Dhiata e Re 2023
17–23 Prill. Mateu 18; Lluka 10: “Çfarë Duhet të Bëj që të Trashëgoj Jetën e Përjetshme?”


“17–23 Prill. Mateu 18; Lluka 10: ‘Çfarë Duhet të Bëj që të Trashëgoj Jetën e Përjetshme?’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)

“17–23 Prill. Mateu 18; Lluka 10”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023

Samaritani i mirë

The Good Samaritan [Samaritani i Mirë], nga Dan Burr

17–23 Prill

Mateu 18; Lluka 10

“Çfarë Duhet të Bëj që të Trashëgoj Jetën e Përjetshme?”

Lexoni kapitujt te Mateu 18 dhe Lluka 10 dhe mbajini shënim mbresat tuaja shpirtërore. Ndërsa merrni mbresa, ju mund të pyetni, ashtu siç sugjeroi Plaku Riçard G. Skot: “A ka edhe më shumë që duhet ta di?” (“Të Fitosh Udhëheqje Shpirtërore”, Liahona nëntor 2009, f. 8.)

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Këta kapituj përmbajnë shumë shembuj të mësimeve të ungjillit që janë të ndryshëm nga ajo që na mëson bota. Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë disa shembuj që i gjetën gjatë leximit të tyre këtë javë. Si na bekon Zoti kur i zbatojmë mësimet e Tij?

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Mateu 18:21–35

Ne duhet t’i falim të tjerët nëse duam të marrim falje nga Zoti.

  • Si mund ta përdorni shëmbëlltyrën e shërbëtorit të pamëshirshëm, për ta frymëzuar klasën që të falë më shumë? Ndoshta ju mund të shkruani në tabelë pyetje si këto që vijojnë dhe t’i ftoni anëtarët e klasës që t’i përsiatin ato teksa një person ritregon shëmbëlltyrën: Kë përfaqëson mbreti? Kë përfaqëson shërbëtori i pamëshirshëm? Kë përfaqëson shërbëtori tjetër? Çfarë përfaqësojnë detyrimet [borxhet]? Ftojini anëtarët e klasës që të tregojnë se çfarë mesazhesh mbart për ata vetë shëmbëlltyra. (Shih edhe “Burimet Shtesë”.)

  • Ju mund ta ftoni klasën të krijojë një përshtatje të shëmbëlltyrës së shërbëtorit të pamëshirshëm, e cila na mëson të njëjtin mësim rreth faljes, por duke përdorur situata dhe hollësi bashkëkohore. (Merrni parasysh t’i vini ata të punojnë për këtë në grupe.) Diskutoni mbi mënyrën se si shëmbëlltyra iu përgjigj pyetjes së Pjetrit se sa herë duhet të falte ai.

monedha të lashta

Jezusi foli për para dhe borxhe që të jepte mësim rreth faljes.

Lluka 10:25–37

Për të marrë jetë të përjetshme, ne duhet ta duam Perëndinë dhe t’i duam të afërmit tanë.

  • Ja ku është një ide që mund t’u japë anëtarëve të klasës një këndvështrim të ri për shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë: Ftojini ata të hiqen sikur po hetojnë një rast sulmi dhe vjedhjeje në rrugën midis Jerikos dhe Jerusalemit. Kërkojuni disa anëtarëve të klasës që të vijnë në klasë të përgatitur për të përfaqësuar njerëzit e ndryshëm në shëmbëlltyrë dhe të flasin rreth përfshirjes së tyre në këtë çështje. Për shembull, cilat mund të ishin disa nga shkaqet pse prifti dhe leviti nuk ndaluan ta ndihmonin këtë njeri të plagosur? Përse ndaloi Samaritani? Çfarë mendimesh mund të shtojë hanxhiu? Si mund të jetë ndier ky njeri i plagosur për secilin prej të tjerëve? Sigurohuni që diskutimi t’i frymëzojë anëtarët e klasës të jenë si Samaritani i mirë dhe hanxhiu, dhe ta shmangin të qenit si prifti dhe leviti.

  • Si u përgjigjet shëmbëlltyra e Samaritanit të mirë pyetjeve që i bënë Jezusit te Lluka 10:25–29? Ftojini anëtarët e klasës që të flasin rreth rasteve kur e kanë ndier që “një [njeri]” (vargu 30) kishte medoemos nevojë për ndihmë. Si erdhi ndihma? Në ç’mënyrë mund të punojmë së bashku si anëtarë të lagjes për t’i ndihmuar të tjerët, ashtu siç bënë Samaritani i mirë dhe hanxhiu?

Lluka 10:38–42

Ne duhet të zgjedhim “pjesën më të mirë” duke bërë zgjedhje të përditshme që çojnë drejt jetës së përjetshme.

  • Pasi të lexoni te Lluka 10:38–42 si klasë, ju mund t’i pyetni anëtarët e klasës se si do të kishin reaguar ndaj këshillës së Shpëtimtarit nëse do të kishin qenë në vend të Martës. Si mund të kishte ndikuar kjo përvojë te zgjedhjet e tyre të ardhshme? Si mund ta dimë se cilat gjëra në jetën tonë meritojnë më shumë kohë dhe vëmendje? Anëtarët e klasës mund të kërkojnë te mesazhi i Presidentit Dallin H. Ouks “Mirë, Më Mirë, Më e Mira” (Liahona, nëntor 2007, f. 104–108) për të gjetur këshilla që mund t’i ndihmojnë ata.

ikona e burimeve

Burime Shtesë

Borxhet te shëmbëlltyra e shërbëtorit të pamëshirshëm.

Duke komentuar për borxhet te shëmbëlltyra e shërbëtorit të pamëshirshëm, Plaku Xhefri R. Holland tha:

“Ka njëfarë ndryshimi në mendim mes studiuesve, lidhur me vlerat monetare të përmendura këtu – dhe më falni që po përdor vlerat monetare të SHBA-së – por për ta bërë të lehtë matematikën, në qoftë se borxhi më i vogël, i pafalur prej 100 denarësh do të ishte, të themi, 100 dollarë në kohën e sotme, atëherë borxhi prej 10.000 talentash, i cili u fal kaq bujarisht, do t’i afrohej 1 miliard dollarëve – ose më shumë!

Si borxh vetjak, kjo është një shifër astronomike – tërësisht përtej kuptueshmërisë sonë. (Askush nuk mund të blejë aq shumë!) Epo, për qëllimet e kësaj shëmbëlltyre, ai hamendësohet të jetë i pakuptueshëm; hamendësohet të jetë përtej aftësisë sonë për ta marrë vesh, për të mos thënë që është përtej aftësisë sonë për ta ripaguar. Kjo është ngaqë ky nuk është një tregim në Dhiatën e Re rreth dy shërbëtorëve që po grinden. Ai është një tregim rreth nesh, familjes së rënë njerëzore – të gjithë borxhlinjve, shkelësve dhe të burgosurve në vdekshmëri. Çdokush prej nesh është borxhli dhe ndëshkimi ishte burgim për secilin prej nesh. Dhe atje do të kishim mbetur të gjithë ne nëse nuk do të ishte për hirin e një Mbreti, i cili na çliron ngaqë Ai na do dhe ‘nxitet me pasion kundrejt nesh’ [Doktrina e Besëlidhje 121:4]” (“Jini, pra, të Përkryer – Përfundimisht”, Liahona, nëntor 2017, f. 41).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndiqeni shembullin e Shpëtimtarit. Ndërsa i lexoni tregimet e Shpëtimtarit duke dhënë mësim në Dhiatën e Re, kërkoni për mësime në shembullin e Tij, të cilat mund t’ju ndihmojnë të bëheni një mësues më i mirë. Për shembull, te Lluka 10:25–37, çfarë bëri Jezusi për t’i dhënë mësim doktorit të ligjit rreth mënyrës se si ta merrte jetën e përjetshme?