Dhiata e Re 2023
3–9 Korrik. Veprat e Apostujve 1–5: “Do të Bëheni Dëshmitarët e Mi”


“3–9 Korrik. Veprat e Apostujve 1–5: ‘Do të Bëheni Dëshmitarët e Mi’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)

“3–9 Korrik. Veprat e Apostujve 1–5”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023

turmë njerëzish në breg të lumit dhe duke u pagëzuar në lumë

Day of Pentecost [Dita e Rrëshajave], nga Sidney King

3–9 Korrik

Veprat e Apostujve 1–5

“Do të Bëheni Dëshmitarët e Mi”

Nëse i lexoni Veprat e Apostujve 1–5 dhe e kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit, ju do të merrni frymëzim rreth asaj se cilat të vërteta nga kapitujt do t’i ndihmojnë anëtarët e klasës suaj që të mbështeten më plotësisht te Fryma e Shenjtë dhe të jenë dëshmitarë besnikë të Zotit Jezu Krisht.

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ka shumë fragmente kuptimplote dhe parime te Veprat e Apostujve 1–5. Një mënyrë e shkëlqyer për të zbuluar se cilat janë më të vlefshmet dhe më domethënëset për anëtarët e klasës suaj, është që t’i lini ata t’ju tregojnë atë që u la mbresë gjatë studimit të tyre. Si do ta ftoni këtë lloj të treguari? Mund të jetë po aq e thjeshtë sa t’u lini pak minuta kohë që të gjejnë dhe të tregojnë një varg nga Veprat e Apostujve 1–5 tek i cili ata e ndien zërin e Zotit t’u fliste atyre.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Veprat e Apostujve 1:1–8; 2:37–39; 4:1–13, 31–33

Jezu Krishti e drejton Kishën e Tij nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

  • Leximi rreth përvojave të Apostujve mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës suaj që ta kuptojnë mënyrën se si ata mund të marrin fuqi dhe udhërrëfim nga Fryma e Shenjtë në thirrjet dhe detyrat e tyre të Kishës. Një mënyrë për t’i shqyrtuar përvojat te Veprat e Apostujve 1–5 do të ishte të shkruani në tabelë: Fryma e Shenjtë i ndihmoi Apostujt ta udhëhiqnin Kishën duke: dhe më pas t’i ftoni anëtarët e klasës të këqyrin Veprat e Apostujve 1:1–8; 2:37–39 dhe 4:1–13, 31–33, duke kërkuar mënyra se si ta përfundojnë fjalinë. Më pas anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja në të cilat Fryma e Shenjtë i ndihmoi në këto mënyra. Përse kishin nevojë Apostujt për Frymën e Shenjtë – dhe pse kemi ne nevojë për Të?

Veprat e Apostujve 1:15–26

Apostujt e Jezu Krishtit janë thirrur nga Perëndia nëpërmjet zbulesës.

  • Merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të shpjegojnë se si mund të funksionojë një biznes për zgjedhjen e një zëvendësuesi për një pozicion drejtues. Cilat janë kualifikimet që mund të kërkojnë? Kërkojuni anëtarëve të klasës ta krahasojnë këtë me mënyrën se si u thirr Apostulli Matia (shih Veprat e Apostujve 1:15–26; shih edhe 1 Samuelit 16:1–13) dhe me fjalët e Presidentit Gordon B. Hinkli te pjesa “Burime Shtesë” duke përshkruar mënyrën se si thirren Apostujt sot. Si ndikon metoda e Perëndisë për zgjedhjen e udhëheqësve te besimi ynë ndaj udhëheqësve që Ai ka thirrur? Anëtarët e klasës mund të tregojnë se si e kanë fituar një dëshmi që apostujt dhe profetët e sotëm thirren prej Tij.

Veprat e Apostujve 2:37–47

Fryma e Shenjtë na frymëzon që të veprojmë sipas asaj që mësojmë.

  • Ndërsa anëtarët e klasës i studiojnë shkrimet e shenjta në shtëpi dhe së bashku në klasë çdo javë, ata shpesh mund të ndihen të “pikëllua[r] në zemër” (Veprat e Apostujve 2:37). Ju mund të ndiheni i frymëzuar t’i ndihmoni që të bëjnë një hap përpara, duke i pyetur: “Çfarë duhet të bëjmë?” (Veprat e Apostujve 2:37.) Lexojini së bashku Veprat e Apostujve 2:37–47, duke i ftuar anëtarët e klasës të kërkojnë gjërat që bëri ky grup prej 3 000 njerëzish si rrjedhojë e ftesës së Pjetrit. Ndoshta ata mund të tregojnë gjithashtu mënyra se si kanë vepruar sipas frymëzimit që kanë marrë nga studimi i fjalës së Perëndisë prej tyre. Më pas, ju mund të ruani kohë në fund të orës mësimore që çdo person t’i bëjë vetes pyetjen: “Çfarë duhet të bëj unë?” dhe t’i mbajë shënim mbresat e tij/saj.

Pjetri buzëqesh dhe predikon me plagë në fytyrë

Pavarësisht se ishte arrestuar dhe rrahur, Pjetri e predikoi me guxim ungjillin.

Veprat e Apostujve 3; 4:1–21; 5:12–42

Kur mbushemi me Frymën e Shenjtë, ne mund ta predikojmë ungjillin me guxim.

  • Anëtarët e klasës mund të shqyrtojnë vargjet te Veprat e Apostujve 3; 4:1–21; 5:12–42, duke kërkuar shembuj të Pjetrit teksa dëshmon me guxim. Ose mund të shohin njërin prej materialeve filmike: “Peter Preaches and Is Arrested” [“Pjetri Predikon dhe Arrestohet”], “Peter and John Are Judged” [“Pjetri dhe Gjoni Gjykohen”] ose “Peter and John Continue Preaching the Gospel” [“Pjetri dhe Gjoni Vazhdojnë ta Predikojnë Ungjillin”] (ChurchofJesusChrist.org). Çfarë do të thotë ta “shpall[ësh] fjalën e Perëndisë me [guxim]”? (Veprat e Apostujve 4:31.) Si na ndihmon Fryma e Shenjtë që ta përhapim ungjillin me guxim? Si është i ndryshëm ky guxim nga të qenit kundërshtues? Anëtarët e klasës mund të kenë përvoja për të treguar, në të cilat ata ose dikush që e njohin, e kanë mbrojtur ose kanë dëshmuar me guxim për ungjillin.

ikona e burimeve

Burime Shtesë

Thirrja e një anëtari të Të Dymbëdhjetëve.

Gordon B. Hinkli tregoi idetë vijuese rreth procesit të thirrjes së një Apostulli të ri: “Procedura është unike për kishën e Zotit. Nuk ka luftë për detyrën, nuk ka dredhi për postin, nuk ka fushatë për nxjerrjen në pah të virtyteve vetjake. Krahasojeni mënyrën e Zotit me mënyrën e botës. Mënyra e Zotit është e qetë, është mënyra e paqes, nuk është me bujë apo shpenzime në para. Ajo është pa egoizëm apo mëndjemadhësi apo ambicie. Sipas planit të Zotit, ata që kanë përgjegjësi për të zgjedhur drejtues, udhëhiqen nga një pyetje thelbësore: ‘Kë dëshiron të thërrasë Zoti?’ Ka diskutime të qeta dhe plot mendim. Dhe bëhen shumë lutje për të marrë pohimin nga Shpirti i Shenjtë që zgjedhja është ajo e duhura” (“God Is at the Helm”, Ensign, maj 1994, f. 53).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ftojini nxënësit të veprojnë. Fryma e Shenjtë shpesh na frymëzon që të veprojmë sipas asaj që po mësojmë (shih Veprat e Apostujve 2:37). Kur kjo u ndodhi njerëzve që po u jepte mësim Pjetri, ai u bëri një ftesë (shih Veprat e Apostujve 2:38). Merrni parasysh se si mund ta ndiqni shembullin e Pjetrit.