“17–23 Korrik. Veprat e Apostujve 10–15: ‘Fjala e Perëndisë Rritej dhe Përhapej’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“17–23 Korrik. Veprat e Apostujve 10–15”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
17–23 Korrik
Veprat e Apostujve 10–15
“Fjala e Perëndisë Rritej dhe Përhapej”
Studimi me lutje i kapitujve te Veprat e Apostujve 10–15 përpara leximit të këtij përvijimi të mësimit, do t’ju ndihmojë të merrni mbresa nga Zoti. Idetë më poshtë janë vetëm sugjerime.
Ftojini të Tregojnë
Ftojini anëtarët e klasës t’i tregojnë dikujt që u është ulur pranë, diçka që Shpirti ua ka mësuar teksa lexuan Veprat e Apostujve 10–15. Ftojini disa studentë që t’ia tregojnë idetë e tyre tërë klasës.
Jepeni Mësim Doktrinën
Veprat e Apostujve 10; 11:1–18; 15:1–25
Ati Qiellor na mëson rresht pas rreshti nëpërmjet zbulesës.
-
Disa anëtarë të klasës mund të kenë nocione të gabuara në lidhje me procesin e marrjes së zbulesës. Mund të jetë e dobishme për ta të diskutoni për mënyrën se si i erdhi zbulesa Pjetrit dhe për mënyrën se si mund të bëjnë përpara “pa asnjë ngurrim” (Veprat e Apostujve 10:20), kur zbulesa duket e paplotë apo e paqartë. Merrni parasysh të bëni një vizë në tabelë dhe të shkruani në njërin fund të vizës Ungjilli duhet t’u predikohet johebrenjve. Si klasë, shqyrtojini vargjet te Veprat e Apostujve 10 dhe 11:1–18 dhe më pas shtoni pika çështjeje në vizë që tregojnë mënyrën se si Zoti ia zbuloi Pjetrit hap pas hapi se kishte ardhur koha për t’ua predikuar ungjillin johebrenjve. Për shembull, ju mund të filloni me një pikë të titulluar “Korneli pa një vegim” (Veprat e Apostujve 10:1–6) ose madje mund të filloni me urdhrin e Shpëtimtarit dhënë dishepujve të Tij që të “bëni[n] dishepuj nga të gjithë popujt” te Mateu 28:19. Çfarë mund të mësojmë rreth zbulesës nga përvoja e Pjetrit? Çfarë i shtojnë të kuptuarit tonë mësimet e Nefit për zbulesën te 2 Nefi 28:30 dhe mësimet nga Plaku Dejvid A. Bednar te pjesa “Burime Shtesë”.
-
Ju mund t’i studioni rastet në shkrimet e shenjta në të cilat Zoti u dha mësim njerëzve rresht pas rreshti. Përveç përvojës së Pjetrit te Veprat e Apostujve 10, anëtarët e klasës mund të shqyrtojnë përvojat e Nefit (1 Nefi 18:1–3), Almës (Alma 7:8; 16:20) dhe Mormonit (3 Nefi 28:17, 36–40). Për çfarë shembujsh të tjerë mund të mendojnë anëtarët e klasës, në të cilët njerëzit morën udhërrëfim shpirtëror “pak këtu dhe pak atje”? (2 Nefi 28:30.) Përse mund të zgjedhë Zoti ndonjëherë që t’i zbulojë gjërat në këtë mënyrë në vend që të na i japë përgjigjet të gjitha njëherësh? (Shih Doktrina e Besëlidhje 50:40; 98:12.)
-
Ndonjëherë anëtarët kanë pyetje ose shqetësime rreth ndryshimeve në rregulloret dhe programet në Kishë. Kjo mund t’i ndihmojë të diskutojnë për mënyrën se si zbulesa për të filluar predikimin e ungjillit te johebrenjtë (shih Veprat e Apostujve 10) zëvendësoi udhëzimet e mëparshme të Zotit për dishepujt e Tij (shih Mateu 10:1, 5–6). Ju mund të shfaqni materialin filmik “The Jerusalem Conference” [“Konferenca e Jerusalemit”] (ChurchofJesusChrist.org). Si mund t’i përgjigjeshin anëtarët e klasës një personi në kohën e Pjetrit, i cili nuk binte dakord me udhëzimin e Pjetrit ngaqë ajo binte ndesh me rregulloret e mëparshme? Si mund të na ndihmojë zbulesa te Veprat e Apostujve 10 që t’ia vëmë veshin zbulesës së vazhdueshme të Zotit përmes profetit të Tij?
“Perëndia nuk tregohet i anshëm.”
-
A do të ishte i dobishëm për anëtarët e klasës suaj një diskutim rreth kuptimit të frazës “nuk tregohet i anshëm”? Ju mund të filloni duke e ftuar klasën që të lexojë shkrimet e shenjta që na mësojnë se Perëndia nuk tregohet i anshëm, të tilla si Romakëve 2:1–11; 1 Nefi 17:34–40; 2 Nefi 26:32–33; Alma 5:33; Moroni 8:12 dhe Doktrina e Besëlidhje 1:34–35. Kërkojuni anëtarëve të klasës të shkruajnë përkufizime të mundshme të frazës “nuk tregohet i anshëm”, bazuar tek ajo që lexojnë dhe më pas të tregojnë atë që shkruan. Si tregojnë ngjarjet dhe parimet te Veprat e Apostujve 10:34–48 që Perëndia nuk tregohet i anshëm? Si mund të “pran[ohen]” dhe “favoriz[ohen]” të drejtët nga Perëndia edhe pse Ai nuk tregohet i anshëm? (Shih Veprat e Apostujve 10:34–35; 1 Nefi 17:35.)
Juve mund t’ju duhet t’i ndihmoni anëtarët e klasës të kuptojnë se [fakti] që Perëndia “nuk tregohet i anshëm”, nuk do të thotë që Ai e bekon gjithkënd njëlloj pavarësisht nga veprimet tona. Ai do që të gjithë fëmijët e Tij ta pranojnë ungjillin e Tij, por plotësia e bekimeve të ungjillit rezervohet për ata që i bëjnë dhe i mbajnë besëlidhjet me Të.
Burime Shtesë
Marrja e zbulesës rresht pas rreshti.
Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Shumë prej nesh zakonisht supozojnë se do të marrim një përgjigje apo një mbresë për lutjet dhe përgjërimet tona më të zellshme. Dhe ne gjithashtu shpesh presim që një përgjigje apo mbresë e tillë do të vijë menjëherë dhe e gjitha njëherësh. Kështu që ne priremi të besojmë se Zoti do të na japë një përgjigje të madhe shpejt dhe të gjithën njëherësh. Sidoqoftë, modeli i përshkruar në mënyrë të përsëritur në shkrimet e shenjta sugjeron që ne marrim ‘rresht pas rreshti, parim pas parimi’ ose me fjalë të tjera, shumë përgjigje të vogla përgjatë një periudhe kohe. Të dalluarit dhe të kuptuarit e këtij modeli është një çelës i rëndësishëm për marrjen e frymëzimit dhe ndihmës nga Fryma e Shenjtë” (“Line upon Line, Precept upon Precept”, New Era, shtator 2010, f. 3–4).