Dhiata e Vjetër 2022
5–11 Dhjetor. Hagai; Zakaria 1–3; 7–14: “Shenjtërim Zotit”


“5–11 Dhjetor. Hagai; Zakaria 1–3; 7–14: ‘Shenjtërim Zotit’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“5–11 Dhjetor. Hagai; Zakaria 1–3; 7–14”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022

Tempulli i Laies, Havai

Tempulli i Laies, Havai

5–11 Dhjetor

Hagai; Zakaria 1–3; 7–14

“Shenjtërim Zotit”

Ndërsa studioni librat te Hagai dhe Zakaria, përsiatni se si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës të gjejnë domethënie në këto profeci.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Anëtarët e klasës mund të tregojnë vargje nga Hagai dhe Zakaria që i përsiatën ose diskutuan me të tjerët këtë javë dhe të diskutojnë se si këto vargje i ndihmuan të afrohen më pranë Zotit.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Hagai 1; 2:1–9

“Mendohuni mirë për sjelljen tuaj.”

  • Këshilla te Hagai 1 mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës të mendojnë rreth përparësive të tyre. Ju mund t’i ftoni të lexojnë te Hagai 1:1–7 dhe të përcaktojnë se si njerëzit në Jerusalem nuk po ia dilnin mbanë që t’i jepnin përparësi asaj që Zoti donte që ata të bënin. Cilat janë disa gjëra që Zoti na ka kërkuar t’i bëjmë përparësi të mëdha në jetën tonë? Çfarë mund të na e largojë vëmendjen nga përqendrimi tek Ati Qiellor, Shpëtimtari dhe përparësitë e Tyre? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja që i kanë ndihmuar të “mendoh[en] … për sjelljen” e tyre dhe përparësitë e tyre.

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të mendojnë rreth mënyrës se si mund të përqendrohen më plotësisht te përparësitë e Zotit, ju mund t’u kërkoni të shqyrtojnë vargjet te Hagai 2:1–9. Çfarë këshille dha Zoti e cila mund të na ndihmojë që të bëjmë punën e Tij? Anëtarët e klasës mund të tregojnë se si ata janë në gjendje t’i vendosin të parat përparësitë e Zotit në jetën e tyre, ndërkohë që përballen me përgjegjësitë e tyre të tjera të shumta dhe të rëndësishme. Çfarë na mësojnë vargjet te Hagai 2:1–9 rreth mënyrës se si na bekon Zoti kur e vendosim atë të parin në jetën tonë? (Shih edhe pjesën “Burime Shtesë”.) Jepuni anëtarëve të klasës kohë që të shkruajnë atë që ndihen të frymëzuar të bëjnë për shkak të këtij diskutimi.

Zakaria 1–3; 7–8;14

Zoti mund të na bëjë të shenjtë.

  • Për të filluar një diskutim rreth shenjtërimit, ju mund të lexoni së bashku vargjet te Zakaria 14:20–21. Anëtarët e klasës mund të tregojnë se çfarë do të thotë për ta fraza “Shenjtërim Zotit”. Çfarë ndikimi mund të kishte te njerëzit po ta shihnin frazën “Shenjtërim Zotit” të skalitur mbi sende të përditshme? Si ndikon kjo frazë te ne kur e shohim te tempujt sot? Anëtarët e klasës më pas mund të lexojnë vargjet te Zakaria 1:1–6; 3:1–7; 7:8–10; 8:16–17 dhe të diskutojnë atë që mësojnë rreth asaj që do të thotë të jesh i shenjtëruar. Përse shenjtërimi ynë vetjak është i rëndësishëm për Zotin? Si na ndihmon Ai që të bëhemi të shenjtëruar?

  • Anëtarët e klasës mund të shqyrtojnë vargjet te Zakaria 2:10–11; 8:1–8; 14:9–11, 20–21 dhe të tregojnë mbresat e tyre rreth asaj se si do të ishte të jetonin me Shpëtimtarin në një gjendje shenjtërimi. Si na përgatit Zoti që të jetojmë në kushtet që përshkroi Zakaria? Si mund ta përdorim fuqinë e Tij për të na ndihmuar që të bëhemi më të shenjtëruar?

hyrja ngadhënjimtare e Jezusit në Jerusalem

“Ja, mbreti yt po të vjen; ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar” (Zakaria 9:9). Hyrja Ngadhënjimtare, nga Harry Anderson

Zakaria 9:9–11; 11:12–13; 12:10; 13:6–7

Jezu Krishti është Mesia i premtuar.

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të kuptojnë lidhjet midis fjalëve të Zakarias dhe jetës së Shpëtimtarit, sikurse i kuptuan njerëzit në kohën e Jezusit, ju mund ta ndani klasën në dy grupe. Jepuni anëtarëve të klasës në grupin e parë njërin nga këto fragmente: Zakaria 9:9–11; 11:12–13; 12:10; 13:6–7. Jepuni anëtarëve të klasës në grupin tjetër njërin nga këto fragmente: Mateu 21:1–11; 26:14–16; 26:31; Gjoni 19:37. Secili anëtar i klasës mund të përpiqet të gjejë dikë nga grupi tjetër që ka një fragment të shkrimit të shenjtë që përkon me fragmentin e vet. Çfarë mësojmë për Shpëtimtarin nga këto vargje?

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të përsiatin vargjet te Zakaria 9:9–11, ju mund të tregoni një figurë të hyrjes ngadhënjimtare të Shpëtimtarit në Jerusalem (shih përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Ose shfaqni materialin filmik “The Lord’s Triumphal Entry into Jerusalem” [“Hyrja Ngadhënjimtare e Zotit në Jerusalem”] (ChurchofJesusChrist.org). Anëtarët e klasës mund të diskutojnë se si mund të ishin ndier po të ishin mes njerëzve që e mirëpritën Jezusin në qytet. Si e mirëpresim ne Atë në jetën tonë vetjake, në shtëpitë tona dhe në komunitetet tona?

ikona e burimeve shtesë

Burime Shtesë

“Mendohuni mirë për sjelljen tuaj.”

Pasi citoi vargjet te Hagai 1:4–7, Plaku Terens M. Vinson dha mësim:

“Ne mund të ndiejmë gëzim afatgjatë kur Shpëtimtari ynë dhe ungjilli i Tij bëhen struktura brenda së cilës e ndërtojmë jetën tonë. Gjithsesi, është kaq e lehtë që ajo strukturë të përbëhet, përkundrazi, nga gjërat e botës, ku ungjilli qëndron si një diçka shtesë kur kemi dëshirë, ose si një frekuentim i thjeshtë i kishës për dy orë të dielave. Kur ky është rasti, ai është i barasvlershëm me vendosjen e të ardhurave tona në ‘një qese të shpuar’.

Hagai po na thotë të jemi të zotuar. …

Nuk ka asnjë thesar, as ndonjë veprimtari të kohës së lirë, as ndonjë status, as ndonjë media shoqërore, as ndonjë lojë kompjuterike, as ndonjë sport, as ndonjë shoqërim me një njeri të famshëm, as ndonjë gjë në tokë që është më e çmuar sesa jeta e përjetshme. Prandaj këshilla e Zotit ndaj çdo njeriu është: ‘Mendohuni mirë për sjelljen tuaj’” (“Dishepujt e Vërtetë të Shpëtimtarit”, Liahona, nëntor 2019, f. 9, 11).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Dëgjoni. Dëgjimi është një veprim dashurie. Një mënyrë për të dëgjuar më me efektshmëri është të shihni te personi që po flet. Kjo do t’ju lejojë të vini re ndonjë komunikim që nuk shprehet me fjalë. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 34.)