Dhiata e Vjetër 2022
27 Dhjetor – 2 Janar. Moisiu 1; Abraham 3: “Kjo Është Vepra Ime dhe Lavdia Ime”


“27 Dhjetor – 2 Janar. Moisiu 1; Abraham 3: ‘Kjo Është Vepra Ime dhe Lavdia Ime’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“27 Dhjetor – 2 Janar. Moisiu 1; Abraham 3”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022

pamje e yjeve në hapësirë

27 Dhjetor – 2 Janar

Moisiu 1; Abraham 3

“Kjo Është Vepra Ime dhe Lavdia Ime”

Teksa lexoni te Moisiu 1 dhe Abraham 3, mbajeni mendjen dhe zemrën të hapur ndaj mbresave nga Shpirti. Ai do t’ju frymëzojë me mendime dhe ide që do t’ju ndihmojnë për t’u përgatitur që të jepni mësim.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Anëtarët e klasës suaj mund të kenë pasur disa përvoja të mrekullueshme gjatë leximit në shtëpi të kapitujve te Moisiu 1 dhe Abraham 3. Si do t’u jepni anëtarëve të klasës mundësi për t’i treguar ato përvoja? Mund të jetë aq e thjeshtë sa bërja e pyetjeve si këto: Çfarë ju la mbresa teksa lexuat shkrimet e shenjta këtë javë? Çfarë ju habiti? Çfarë ju bëri të ndaleni e të mendoni? Çfarë ju ndihmoi të ndiheni më pranë Atit tuaj Qiellor dhe Jezu Krishtit?

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Moisiu 1:1–10, 37–39; Abraham 3:22–26

Si fëmijë të Perëndisë, ne kemi një fat hyjnor.

  • Të vërtetat e zbuluara në vegimet e Moisiut dhe të Abrahamit mund të kenë një ndikim të fuqishëm në zgjedhjet tona dhe në aftësinë tonë për t’i kapërcyer sfidat e jetës. Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës suaj që t’i zbulojnë këto të vërteta te Moisiu 1 dhe Abraham 3? Një ide është ta ndani klasën në grupe dhe t’i caktoni secilit grup njërin nga fragmentet vijuese: Moisiu 1:1–10; Moisiu 1:37–39; Abraham 3:22–26. Secili grup mund të kërkojë përgjigje për pyetje të tilla si: “Kush jam unë?” “Përse jam këtu?” dhe “Kush dëshiron Perëndia që unë të bëhem?” Mbas një kohe të mjaftueshme, grupet më pas mund të tregojnë përgjigjet e tyre. Si mund të ndikojnë këto përgjigje te veprimet tona të përditshme?

    Jezu Krishti mes yjesh

    Krishti dhe Krijimi, nga Robert T. Barrett

Moisiu 1:12–23

Ne mund t’i bëjmë ballë ndikimit të Satanit.

  • Ballafaqimi i Moisiut me Satanin, që gjendet te Moisiu 1:12–23, mban mësime që mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës suaj kur përballen me tundim ose mashtrim nga kundërshtari. Çfarë mund të mësojmë nga përgjigjja e Moisiut? Materiali filmik “I Am a Son of God” [“Unë Jam Bir i Perëndisë”] (ChurchofJesusChrist.org) mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës që të diskutojnë për njërën nga taktikat e Satanit – të na tundojë që të kemi dyshim rreth përvojave tona shpirtërore (shih edhe “Burime Shtesë”). Mund të ishte e dobishme nëse anëtarët e klasës do të jepnin ide dhe inkurajim për ta ndihmuar njëri‑tjetrin që t’i dallojmë përpjekjet e Satanit dhe t’u bëjmë ballë atyre.

  • Një mësim nga përvoja e Moisiut është që Satani na tundon me falsifikime të së vërtetës dhe fuqisë së Perëndisë. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta përfytyrojnë këtë, ju mund të sillni në klasë disa sende që janë variante false të gjërave të tjera, të tilla si një bimë artificiale ose një kukull foshnje. Si mund ta dimë se këto janë false? Cilat janë disa nga falsifikimet që Satani i përdor sot për të na tunduar? Si mund t’i dallojmë dhe refuzojmë ato? (Për të mësuar se si e bëri këtë Moisiu, shih Moisiu 1:13–18.) Si na ndihmon Zoti në përpjekjet tona? (Shih Moisiu 1:24–26.)

Abraham 3:22–28

Kjo jetë është mundësia jonë për të treguar se do të bëjmë atë që urdhëron Perëndia.

  • Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës që ta shohin jetën e tyre si mundësi për të provuar besnikërinë e tyre ndaj urdhrave të Perëndisë? Mund të filloni duke iu kërkuar që të flasin rreth përvojave kur iu desh të demonstronin zotësi për një aftësi – për shembull, në shkollë, në punë ose në një skuadër sportive. Ata mund të flasin rreth asaj që iu kërkohej të bënin për ta provuar vetveten. Si janë këto përvoja të ngjashme me atë që përshkruhet tek Abraham 3:24–26? Si janë ato të ndryshme? Si i përfshijmë Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin në përpjekjet tona që ta “provojmë” veten tonë? (Abraham 3:25). Si ndikon dijenia se jemi këtu që të provohemi nëse jemi të bindur, mbi mënyrën se si u përgjigjemi sfidave të jetës?

  • Çfarë tjetër mësojmë nga Abraham 3:22–28 rreth jetës para lindjes ose “gjendje[s sonë të] parë”? (Vargu 26.) Përse këto të vërteta janë me vlerë për ne?

ikona e burimeve shtesë

Burime Shtesë

Mos e vini në dyshim atë që ju është zbuluar.

Plaku Xhefri R. Holland na mësoi këtë gjë rreth përvojës së Moisiut te Moisiu 1: “Mesazhi i Moisiut për ju sot është: Mos e pakësoni vigjilencën tuaj. Mos hamendësoni se një zbulesë e madhe, njëfarë çasti i mrekullueshëm, ndriçues, hapja e një shtegu të frymëzuar është fundi i saj. … Pasi të ketë pasur ndriçim, ruhuni nga tundimi për t’u larguar prej një gjëje të mirë. Nëse ishte e drejtë kur u lutët për të, e mirëbesuat atë dhe jetuat për të, është e drejtë edhe tani. Mos u dorëzoni kur shtohet trysnia. Sigurisht mos iu dorëzoni asaj qenieje që është i prirur për shkatërrimin e lumturisë suaj. Përballuni me dyshimet tuaja. Zotërojeni frikën tuaj. ‘Mos e hidhni tej guximin tuaj’ [Hebrenjve 10:35]. Qëndroni në udhën tuaj dhe shihni bukurinë e jetës të shpaloset për ju” (“Cast Not Away Therefore Your Confidence”, Ensign, mars 2000, f. 7, 9).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojini anëtarët e klasës të zbulojnë të vërteta në shkrimet e shenjta. Përpara se t’i ftoni anëtarët e klasës të lexojnë një fragment nga shkrimet e shenjta, ju mund t’u jepni diçka specifike për ta kërkuar ose shqyrtuar. Për shembull, ata mund të kërkojnë diçka që e mësojnë rreth Shpëtimtarit ose diçka që do të donin t’ia tregonin një pjesëtari të familjes. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 21.)