“28 Nëntor – 4 Dhjetor. Nahum; Habakuk; Sofonia: ‘Rrugët e Tij Janë të Përjetshme’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“28 Nëntor – 4 Dhjetor. Nahum; Habakuk; Sofonia”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
28 Nëntor – 4 Dhjetor
Nahum; Habakuk; Sofonia
“Rrugët e Tij Janë të Përjetshme”
Shembulli juaj si dikush që e mëson vetë ungjillin, mund t’i bekojë anëtarët e klasës suaj. Tregojuni atyre se si Fryma e Shenjtë po ju ndihmon të kuptoni shkrimet e shenjta dhe shprehni vetëbesimin tuaj se Ai mund t’i ndihmojë edhe ata.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’u dhënë anëtarëve të klasës mundësi që të shprehin ide nga studimi i tyre i shkrimeve të shenjta, ju mund të shkruani fjalët Nahum, Habakuk dhe Sofonia si krerë në tabelë. Më pas anëtarët e klasës mund të shkruajnë nën krerët një fjalë ose frazë që u ra në sy dhe kapitullin dhe vargun ku e gjetën atë. Jepuni kohë të shpjegojnë përse këto fjalë ose fraza ishin domethënëse dhe çfarë u mësoi atyre Fryma e Shenjtë.
Jepeni Mësim Doktrinën
Zoti është i fuqishëm si dhe i mëshirshëm.
-
Përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet sugjeron që të kërkoni vargje te Nahum 1 të cilat përshkruajnë tiparet e Zotit. Ju mund t’i pyetni anëtarët e klasës se çfarë mësuan rreth Zotit nga studimi i tyre vetjak. Për shembull, çfarë mësojmë rreth Tij nga vargjet 1–9? Ju mund të vini në dukje që Nahumi profetizoi për gjykimet e Zotit kundër Ninivesë, kryeqytetit të Asirisë, dhe që Asiria i kishte shtypur izraelitët për shumë vjet. Përse ishte e rëndësishme që izraelitët ta dëgjonin mesazhin e Nahumit rreth Perëndisë? Përse është e rëndësishme për ne sot?
Ne mund të mirëbesojmë te vullneti i Zotit dhe koha e Tij.
-
Mund të jetë e dobishme për anëtarët e klasës që të dinë se, si shumë prej nesh, Habakuku u shqetësua nga ajo që pa në botën përreth tij. Ndoshta anëtarët e klasës mund të lexojnë vargjet te Habakuk 1:1–4 dhe të përmbledhin shqetësimet e Habakukut. Ata gjithashtu mund të krahasojnë pyetjet e tij me pyetje të tjera në shkrimet e shenjta, të tilla si ato që gjenden te Marku 4:37–38 dhe Doktrina e Besëlidhje 121:1–6. Çfarë pyetjesh të ngjashme bëjnë njerëzit rreth Perëndisë sot? Çfarë këshille dha Zoti te Habakuk 2:1–4 që ju ndihmon të mirëbesoni te vullneti dhe koha e Tij? (Shih edhe Marku 4:39–40; Doktrina e Besëlidhje 121:7–8). Anëtarët e klasës mund të gjejnë ide të tjera të dobishme te pjesa “Burime Shtesë”. Gjithashtu mund të tregojnë se si Shpëtimtari i ka ndihmuar të “rroj[n]ë për shkak të besimit” të tyre, edhe kur kanë pyetje që nuk kanë marrë përgjigje.
-
Për të filluar një diskutim të kapitullit te Habakuk 3, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës ta shqyrtojnë kapitullin dhe të tregojnë shprehjet e lavdërimit dhe të besimit që gjejnë. Që t’i zbatojnë këto fjalë për veten e tyre, ju mund ta ftoni çdo anëtar/e të klasës të shkruajë një listë të bekimeve që Perëndia i ka dhënë atij ose asaj. Ftojini të përsiatin atë që do të ndodhte nëse do t’i humbnin disa prej bekimeve të tyre materiale. Lexoni së bashku vargjet te Habakuk 3:17–19 dhe diskutoni përse do të jetë e vështirë që të “ngazëllohem[i] tek Zoti” (vargu 18) gjatë vështirësive si ato që përshkruhen te vargu 17. Në ç’mënyrë mund të zhvillojmë besim si ai i Habakukut?
Zoti do të gëzohet me popullin e Tij në Sion.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të gjejnë shpresë për të ardhmen te Sofonia 3:14–20, ju mund të shkruani në tabelë “Gëzohu dhe ngazëllo me gjithë zemër”, sepse… Më pas anëtarët e klasës mund të kërkojnë në këto vargje bekimet e premtuara për të ardhmen të cilat mund t’i ndihmojnë të ngazëllehen sot. Si na ndihmojnë këto premtime gjatë kohëve të vështira?
Burime Shtesë
Besim do të thotë të kemi mirëbesim tek urtësia, dhembshuria dhe koha e Perëndisë.
Plaku Xhefri R. Holland tha:
“Sa kohë presim për lehtësim nga vështirësitë që na vijnë? Po rreth të duruarit të sprovave vetjake ndërkohë që presim e presim dhe ndihma duket se mezi po vjen? Përse ka vonesa kur barrët duken më shumë sesa mund të mbajmë? …
… Do të ketë raste në jetën tonë kur edhe përpjekja jonë më e mirë shpirtërore dhe lutjet e zjarrta përgjëruese nuk do të japin fitoret për të cilat na pikon në zemër, qoftë në lidhje me çështjet e mëdha globale apo çështjet e vogla vetjake. Pra, ndërsa punojmë dhe presim së bashku për përgjigjet e disa prej lutjeve tona, unë ju ofroj premtimin tim apostolik se ato dëgjohen dhe marrin përgjigje, megjithëse ndoshta jo në kohën apo në mënyrën që i dëshironim. Por ato gjithmonë marrin përgjigje në kohën dhe në mënyrën që një prind i gjithëdijshëm dhe përjetësisht i dhembshur duhet t’u përgjigjet atyre. …
… Besim do të thotë t’i mirëbesojmë Perëndisë në kohë të mira e të këqija, edhe nëse kjo përfshin disa vuajtje derisa ta shohim krahun e Tij të zbulohet në emrin tonë” (“Duke Pritur për Zotin”, Liahona, nëntor 2020, f. 115–116).