“26 Qershor – 2 Korrik. Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21: ‘U Ringjall’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“26 Qershor – 2 Korrik. Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
26 Qershor – 2 Korrik
Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21
“U Ringjall”
Përpara se t’i shqyrtoni idetë për mësimdhënien në këtë përvijim të mësimit, lexoni te Mateu 28; Marku 16; Lluka 24 dhe Gjoni 20–21, si dhe përsiatni se si mund të përdoren këta kapituj për ta forcuar besimin e atyre të cilëve u jepni mësim.
Ftojini të Tregojnë
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të tregojnë atë që e mësuan në studimin e tyre vetjak dhe familjar, kërkojuni të shkruajnë një të vërtetë nga pjesa e caktuar për lexim e kësaj jave, të cilën mendojnë se duhet t’ia tregojnë “mbarë botë[s]” (shih Marku 16:15). Në fund të orës mësimore, pyetini nëse gjetën ndonjë të vërtetë shtesë të cilën do të donin ta tregonin.
Jepeni Mësim Doktrinën
Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20
Ngaqë Jezusi u ringjall, edhe ne do të ringjallemi.
-
Mund t’u jepni anëtarëve të klasës disa minuta kohë për ta rishikuar detyrën e leximit të kësaj jave dhe temën “Ringjallje” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta dhe të shkruajnë të vërteta që ata i mësuan rreth Ringjalljes. Lejojini disa vetë të tregojnë atë që shkruan dhe nxitini anëtarët e klasës që të ngrenë duart kur dëgjojnë se dikush po thotë një të vërtetë që është e ngjashme me atë që shkruan ata. Përse janë këto të vërteta të rëndësishme për ne? Si ndikojnë ato te marrëdhëniet tona? Si ndikojnë ato te zgjedhjet tona?
Ne mund ta ftojmë Shpëtimtarin që të “rri[jë] me ne”.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të kuptojnë lidhjet midis përvojave të tyre dhe përvojës së dishepujve në udhën për në Emaus, vizatoni një rrugë në tabelë dhe ftojini anëtarët e klasës të shkruajnë hollësi nga tregimi te Lluka 24:13–35 në njërën anë të rrugës. Më pas, në anën tjetër të rrugës, ata mund të shkruajnë ngjashmëri që i shohin në vetë përvojat e tyre si pasues të Jezu Krishtit. Për shembull, ata mund të shkruajnë “Sytë e tyre ishin të penguar” (Lluka 24:16) në njërën anë të rrugës dhe Ne nganjëherë nuk e kuptojmë ndikimin e Zotit në jetën tonë në anën tjetër. Si mund ta ftojmë Shpëtimtarin që të qëndrojë me ne?
“Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar.”
-
Klasa juaj e Shkollës të së Dielës mund të jetë një vend për anëtarët e klasës që ta forcojnë besimin e njëri-tjetrit në gjëra që nuk mund t’i shohin. Ndoshta ju mund ta filloni duke i kërkuar dikujt që ta përmbledhë përvojën e Thomait te Gjoni 20:19–29. Ju gjithashtu mund të shfaqni materialin filmik “Blessed Are They That Have Not Seen, and Yet Have Believed” [“Lum Ata që Nuk Kanë Parë dhe Megjithatë Kanë Besuar”] (ChurchofJesusChrist.org). Anëtarët e klasës mund të renditin në tabelë disa gjëra që Perëndia na i kërkon t’i besojmë pa i parë. Më pas mund t’u kërkoni atyre që të tregojnë përvoja që i kanë forcuar dëshmitë e tyre për këto gjëra dhe bekime që u kanë ardhur ndërsa kanë ushtruar besim.
Shpëtimtari na fton t’i kullotim delet e Tij.
-
Çfarë mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës suaj për ta pranuar ftesën e Shpëtimtarit që t’i “kulloti[n] delet e [Tij]”? Ju mund të filloni duke i ftuar të lexojnë në heshtje te Gjoni 21:15–17, duke e zëvendësuar emrin e Simonit me vetë emrin e tyre dhe “qengjat e mi” dhe “delet e mia” me emrat e njerëzve që e ndiejnë se Zoti dëshiron që ata t’u shërbejnë – për shembull, njerëzve që u japin shërbesë, fqinjëve apo njerëzve që i njohin nga puna ose shkolla. Pas disa minutash, anëtarët e klasës mund të tregojnë mbresat që patën. Çfarë mësojmë rreth Shpëtimtarit nga veprimet e Tij te Gjoni 21:4–13? Çfarë mund të bëjmë për t’i kullotur qengjat dhe delet e Shpëtimtarit? Thënia nga Plaku Geri E. Stivenson te pjesa “Burime Shtesë” mund të ndihmojë për të dhënë përgjigje për këtë pyetje.
Burime Shtesë
Si mund t’i “kulloti[m] delet e [Tij]”?
Plaku Geri E. Stivenson shpjegoi se si ne mund ta përmbushim urdhërimin e Zotit për t’i kullotur delet e Tij:
“Kush është bari? Çdo burrë, grua dhe fëmijë në mbretërinë e Perëndisë është bari. Nuk kërkohet asnjë thirrje për këtë. Nga çasti kur dalim nga ujërat e pagëzimit, ne jemi të ngarkuar me këtë punë. Ne u shkojmë të tjerëve në ndihmë, sepse kjo është ajo që na urdhëroi Shpëtimtari të bëjmë. … Sa herë që fqinjët tanë kanë shqetësime materiale ose shpirtërore, ne vrapojmë për t’i ndihmuar. Ne mbajmë barrët e njëri‑tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta. Vajtojmë me ata që vajtojnë. I ngushëllojmë ata që kanë nevojë për ngushëllim [shih Mosia 18:8–9]. Zoti plot dashuri, e pret këtë prej nesh. Dhe do të vijë dita kur do të mbajmë përgjegjësi për kujdesin që tregojmë në dhënien e shërbesës për grigjën e Tij [shih Mateu 25:31–46]” (“Kujdestaria si Një Bari për Shpirtrat”, Liahona, nëntor 2018, f. 111).