“17–23 Janar. Zanafilla 5; Moisiu 6: ‘T’ua Mësosh Këto Gjëra Lirisht Fëmijëve të Tu’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“17–23 Janar. Zanafilla 5; Moisiu 6”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
17–23 Janar
Zanafilla 5; Moisiu 6
“T’ua Mësosh Këto Gjëra Lirisht Fëmijëve të Tu”
Përpara se të lexoni ndonjë material shtesë, lexoni dhe përsiatni kapitujt te Zanafilla 5 e Moisiu 6 dhe shënojini mbresat tuaja shpirtërore. Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe ky përvijim mund t’ju japin ide rreth mënyrës se si t’i ndihmoni ata të cilëve u jepni mësim, që të zbulojnë të vërteta domethënëse për ta.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Si mund t’i nxitni anëtarët e klasës të tregojnë idetë dhe përvojat që i patën teksa studiuan kapitujt te Zanafilla 5 dhe Moisiu 6? Ju mund të shkruani në tabelë emrat Adam dhe Enok dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të shkruajnë diçka që njëri nga këta profetë e bëri ose e dha mësim, që është domethënëse për ta.
Jepeni Mësim Doktrinën
Zoti na thërret të bëjmë punën e Tij pavarësisht nga papërshtatshmëritë tona.
-
Ka një mundësi të mirë që dikush në klasën tuaj është ndier – ose po ndihet – i papërshtatshëm për një përgjegjësi në shtëpi ose në kishë. Për ta ndërtuar besimin e anëtarëve të klasës se Zoti mund t’i ndihmojë ata, ju mund t’i ftoni të lexojnë përvojën e Enokut që gjendet te Moisiu 6:26–39. Si e ndihmoi Perëndia Enokun që ta bënte punën e Tij pavarësisht nga gjërat që e frikësonin Enokun? Kërkojuni anëtarëve të klasës të mendojnë rreth shembujve të tjerë të njerëzve të cilët i kapërcyen dobësitë e tyre dhe e përmbushën punën e Zotit, qoftë nga shkrimet e shenjta ose nga vetë jeta e tyre. Çfarë shembujsh mund të tregojmë? (Shih edhe Eksodi 4:10–16; Jeremia 1:4–10; 2 Nefi 33:1–4; Ethëri 12:23–29.)
-
Shumë apostuj dhe profetë të kohëve moderne kanë shprehur shqetësime të ngjashme me ato të Enokut kur kanë përshkruar se si u ndien kur i morën thirrjet e tyre. Përvojat e tyre mund ta zgjerojnë kuptueshmërinë e anëtarëve të klasës për vargjet te Moisiu 6:26–39. Merreni parasysh të rishikoni materialin filmik “On the Lord’s Errand: The Life of Thomas S. Monson” [“Në Punën e Zotit: Jeta e Tomas S. Monsonit”] (ChurchofJesusChrist.org; midis minutave 35:46 dhe 39:40) ose një bisedë nga një anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, i thirrur kohët e fundit (për shembull, shih dëshmitë e Plakut Ronald A. Rasband, Plakut Geri E. Stivenson dhe Plakut Dejll G. Renland [Liahona, nëntor 2015, f. 89–94]). Lejojini anëtarët e klasës të tregojnë atë që u bën përshtypje rreth këtyre shembujve. Çfarë mund të mësojmë nga këta udhëheqës rreth ndjenjave tona vetjake të papërshtatshmërisë? Thënia nga Presidenti Tomas S. Monson te pjesa “Burime Shtesë” gjithashtu mund të jetë e dobishme si pjesë e këtij diskutimi.
Besimi, pendimi, pagëzimi dhe marrja e Frymës së Shenjtë na përgatitin që të kthehemi te Perëndia.
-
Përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet sugjeron leximin te Moisiu 6:48–62 që të gjejmë se çfarë duhet të dijë dhe të bëjë secili prej nesh për t’u shëlbuar. Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë ndonjë ide që ju erdhi nga ai studim në shtëpitë e tyre. Ose mund të diskutoni së bashku në klasë vargjet te Moisiu 6:48–62. Si do t’i përgjigjeshit dikujt që pyet përse janë të domosdoshme besimi, pendimi, pagëzimi dhe marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë? Si i përgjigjet Zoti kësaj pyetjeje te vargjet 53–65 dhe çfarë mësojmë nga përgjigjja e Tij?
“T’ua mësosh këto gjëra lirisht fëmijëve të tu.”
-
Te Moisiu 6:51–63 ne mësojmë për të vërteta të ungjillit që Zoti ia mësoi Adamit dhe i kërkoi atij që t’ua mësonte brezave të ardhshëm. Ndoshta anëtarët e klasës mund të bëjnë një listë të këtyre të vërtetave duke studiuar grupe më të vogla vargjesh, të tilla si vargjet 51–52, 53–57, 58–60, 61–63. Përse këto të vërteta janë me vlerë për brezin e ri të kohës sonë? Çfarë do të donit që të dinin të rinjtë e të rejat rreth Shpëtimtarit nga këto vargje? Anëtarët e klasës mund të jenë të gatshëm të tregojnë ide ose përvoja për ta ndihmuar njëri‑tjetrin që t’ua mësojnë këto të vërteta fëmijëve dhe rinisë më me efektshmëri. Çfarë tjetër mund të mësojmë nga udhëzimet e Zotit për prindërit te Mosia 4:14–15 dhe Doktrina e Besëlidhje 68:25–28; 93:40–50?
-
Për ta shtuar atë që na mëson Moisiu 6 rreth përgjegjësisë së prindërve për t’i mësuar fëmijët e tyre, ju mund tʼi ftoni anëtarët e klasës që të shohin një ose më shumë nga materialet filmike vijuese: “Parenting: Touching the Hearts of Our Youth” [“Prindërimi: Prekja e Zemrës së Rinisë Sonë”], “Proclamation Series: Children” [“Seritë e Proklamatës: Fëmijët”] ose “Mother in Israel” [“Nënë në Izrael”] (ChurchofJesusChrist.org). Çfarë mësojmë nga këto materiale filmike rreth dhënies mësim të ungjillit fëmijëve tanë? Nëse u jepni mësim të rinjve e të rejave, ju mund t’i ftoni të tregojnë se si ata mund t’i përkrahin prindërit në përpjekjet e tyre për ta dhënë mësim ungjillin në shtëpi.
2:48
Burime Shtesë
“Atë që Zoti e thërret, atë Zoti e kualifikon.”
Presidenti Tomas S. Monson dha mësim: “Disa nga ju mund të jenë të druajtur nga natyra ose ta konsiderojnë veten të papërshtatshëm për t’iu përgjigjur pozitivisht një thirrjeje. Mbani mend që kjo vepër nuk është vetëm e juaja dhe imja. Ajo është vepra e Zotit dhe kur jemi në punën e Zotit, na është dhënë e drejta të kemi ndihmën e Zotit. Kujtoni se atë që Zoti e thërret, atë Zoti e kualifikon” (“Duty Calls”, Ensign, maj 1996, f. 44).