“24–30 Janar. Moisiu 7: ‘Zoti e Quajti Popullin e Tij Sion’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“24–30 Janar. Moisiu 7”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
24–30 Janar
Moisiu 7
“Zoti e Quajti Popullin e Tij Sion”
Ndërkohë që studioni te Moisiu 7, mendoni për njerëzit të cilëve u jepni mësim, dhe se si mund t’i ndihmoni të kuptojnë atë që ky kapitull jep mësim rreth Sionit dhe parimeve të tjera të ungjillit.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Nganjëherë një pyetje e thjeshtë dhe pak minuta për të përsiatur mjaftojnë për t’i ndihmuar njerëzit të tregojnë atë që po mësojnë në shtëpi. Ndoshta ju mund t’u jepni anëtarëve të klasës pak kohë që ta rishikojnë kapitullin Moisiu 7, të gjejnë një varg që i bën të ndihen mirënjohës për të vërtetat e rivendosura në librin e Moisiut, dhe më pas ta tregojnë atë.
Jepeni Mësim Doktrinën
Ne mund ta ngremë Sionin në kohën tonë.
-
Cila do të jetë mënyra më e mirë për ta paraqitur konceptin e Sionit në klasën tuaj? Një ide mund të jetë të kontaktoni anëtarë të klasës gjatë javës përpara orës mësimore dhe t’i ftoni të sjellin një send nga shtëpia që e ndiejnë se përfaqëson tiparet e popullit të Sionit, siç përshkruhen te Moisiu 7:18. Teksa i diskutoni këto vargje së bashku, anëtarët e klasës mund të shpjegojnë rëndësinë e sendit që sollën.
-
Materiali filmik “We Come Together and Unite as One” [“Mblidhemi së Bashku dhe Bashkohemi në Një”] (ChurchofJesusChrist.org) mund t’ju ndihmojë të filloni një diskutim rreth mënyrës se si mund të jemi “të një zemre dhe të një mendjeje” (Moisiu 7:18) në lagjet e Kishës dhe familjet tona. Merreni parasysh t’u kërkoni anëtarëve të klasës të mendojnë rreth rasteve kur kanë ndier unitet brenda familjeve të tyre apo ndërkohë që shërbenin me njerëz të tjerë në Kishë ose komunitet. Çfarë bënë njerëzit që të krijonin unitet në këto situata? Çfarë mund të mësojmë rreth Sionit dhe unitetit nga Moisiu 7? (Shih veçanërisht vargjet 16–21, 27, 53, 62–69.) Ja dhe disa shkrime të tjera të shenjta që mund të ndihmojnë: Filipianëve 2:1–4; 4 Nefi 1:15–18; Doktrina e Besëlidhje 97:21; 105:5.
Perëndia vajton për fëmijët e Tij.
-
Disa njerëz mund të mendojnë se Perëndia nuk tregon interes, është i paafrueshëm dhe madje i pakujdesshëm. Si mund ta përdorni vegimin e Enokut për t’i ndihmuar anëtarët e klasës tuaj të kuptojnë se Perëndia është i përfshirë në jetën tonë dhe kujdeset për ne? Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të lexojnë te Moisiu 7:28–44 dhe të bëjnë një listë të disa prej arsyeve pse Perëndia po vajtonte. Çfarë ju mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si ndihet Perëndia për fëmijët e Tij? Thënia te pjesa “Burime Shtesë” mund të kontribuojë në këtë diskutim.
-
Përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet sugjeron përsiatjen për atë që na mëson Moisiu 7:28–31, 35 rreth Perëndisë. Ata që e bënë këtë në shtëpi, mund të jenë të gatshëm t’ia tregojnë mendimet e tyre klasës. Ose ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që t’i përsiatin këto vargje dhe t’i diskutojnë ato në klasë.
Zoti do të vijë përsëri në ditët e fundit.
-
Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës suaj që të zbulojnë atë që Moisiu 7:59–67 na e mëson rreth Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit? Ndoshta mund të renditni në tabelë dy ose tri të vërteta apo ngjarje nga këto vargje dhe t’u kërkoni anëtarëve të klasës t’i hulumtojnë vargjet dhe t’ia shtojnë listës. Përse është bekim të kemi një anal të vegimit të Enokut – një nga profecitë më të hershme për Ardhjen e Dytë?
Burime Shtesë
Perëndia vajton për fëmijët e Tij.
Plaku Xhefri R. Holland dha mësim:
“Në mes të një vegimi të madhërishëm për njerëzimin të cilin qielli ia hapi për ta parë, Enoku, duke vështruar edhe bekimet edhe sfidat e vdekshmërisë, e kthen vështrimin e tij drejt Atit dhe shtanget kur e sheh Atë duke vajtuar. Ai i thotë plot habi dhe mahnitje kësaj Qenieje, më të fuqishmes në gjithësi: ‘Si është e mundur që Ti mund të vajtosh?’ …
Duke hedhur vështrimin mbi ngjarjet e pothuajse çdo dite, Perëndia përgjigjet: ‘Vër re këta vëllezërit e tu; ata janë vepra e duarve të mia. … U kam dhënë [një] urdhërim që ata duhet ta duan njëri‑tjetrin dhe se duhet të më zgjedhin mua, Atin e tyre; por, vër re, ata janë pa dhembshuri dhe e urrejnë vetë gjakun e tyre. … A nuk duhet të vajtojnë qiejt, duke parë se këta do të vuajnë?’ [Moisiu 7:29–33, 37].
Ajo skenë e vetme interesante bën më shumë për të na mësuar rreth natyrës së vërtetë të Perëndisë sesa mund të përçonte ndonjëherë çfarëdo traktati teologjik. … Çfarë shëmbëlltyre e pashlyeshme e përfshirjes së Perëndisë në jetën tonë! Çfarë ankthi përjeton një prind kur fëmijët e Tij nuk e zgjedhin Atë, as ‘ungjillin e Perëndisë’ që Ai e dërgoi! [Romakëve 1:1]. Sa e lehtë ta duash dikë që na do në mënyrë kaq të pazakontë!” (“The Grandeur of God”, Liahona, nëntor 2003, f. 72).