjëja e parë për t’u vënë në dukje lidhur me këtë tregim është se, kur ndodhet përballë sfidës së besimit, babai fillimisht vë në pah forcën e tij dhe vetëm më pas e pranon kufizimin e tij. Deklarimi i tij fillestar është pohues dhe pa ngurrim: ‘Unë besoj, o Zot’. Do t’iu thoja të gjithë atyre që dëshirojnë më shumë besim, kujtojeni këtë burrë! Në çaste frike apo dyshimi, ose kohë shqetësimi, mos u largoni nga besimi që keni fituar tashmë, edhe pse ai mund të jetë i kufizuar. …

Gjëja e dytë për t’u vënë në dukje është një variant i së parës. Kur problemet vijnë dhe pyetjet ngrihen, mos e filloni kërkimin tuaj për besim duke thënë sa shumë nuk keni, duke u udhëhequr sikur të ishte nga ‘mosbesimi’ juaj. … Nuk po ju kërkoj të shtireni për besimin që nuk e keni. Unë po ju kërkoj të jeni të vërtetë ndaj besimit që vërtet e keni. …

Gjëja e fundit për të vënë në dukje: kur afrohet dyshimi ose vështirësia, mos kini frikë të kërkoni ndihmë. Nëse e dëshirojmë ndihmën me po aq përulësi e ndershmëri, sa e deshi ky baba, ne mund ta gjejmë atë” (“Unë Besoj, o Zot”, Liahona, maj 2013, 93–94).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Bëni pyetje që ftojnë dëshmi. Bërja e pyetjeve që i nxitin anëtarët e klasës të japin dëshmitë e tyre, mund të jetë një mënyrë e efektshme për ta ftuar Shpirtin. Për shembull, kur diskutoni rreth vargjeve te Mateu 16:13–17, ju mund të bëni pyetjen: “Çfarë keni mësuar rreth Shpëtimtarit që e ka forcuar dëshminë tuaj për Të si Shpëtimtar?” (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 32.)