“4–10 Korrik. 2 Mbretërve 2–7: ‘Ka një Profet në Izrael’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“4–10 Korrik. 2 Mbretërve 2–7”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
4–10 Korrik
2 Mbretërve 2–7
“Ka një Profet në Izrael”
Teksa përgatiteni të jepni mësim, lexoni 2 Mbretërve 2–7 duke kërkuar frymëzim për vetë jetën tuaj. Më pas dëgjoni për nxitje rreth mesazheve që do t’i bekojnë anëtarët e klasës suaj.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Nganjëherë anëtarëve të klasës iu nevojitet kohë që të rishikojnë me të shpejtë kapitujt që i lexuan, përpara se të mund të tregojnë ide nga studimi i tyre vetjak i shkrimeve të shenjta. Përpiquni të siguroni disa minuta për këtë në fillim të orës mësimore; më pas ftojini anëtarët e klasës të tregojnë diçka që e mësuan.
Jepeni Mësim Doktrinën
Perëndia mund të kryejë mrekulli në jetën tonë.
-
Teksa diskutoni për mrekullitë te 2 Mbretërve 2–6, mund të jetë e dobishme që t’iu kërkoni anëtarëve të klasës të përkufizojnë fjalën mrekulli. Mund të lexoni këtë ide nga Presidenti Hauard W. Hanter: “[Mrekullitë] janë shfaqjet e fuqisë [së Perëndisë] të cilat jemi të pafuqishëm t’i shpjegojmë ose t’i kuptojmë tërësisht. … Këto shenja dhe mrekulli ishin më të dukshme në jetën dhe shërbesën e Jezu Krishtit, pikërisht Birit të Perëndisë vetë. Por befasuese dhe habitëse siç ishin ato, mrekullitë e shumta të Krishtit ishin vetëm pasqyrime të atyre mrekullive më të mëdha të cilat Ati i Tij i kishte kryer përpara Tij dhe vazhdon t’i kryejë kudo përreth nesh. … Gjithmonë do të ketë shumë mrekulli, në qoftë se ne kemi sy të shohim dhe veshë të dëgjojmë” (“The God That Doest Wonders”, Ensign, maj 1989, f. 15–16). Si na ndihmojnë këto ide që ta shohim dorën e Perëndisë në jetën tonë?
-
Merreni parasysh t’u kërkoni anëtarëve të klasës të renditin disa nga mrekullitë e përshkruara te 2 Mbretërve 2–6. Çfarë mësojmë për Zotin nga këto mrekulli? Anëtarët e klasës mund të jenë gjithashtu të gatshëm të flasin rreth mrekullive – të mëdha ose të vogla – që i kanë përjetuar ata ose familjet e tyre. Si mund t’i dallojmë më mirë mrekullitë e Perëndisë në jetën tonë – përfshirë ato që janë të ndryshme nga ato për të cilat shpresuam?
-
Anëtarët e klasës mund ta gjejnë frymëzuese që të krahasojnë disa nga mrekullitë që kreu Eliseu me disa mrekulli që i kreu Jezu Krishti (shih 2 Mbretërve 4:8–37 dhe Lluka 7:11–16; 2 Mbretërve 4:42–44 dhe Gjoni 6:1–13; 2 Mbretërve 5:1–15 dhe Lluka 17:11–19). Çfarë na mësojnë këto mrekulli rreth Shpëtimtarit dhe profetëve të Tij?
Nëse jemi të përulur dhe të bindur, Jezu Krishti mund të na shërojë.
-
Një mësim që mund të mësojmë nga shërimi i lebrës së Naamanit, është rëndësia e përulësisë. Për të filluar një diskutim, ju mund të shkruani në tabelë krenaria e Naamanit dhe përulësia e Naamanit. Anëtarët e klasës mund të kërkojnë te 2 Mbretërve 5:1–19 dhe të shkruajnë në tabelë fraza që ilustrojnë krenarinë ose përulësinë e Naamanit. Në ç’mënyrë jemi ne nganjëherë si Naamani? Në ç’mënyrë jemi ne nganjëherë si shërbëtorët e tij? Si kemi arritur të dimë atë që arriti të dinte Naamani?
-
Një mësim tjetër që mund ta mësojmë nga kjo histori, është vlera e bindjes ndaj Perëndisë në gjëra të vogla. Mund të filloni duke lexuar 2 Mbretërve 5:9–12 dhe duke kërkuar mendimet e anëtarëve të klasës rreth arsyes pse Naamani “iku tërë inat” (vargu 12). Përse nganjëherë parapëlqejmë të bëjmë “një gjë të madhe” që Perëndia na e kërkon, në vend të gjërave të thjeshta? (Vargu 13.) Cila është vlera e bërjes së këtyre gjërave të thjeshta?
“Ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta.”
-
Ne të gjithë kemi çaste kur ndihemi të vetëm ose të frikësuar. Merreni parasysh se si diskutimi i rrëfimit te 2 Mbretërve 6:8–23 mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës që ndihen në këtë mënyrë. Mund ta filloni duke i pyetur thjesht anëtarët e klasës se çfarë u bën përshtypje rreth këtyre vargjeve. Ata gjithashtu mund të tregojnë përvoja kur “Zoti [u]a hapi sytë [e tyre]” (vargu 17) dhe i ndihmoi të kuptonin se nuk ishin të vetëm (shih edhe pjesën “Burime Shtesë”). Si mund ta ndihmojmë njëri‑tjetrin që të “mos k[em]i frikë”? (Vargu 16.)
Burime Shtesë
“[Të] hapim sytë tanë shpirtërorë.”
Duke iu referuar rrëfimit te 2 Mbretërve 6:8–23, Plaku Ronald A. Rasband tha:
“Ne mund të kemi ose mund të mos kemi qerre të zjarrta që dërgohen për ta larguar frikën tonë dhe për t’i mposhtur demonët tanë, por mësimi është i qartë. Zoti është me ne, tregon kujdes për ne dhe na bekon në mënyra që vetëm Ai mund të na bekojë. Lutja mund të vërë në dispozicion forcën dhe zbulesën që na nevojitet për t’i përqendruar mendimet tona te Jezu Krishti dhe flijimi i Tij shlyes. Zoti e dinte se nganjëherë do të kishim frikë. Unë e kam provuar atë, po ashtu e keni provuar edhe ju. … Në këtë Kishë ne mund të jemi të paktë në numër për sa i përket mënyrës se si bota e llogarit ndikimin, por, kur i hapim sytë tanë shpirtërorë, ‘ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta’ [2 Mbretërve 6:16]” (“Mos u Shqetësoni”, Liahona, nëntor 2018, f. 18–19).