“25–31 Korrik. Esterit: ʻËshtë Pikërisht për një Kohë të Tillë që Ti Ke Arritur’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“25–31 Korrik. Esterit”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
25–31 Korrik
Esterit
“Është Pikërisht për një Kohë të Tillë që Ti Ke Arritur”
Sa mirë i njihni anëtarët e klasës suaj? Përpiquni që çdo javë ta njihni më mirë një anëtar/e të klasës. Kjo do t’ju ndihmojë që të merrni parasysh nevojat e tyre teksa përgatiteni për të dhënë mësim (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 7).
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Anëtarët e klasës mund t’i tregojnë dikujt që ulet pranë tyre, diçka që Shpirti ua dha mësim, diçka që kanë arritur ta kuptojnë më mirë ose diçka që e përshtatën me jetën e tyre teksa lexonin librin e Esterit. Më pas disa prej tyre mund t’i tregojnë tërë klasës.
Jepeni Mësim Doktrinën
Zoti na vë në situata ku mund të bekojmë njerëz të tjerë.
-
Anëtarët e klasës suaj mund të kenë kërkuar mënyra se si Zoti e bëri të mundur që Esteri t’i shpëtonte judenjtë, siç sugjerohet në përvijimin e kësaj jave tek Eja, më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ftojini të tregojnë atë që gjetën. Ose mund të kërkoni së bashku disa shembuj (shih Esterit 2:21–23; 3:10–14; 4:14–16). Çfarë mund të bëjmë për ta dalluar dorën e Perëndisë në jetën tonë? Thënia nga Plaku Nil L. Andersen te pjesa “Burime Shtesë” përmban një përgjigje ndaj kësaj pyetjeje.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës suaj që të mendojnë rreth mënyrës se si Zoti i ka përgatitur “për një kohë të tillë” (Esterit 4:14), ftojini të lexojnë vargjet tek Esterit 4:10–17. Si mund ta kenë ndihmuar Esterin fjalët e Mardokeut që të merrte vendimin për ta mbrojtur popullin e vet? Ashtu si Perëndia e vendosi Esterin në një pozitë ku ajo mund t’i shpëtonte judenjtë, cilat janë disa situata ku Ai na vendos që të mund t’i bekojmë të tjerët? Si mund të bëhemi mjete më të mira të duart e Tij? Leximi i thënies së Motrës Virxhinia U. Xhensen te pjesa “Burime Shtesë” mund t’i frymëzojë anëtarët e klasës të mendojnë për raste kur ata e ndien se ishin mjete për Zotin. Kërkojuni t’i tregojnë përvojat e tyre, sikurse udhërrëfehen nga Shpirti.
Agjërimi tregon varësinë tonë nga Zoti.
-
Ju mund ta përdorni kapitullin tek Esterit 4 që të diskutoni bekimet që vijnë nga agjërimi. Mund ta bëni një anëtar/e të klasës të rishikojë ngjarjet që i bënë të agjëronin Esterin dhe judenjtë e tjerë. Përse zgjodhën ata të agjëronin? Përse zgjedhim ne të agjërojmë? Ju mund të dëshironi të shqyrtoni së bashku disa shkrime të shenjta shtesë rreth agjërimit, të tilla si Isaia 58:6–12 dhe Mateu 4:1–4; 17:14–21 (shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Agjëroj, Agjërim”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Ndoshta ju ose disa anëtarë të klasës mund të tregojnë përvoja që demonstrojnë se si agjërimi e sjell fuqinë e Zotit në jetën tonë.
Esterit 3:1–11; 4:10–17; 5:1–4
Bërja e asaj që është e drejtë, shpesh kërkon guxim të madh.
-
Rrëfimet për Mardokeun dhe Esterin që mbrojnë plot guxim drejtësinë, mund t’i frymëzojnë anëtarët e klasës që të kenë guximin për të bërë atë që është e drejtë. Ju mund ta ftoni gjysmën e klasës të lexojë rreth Mardokeut (shih Esterit 3:1–11) dhe gjysmën tjetër të lexojë rreth Esterit (shih Esterit 4:10–17; 5:1–4). Nëse do të ishin sot këtu, çfarë mund të thonin Mardokeu dhe Esteri që të na jepnin kurajë kur është e vështirë për të bërë atë që është e drejtë? Anëtarët e klasës gjithashtu mund të tregojnë për situata kur atyre iu desh të vepronin me guxim. Ju mund të shfaqni materialin filmik “Courage” [“Guxim”] (ChurchofJesusChrist.org) ose t’i ftoni anëtarët e klasës të këndojnë një këngë apo të lexojnë tekstin e një kënge rreth mbrojtjes të së vërtetës, të tillë si “Bëj Ç’Ësht’ e Drejt’” (Himne, nr. 149). Më pas diskutoni se çfarë na mëson materiali filmik ose kënga rreth guximit.
Burime Shtesë
Dora e Perëndisë.
Plaku Nil L. Andersen dha mësim:
“Nganjëherë mund ta shohim dorën e Zotit në jetën e të tjerëve, por pyetim veten: ‘Si mund ta shoh unë më qartësisht dorën e Tij në vetë jetën time?’ …
Kur i zbatoni urdhërimet dhe luteni me besim që ta shihni dorën e Zotit në jetën tuaj, unë ju premtoj se Ai do t’i hapë sytë tuaj shpirtërorë edhe më shumë dhe ju do të shihni më qartësisht se nuk jeni të vetëm” (“Ardhtë Mbretëria Jote”, Liahona, maj 2015, f. 121–122).
“Për një kohë të tillë.”
Motra Virxhinia U. Xhensen dha mësim: “Nuk besoj se ju dhe unë jemi rastësisht këtu në këtë kohë të pashoqe. Unë besoj se, sikurse Esteri e lashtësisë, ne ‘pikërisht për një kohë të tillë … ke[mi] arritur në pozitë mbretërore’ [Esterit 4:14], kur ndikimi ynë, shembulli ynë, forca jonë dhe besimi ynë mund të qëndrojnë si një mbrojtëse ndaj baticës gjithnjë në rritje të ligësisë që kërcënon të përmbytë shtëpitë tona, familjet tona dhe njerëzit tanë të dashur” (“Creating Places of Security”, Ensign, nëntor 1997, f. 89).