1 Korintasve 15:32–54
Trupat Çelestialë, Terrestrialë dhe Telestialë
Përse ia vlen ta ndjekësh Jezu Krishtin edhe nëse të tjerët duket se gjejnë lumturi në mëkat? Pali e shpjegoi një nga arsyet duke u mësuar korintasve rreth shkallëve të ndryshme të lavdisë në Ringjallje. Ky mësim mund të të ndihmojë të përpiqesh të jesh i/e denjë për ringjalljen çelestiale nëpërmjet Jezu Krishtit.
Bekimet e ardhshme në planin e Perëndisë
-
Po ta dije se mësuesi yt do t’i shpërblente të gjithë ata që kishin veshur një ngjyrë të caktuar sot, a do të kishte ndikuar kjo në zgjedhjen e veshjes sate?
-
A do të mërziteshe po të mësoje për këtë pasi të ishte tepër vonë? Përse po ose përse jo?
Për shkak se Ati Qiellor na do, Ai na ka thënë se çfarë ndodh pas kësaj jete dhe cilat zgjedhje do të çojnë në lumturi apo keqardhje. Ndërsa i studion shkrimet e shenjta sot, kërko të vërteta që mund të të motivojnë të bësh zgjedhje që çojnë në lumturinë e përjetshme.
Te 1 Korintasve 15:1–29, Apostulli Pal e korrigjoi bindjen e rreme që “nuk [do të ketë] ringjallje të të vdekurve” (1 Korintasve 15:13). Më pas ai i paralajmëroi korintasit që të mos mashtroheshin nga qëndrimi i njerëzve që thonë: “Le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim” (1 Korintasve 15:32), që shpreh bindjen e rreme se nuk ka jetë pas vdekjes dhe, si rrjedhojë, ajo që bëjmë në këtë jetë nuk ka rëndësi.
Një bindje tjetër e rreme është që, pavarësisht nga zgjedhjet tona, Perëndia do t’ua japë të gjithëve bekimet e jetës së përjetshme (shih te 2 Nefi 28:8; Alma 1:4).
-
Si mund të ndikojnë bindjet e rreme që nuk ka jetë pas vdekjes ose që Perëndia do t’ua japë të gjithëve bekimet e jetës së përjetshme, në vendimet dhe qëndrimet tona? Përse?
Lexo te 1 Korintasve 15:40–42, duke kërkuar mësimet e Palit rreth ringjalljes në planin e Atit Qiellor. Është e dobishme të dish që Përkthimi prej Joseph Smith‑it i vargut te 1 Korintasve 15:40 u referohet gjithashtu trupave telestialë.
-
Përse është e rëndësishme që të dimë të vërtetën se në planin e Atit Qiellor ka shkallë të ndryshme lavdie për trupat e ringjallur?
Shkallët e lavdisë
Përsiat se ku e sheh veten në shtegun drejt mbretërisë çelestiale. A po mbështetesh te Shpëtimtari për të të ndihmuar të jetosh në një mënyrë të atillë që të mund t’i marrësh këto bekime?
A mund ta arrijmë me të vërtetë lavdinë çelestiale?
Disa njerëz ndihen të shkurajuar kur e kuptojnë se sa larg janë nga të jetuarit e jetës çelestiale në tokë. Lexo atë që dha mësim Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, rreth përparimit tonë të përjetshëm ose shiko materialin filmik “Perëndia mes Nesh”, nga kodi kohor 5:01 deri në 6:58, në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org.
“Zemra ime tejmbushet me mirënjohje për Atin tim Qiellor. E kuptoj se Ai nuk i ka dënuar fëmijët e Tij që të hasin pengesa përmes vdekshmërisë pa shpresë për një të ardhme të ndritur dhe të përjetshme. Ai ka siguruar udhëzime që zbulojnë mënyrën se si të kthehemi tek Ai. Dhe në qendër të të gjithë kësaj, është Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti, dhe flijimi i Tij për ne. …
Jemi të gjithë foshnja krahasuar me qeniet e lavdishme dhe madhështore që jemi krijuar për t’u bërë. Asnjë qenie e vdekshme nuk përparon nga ecja këmbadoras deri tek ecja e te vrapimi pa pengesa, tronditje dhe mavijosje të shpeshta. Kjo është mënyra se si mësojmë.”
(Diter F. Uhtdorf, “Perëndia mes Nesh”, Liahona, maj 2021, f. 9)
-
Çfarë të ndihmon të kuptosh pohimi i Plakut Uhtdorf rreth Atit Qiellor?
-
Si ndikon kjo në ndjenjat e tua ndaj Tij dhe në marrëdhënien tënde me Të?
-
Çfarë ndihesh i nxitur të bësh për shkak të asaj që mësove sot?
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Po sikur të përpiqemi të jetojmë me besnikëri në këtë jetë, por të jemi gjithsesi të papërsosur kur të vdesim?
Profeti Jozef Smith (1805–1844) shpjegoi:
“Kur ngjitni një shkallë, duhet të filloni nga fundi dhe të ngjiteni hap pas hapi derisa të arrini në majë; kështu është edhe me parimet e ungjillit – ju duhet të filloni në fillim dhe të vazhdoni derisa t’i mësoni të gjitha parimet e ekzaltimit. Por do të kalojë shumë kohë pasi të keni kaluar përtej velit [të keni vdekur] para se t’i mësoni ato. Jo çdo gjë kuptohet në këtë botë; do të duhet një punë e madhe për të mësuar mbi shpëtimin dhe ekzaltimin tonë madje edhe përtej varrit.”
(Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 284)
Çfarë do të thotë fraza “trupi mbillet në prishje dhe ringjallet në paprishje” (1 Korintasve 15:42)?
Pali e krahasoi trupin e vdekshëm me një farë që është e papërsosur ose e prishur (shih te 1 Korintasve 15:37–38, 42). Pasi vdesim dhe varrosemi (mbillemi si farë ose bimë), një ditë do të ngrihemi nga varri si një bimë që mbin nga toka. Trupat tanë të ringjallur nuk do të jenë më të prishur, por do të përsosen nëpërmjet fuqisë së Perëndisë.
Kush do të marrë lavdi qiellore?
Mbretëria çelestiale është vendi i përgatitur për ata që e kanë “m[arrë] dëshminë e Jezusit” dhe janë “bërë të përsosur nëpërmjet Jezusit, ndërmjetësit të besëlidhjes së re, i cili e kreu këtë shlyerje të përsosur nëpërmjet derdhjes së vetë gjakut të tij” (Doktrina e Besëlidhje 76:51, 69). Për ta trashëguar këtë dhuratë, ne duhet të marrim ordinancat e shpëtimit, t’i zbatojmë urdhërimet dhe të pendohemi për mëkatet tona. Për një shpjegim të hollësishëm të atyre që do ta trashëgojnë lavdinë çelestiale, shih te Doktrina e Besëlidhje 76:50–70; 76:92–96.