Dhiata e Vjetër 2022
10–16 Janar. Zanafilla 3–4; Moisiu 4–5: Rënia e Adamit dhe Evës


“10–16 Janar. Zanafilla 3–4; Moisiu 4–5: Rënia e Adamit dhe Evës”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“10–16 Janar. Zanafilla 3–4; Moisiu 4–5”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022

Adami dhe Eva duke ecur së bashku

Adami dhe Eva, nga Douglas M. Fryer

10–16 Janar

Zanafilla 3–4; Moisiu 4–5

Rënia e Adamit dhe Evës

Teksa përgatiteni të jepni mësim nga Zanafilla 3–4 dhe Moisiu 4–5, mendoni se cilat pyetje ose veprimtari mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës që ta kuptojnë më mirë Rënien e Adamit dhe të Evës.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Anëtarët e klasës mund të rishikojnë me të shpejtë te Zanafilla 3–4 ose Moisiu 4–5, të përzgjedhin një varg që u bie në sy dhe t’ia tregojnë dikujt që është ulur pranë tyre. Më pas disa njerëz mund t’i tregojnë klasës një ide.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Moisiu 4:1–13; 5:1–12

Na nevojitet liria e zgjedhjes dhe kundërshtimi me qëllim që të rritemi.

  • Ngaqë liria e zgjedhjes – e drejta e dhënë nga Perëndia për të bërë zgjedhje – është një pjesë kaq thelbësore e jetës në vdekshmëri, ne nganjëherë e marrim atë si të mirëqenë. Për ta thelluar vlerësimin e anëtarëve të klasës për këtë dhuratë, ata mund të lexojnë e të diskutojnë vargjet te Moisiu 4:1–4. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth rëndësisë së lirisë së zgjedhjes? Përse do të shkatërrohej plani i Perëndisë nëse nuk do ta kishim lirinë e zgjedhjes? Citimi te pjesa “Burime Shtesë” mund të japë disa ide.

  • Ndoshta anëtarët e klasës e studiuan mesazhin e Presidentit Dallin H. Ouks “Kundërshtim në të Gjitha Gjërat” (Liahona, maj 2016, f. 114–117) si pjesë të studimit të tyre individual ose familjar këtë javë. Gjatë javës, ju mund të merrni parasysh të ftoni disa njerëz që të vijnë të përgatitur për të treguar diçka nga mesazhi i tij, që i ndihmoi ta kuptonin Rënien e Adamit dhe të Evës (shih veçanërisht pjesët I dhe II). Përse Ati Qiellor na lejon të përjetojmë “kundërshtim në të gjitha gjërat”? (Shih 2 Nefi 2:11–16.) Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 29:39–40 dhe të diskutojnë përse tundimet e Satanit janë të nevojshme në planin e Perëndisë. Si na ndihmojnë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kur përballemi me një tundim?

    Eva duke mbajtur frutën

    Largimi nga Edeni, nga Annie Henrie Nader

Moisiu 4:4–12; 5:13–33

Satani përpiqet për të na “mashtruar e verbuar”.

  • Fragmentet te Moisiu 4:4–12; 5:13–33 mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës suaj që të përcaktojnë disa mënyra se si Satani na tundon që të bëjmë të ligën. Ju mund t’i kërkoni gjysmës së klasës të lexojë vargjet te Moisiu 4:4–12 dhe gjysmës tjetër të lexojë vargjet te Moisiu 5:13, 18–33. Teksa lexojnë, ata mund të renditin mënyra se si Satani u përpoq t’i tundonte Adamin, Evën dhe fëmijët e tyre. Si përpiqet t’i bëjë ai po të njëjtat gjëra sot? Si mund të na ndihmojë Ati Qiellor që t’u bëjmë ballë mashtrimeve të Satanit?

Zanafilla 3:1–7; Moisiu 4:22–31; 5:4–15

Shlyerja e Jezu Krishtit na ofron shpresë dhe shëlbim nga Rënia.

  • Sa më shumë që i kuptojmë efektet e Rënies, aq më shumë e vlerësojmë Shlyerjen e Jezu Krishtit. Anëtarët e klasës mund t’i kërkojnë efektet e Rënies te Doktrina e Besëlidhje 3:1; Moisiu 4:22–31 dhe të renditin në tabelë atë që gjejnë. Pastaj mund të kërkojnë te Moisiu 5:4–12, 14–15 që të mësojnë rreth planit të Perëndisë për të na shëlbuar nga ato efekte (shih edhe 2 Nefi 2:19–25; Alma 12:22–34) dhe t’i renditin në tabelë ato që gjejnë. Ata mund të tregojnë edhe se çfarë u bën përshtypje te dëshmitë e Adamit dhe të Evës për Jezu Krishtin, që gjenden te vargjet 10–12. Si ndihemi rreth planit të Perëndisë pas leximit të këtyre shkrimeve të shenjta?

  • Historia e Adamit dhe Evës për shpresën dhe shëlbimin mund t’u japë kurajë anëtarëve të klasës kur jeta është e vështirë. Merreni parasysh që t’i ftoni të gjejnë fjalë dhe fraza te Moisiu 5:7–12 të cilat shprehin shpresën që ndien Adami dhe Eva kur mësuan se Shpëtimtari mund t’i shëlbonte. Kur keni ndier shpresë të ngjashme me atë që ndien Adami dhe Eva? Merreni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë himnet e tyre të parapëlqyera, të cilat shprehin shpresën që vjen nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit. Ju mund t’i këndoni disa nga këto së bashku.

ikona e burimeve shtesë

Burime Shtesë

Ne mund të zgjedhim vetë.

Plaku Dejll G. Renland dha mësim:

“Qëllimi i Atit tonë Qiellor si prindi ynë nuk është që t’i bëjë fëmijët e Tij të bëjnë atë që është e drejtë; është që t’i bëjë fëmijët e Tij të zgjedhin të bëjnë atë që është e drejtë dhe më së fundi të bëhen si Ai. Nëse thjesht Ai do të donte që ne të ishim të bindur, Ai do të përdorte shpërblime dhe ndëshkime të menjëhershme për të ndikuar te sjelljet tona.

Por Perëndia nuk ka interes që fëmijët e Tij thjesht të bëhen ‘kafshë shtëpiake’ të ushtruara dhe të bindura, që nuk do t’i shqyejnë pantoflat e Tij në dhomën qiellore të ndenjjes. Jo, Perëndia do që fëmijët e Tij të rriten shpirtërisht dhe të bashkohen me Të në punën e familjes” (“Zgjidhni Sot”, Liahona, nëntor 2018, f. 104).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Rriteni pjesëmarrjen e anëtarëve të klasës. Shumë veprimtari mund të bëhen si klasë, në grupe të vogla ose në dyshe. Përdorni një larmi metodash për t’i lejuar njerëzit të marrin pjesë, të cilët në të kundërt mund të mos kenë mundësi. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 33–34.)