“24–30 Prill. Gjoni 7–10: ‘Unë Jam Bariu i Mirë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“24–30 Prill. Gjoni 7–10”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
24–30 Prill
Gjoni 7–10
“Unë Jam Bariu i Mirë”
Ju dhe anëtarët e klasës suaj do të merrni ide ndërkohë që lexoni te Gjoni 7–10 këtë javë. Mbani mend se idetë në këtë përvijim të mësimit duhet ta plotësojnë në vend që ta zëvendësojnë frymëzimin që merrni nëpërmjet studimit të shkrimeve të shenjta.
Ftojini të Tregojnë
Kujtojini anëtarët e klasës për rëndësinë e bërjes së shtëpive të tyre qendër të të mësuarit të ungjillit. Kërkojuni që të tregojnë atë që Fryma e Shenjtë u mësoi atyre ndërsa studiuan te Gjoni 7–10 në shtëpi, individualisht ose me familjet e tyre.
Jepeni Mësim Doktrinën
Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës.
-
Gjatë gjithë kapitujve te Gjoni 7–10, Shpëtimtari bëri disa deklarata që mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës ta kuptojnë më mirë misionin e Tij dhe të afrohen më shumë me Të. Merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës t’i lexojnë fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë dhe të thonë se çfarë na mësojnë ato rreth misionit hyjnor të Shpëtimtarit. Si i përmbush Krishti këto role në jetën tonë?
-
Gjoni 7:37–39: Burimi i “uji[t] të gjallë”
-
Gjoni 8:12; 9:4–5: “Drita e botës”
-
Gjoni 9:8–10, 35–38: “Biri [i] Perëndisë”
-
Gjoni 10:7–9: “Dera”
-
Gjoni 10:11–14: “Bariu i mirë”
-
Ndërsa i jetojmë mësimet e Jezu Krishtit, ne do të arrijmë ta dimë se ato janë të vërteta.
-
Në disa mënyra, marrja e një dëshmie është si të mësosh një zotësi – të dyja kërkojnë praktikë dhe përvojë. Për ta ilustruar këtë, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që kanë një zotësi të caktuar, të tillë si dikush që është zhongler apo që luan një vegël muzikore, për të shpjeguar se si e zhvilluan zotësinë e tyre. Përse nuk mjafton vetëm të lexosh rreth zotësisë apo ta shikosh dikë ta interpretojë? Si klasë, diskutoni se si përpjekja që përfshihet në ushtrimin e një zotësie, është e ngjashme me modelin shpirtëror që përshkroi Shpëtimtari te Gjoni 7:14–17. Nga ndryshon ajo?
-
Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja në të cilat të jetuarit e një të vërtete të ungjillit i ndihmoi ata të fitonin një dëshmi për të. Jepuni kohë anëtarëve të klasës të mendojnë për një parim të ungjillit për të cilin do të donin të fitonin një dëshmi më të fortë, dhe më pas nxitini të vënë synime të veçanta për ta jetuar atë parim më plotësisht.
Mëshira e Shpëtimtarit shtrihet tek të gjithë ata që pendohen.
-
Për ata që ndihen të dënuar për shkak të mëkateve të tyre, historia e Shpëtimtarit që i ofron mëshirë dhe pendim gruas e cila kapet duke shkelur kurorën, mund të jetë një burim nxitjeje. Ose, nëse anëtarët e klasës ndihen të tunduar për t’i dënuar të tjerët për shkak të mëkateve të tyre, historia mund të shërbejë si një paralajmërim. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që të lexojnë te Gjoni 8:1–11, duke kërkuar përgjigje për pyetje si këto që vijojnë: Çfarë na mëson kjo histori rreth mëshirës së Shpëtimtarit? Si mund të na ndihmojë marrja e mëshirës së Tij kur mëkatojmë, kur ndihemi të tunduar për t’i gjykuar të tjerët? (Shih Alma 29:9–10.)
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të gjejnë lidhje vetjake te Gjoni 8:1–11, merrni parasysh ta ndani klasën në tri grupe – një grup që të përqendrohet te fjalët dhe veprimet e farisenjve, një grup që të përqendrohet te fjalët dhe veprimet e Shpëtimtarit dhe një grup që të përqendrohet te fjalët dhe veprimet e gruas. Ata mund ta bëjnë këtë ndërkohë që lexojnë rrëfimin ose ndërkohë që shikojnë materialin filmik “Go and Sin No More” [“Shko dhe Mos Mëkato Më”] (ChurchofJesusChrist.org). Ftojeni secilin grup që të bëjë një listë të të vërtetave shpirtërore që mësojnë nga leximi i çdo pjese të tregimit.
-
Nganjëherë ne nuk jemi të vetëdijshëm për mënyrat se si i gjykojmë të tjerët. Këtu është një veprimtari për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta mposhtin këtë prirje: Kërkojini klasës që t’ju ndihmojë të krijoni një listë mënyrash se si i gjykojmë ne njerëzit (nga pamja e tyre e jashtme, sjellja e tyre, formimi i tyre e kështu me radhë). Jepuni anëtarëve të klasës copa letre të prera në formën e një guri dhe kërkojuni atyre të përzgjedhin një mënyrë gjykimi të të tjerëve për të cilën ata mendojë se janë fajtorë dhe ta shkruajnë atë në një gur prej letre. Çfarë mësojmë nga fjalët e Shpëtimtarit drejtuar farisenjve te Gjoni 8:1–11? Ftojeni klasën të shkruajë në anën tjetër të gurit prej letre diçka që do t’u kujtojë atyre të mos gjykojnë (ndoshta një frazë nga Gjoni 8).
Kur arrijmë të njohim Jezu Krishtin, ne arrijmë të njohim Atin.
-
Çfarë na mësojnë fjalët e Shpëtimtarit te Gjoni 8:18–19, 26–29 për lidhjen midis Atij dhe Atit të Tij? Pasi t’i lexojnë dhe diskutojnë këto vargje, anëtarët e klasës mund të renditin në tabelë disa gjëra që Jezusi bëri, tha apo dha mësim. Çfarë mësojmë rreth Perëndisë, Atit, nga këto gjëra?