Seminari
1 Timoteut 3:1–7; Titit 1:6–9


1 Timoteut 3:1–7; Titit 1:6–9

Peshkopi: Një Njeri me “Dëshmim të Mirë”

Një i ri takohet me peshkopin e tij.

A e dije që peshkopët shërbyen në Kishë në kohën e Palit? Si mund ta bekojnë jetën tënde peshkopët dhe presidentët e degëve? Në letrat e Palit drejtuar Timoteut dhe Titit, ai përvijoi cilësimet për burrat që ishin të thirrur si peshkopë. Ky mësim mund të të ndihmojë t’i kuptosh më mirë cilësitë e peshkopëve dhe presidentëve të degëve dhe mënyrën se si këta shërbëtorë të Zotit mund të të ndihmojnë në jetën tënde.

Kujt i drejtohesh?

Përfytyro sikur po të mundon një çështje e rëndësishme në jetën tënde. Mbase është një vendim për të ardhmen tënde, një sfidë me të cilën po përballesh, apo një zakon i keq që po mundohesh ta ndryshosh.

  • Ku drejtohesh për udhërrëfim kur të mundojnë çështje të rëndësishme?

  • Me kë flet dhe përse?

Lexo thënien në vijim nga Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Portreti zyrtar i Plakut Kuentin L. Kuk. U thirr në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve më 6 tetor 2007.

“Të rinj të çmuar … ju jeni në pragun e vendimeve më të rëndësishme që do të merrni në jetë. Ju lutemi, këshillohuni si me prindërit, ashtu edhe me peshkopin tuaj për zgjedhje të rëndësishme që keni përpara. Lejojeni peshkopin të jetë shoku dhe këshilluesi juaj.”

(Kuentin L. Kuk, “Peshkopët – Barinj Mbi Tufën e Zotit”, Liahona, maj 2021, f. 60)

Gjej një çast për të përsiatur për pyetjet vijuese:

  • A e mendon peshkopin apo presidentin tënd të degës si një mik dhe këshilltar?

  • Kur përballesh me një vendim të rëndësishëm, ose kur të duhet ndihmë shpirtërore, sa gjasa ka që të kërkosh këshillë nga peshkopi yt? Përse?

  • Si mund të të ndihmojë të drejtuarit për udhërrëfim te peshkopi apo presidenti yt i degës?

Teksa e studion këtë mësim, kërko mënyra se si një peshkop apo president dege mund të jetë në gjendje të të përkrahë lidhur me sfidat, vendimet e tua dhe besimin te Jezu Krishti.

Pali jep mësim për cilësimet e një peshkopi

Letrat e Palit të njohura si 1 Timoteut, 2 Timoteut dhe Titit, shpesh janë quajtur letra pastorale ngaqë përmbajnë këshillat e Palit drejtuar pastorëve [barinjve], apo udhëheqësve në Kishë (fjala pastor që do të thotë bari, vjen nga latinishtja). Timoteu dhe Titi ishin bashkëpunëtorë të besuar të Palit, të cilët shërbyen me të në kohë të ndryshme gjatë gjithë udhëtimeve të tij misionare. Në atë kohë, Timoteu po shërbente si një udhëheqës i Kishës në Efes dhe Titi ishte në ishullin grek të Kretës.

Ndër të vërtetat e shumta që Pali dha mësim në këto letra të frymëzuara, ai renditi disa cilësime për burrat që ishin thirrur si peshkopë. Një peshkop është një burrë i cili është shuguruar dhe veçuar si prift i lartë kryesues për një degë ose bashkësi. Ai ka përgjegjësi të përgjithshme për administrimin e çështjeve materiale dhe shpirtërore të bashkësisë. Një president dege ka një rol të ngjashëm. Zoti e zgjedh peshkopin nëpërmjet presidencës së kunjit, i cili po kërkon zbulesë. Përpara se të thirret, peshkopi miratohet nga Presidenca e Parë si i denjë dhe i aftë për të shërbyer.

Lexo te 1 Timoteut 3:1–7 dhe Titit 1:6–9, duke kërkuar kualifikimet për peshkopët. Gjej tri nga këto tipare që do ta ndihmonin një peshkop ose president dege të udhërrëfejë dhe bekojë jetën tënde.

  • Si i mishëron Jezu Krishti këto cilësi? (Merri parasysh t’i lidhësh si referenca–kryq këto vargje me vargun te 1 Pjetër 2:25, ku Pjetri i referohet Shpëtimtarit si “bariu dhe ruajtësi i shpirtrave [tanë]”.)

  • Si mund ta lejojë të pasurit e këtyre cilësive një peshkop apo president dege të të ndihmojë ashtu siç do të bënte Shpëtimtari?

  • Si do ta përmblidhje atë që mësove rreth peshkopëve dhe presidentëve të degëve?

Shkrimi në një copë letër me një stilolaps ose laps. 1. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Cilat cilësi si të Krishtit ke vënë re te peshkopi ose presidenti yt i degës? Si e kanë lejuar atë këto cilësi të jetë një mjet në duart e Zotit?

  • Si të ka ndihmuar ose mund të të ndihmojë një peshkop të afrohesh më pranë Jezu Krishtit dhe ta forcosh besimin tënd tek Ai?

Një bari mbi tufën e Zotit

Merre parasysh t’i shenjosh të gjitha fjalët ose frazat te 1 Timoteut 3:2 apo Titit 1:7–9 që tregojnë përgjegjësinë e një peshkopi për të dhënë mësim.

Peshkopi ose presidenti i degës mund të japë mësim në mënyra të ndryshme, duke përfshirë në mbledhje, orë mësimore dhe intervista personale dhe me anë të shembullit të tij.

Shkrimi në një copë letër me një stilolaps ose laps. 2. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Si ka qenë këshilla ose udhëzimi i një peshkopi apo presidenti dege një bekim për ty apo për dikë që ti njeh?

  • Në ç’mënyra të tjera Zoti kujdeset dhe na ndihmon nëpërmjet peshkopëve dhe presidentëve të degëve?

Një peshkop mund të na ndihmojë të pendohemi

Zoti i ka thirrur gjithashtu peshkopët dhe presidentët e degëve të na ndihmojnë dhe udhërrëfejnë nëpërmjet procesit të pendimit, sidomos nëse kemi kryer mëkate të rënda.

Plaku C. Skot Grou, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim:

Portreti Zyrtar i Plakut C. Skot Grou. Fotografuar në mars 2017.

“Përmes shugurimit dhe të jetuarit të drejtë, peshkopi ka të drejtë për zbulesë nga Fryma e Shenjtë lidhur me anëtarët e lagjes së tij, duke ju përfshirë ju.

Peshkopi mund t’ju ndihmojë përmes procesit të pendimit në mënyra që prindërit ose udhëheqësit e tjerë nuk janë në gjendje t’i ofrojnë. …

… Si shërbëtor i Zotit, ai do të jetë i sjellshëm dhe i mirëkuptueshëm ndërsa ju dëgjon. Ai më pas do t’ju ndihmojë përmes procesit të pendimit. Ai është lajmëtari i mëshirës së Zotit që ju ndihmon të bëheni të pastër përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit.”

(C. Skot Grou, “Përse dhe Çfarë Duhet t’i Rrëfej Peshkopit Tim?”, Liahona, tetor 2013, f. 58, 59)

Gjej pak kohë për të shkruar një letër, mesazh elektronik apo mesazh me celular për peshkopin apo presidentin tënd të degës. Merre parasysh ta falënderosh atë për shërbimin, mësimdhënien dhe shembullin e tij. Përfshi çdo mënyrë të caktuar se si ai të ka ndihmuar. Merre parasysh të vësh në dukje çdo shembull të ngjashmërisë së tij me Krishtin që e ke vënë re dhe e ke vlerësuar. Sipas rastit, ti mund të kërkosh gjithashtu të takohesh me të për t’u këshilluar për një vendim të vështirë, një shqetësim që mund të kesh apo për ndihmë në procesin e pendimit.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

1 Timoteut 3:1. Nga vjen titulli peshkop në Dhiatën e Re?

Titulli peshkop është marrë nga fjala greke episcopos–epi që do të thotë “mbi” dhe scopos që do të thotë “shikoj” ose “këqyr”. Prandaj, një episcopos, apo peshkop, është ai që e mbikëqyr tufën si një udhërrëfyes ose kujdestar.

Përse duhet të shkoj te peshkopi im për t’ia rrëfyer mëkatet?

Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Portreti i fundit zyrtar i Plakut Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2004. Ndërroi jetë më 22 shtator 2015.

“Një shkelje e rëndë, e tillë si imoraliteti, kërkon ndihmën e dikujt që mban çelësat e autoritetit, të tillë si një peshkop apo president kunji, për të vazhduar qetësisht procesin e pendimit për t’u siguruar që pendimi është i plotë dhe është bërë siç duhet”.

(Richard G. Scott, “The Power of Righteousness”, Ensign, nëntor 1998, f. 69–70)

1 Timoteut 3:1. Cila është “pun[a e] mirë” e një peshkopi?

Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi përgjegjësitë kryesore të një peshkopi:

Portreti zyrtar i Plakut Kuentin L. Kuk. U thirr në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve më 6 tetor 2007.

“Peshkopi ka pesë përgjegjësi kryesore në kryesimin e një lagjeje:

  1. Ai është prifti i lartë kryesues në lagje.

  2. Ai është president i Priftërisë Aarone.

  3. Ai është një gjykatës i përbashkët.

  4. Ai bashkërendon punën për shpëtim dhe ekzaltim përfshirë përkujdesjen për njerëzit në nevojë.

  5. Dhe ai mbikëqyr dokumentet, financat dhe përdorimin e shtëpive të mbledhjeve.

Në rolin e tij si prift i lartë, peshkopi është ‘udhëheqësi shpirtëror’ i lagjes. Ai është një ‘dishepull besnik i Jezu Krishtit’. …

Peshkopi ka një rol madhor që të shërbejë si bari për ta udhëhequr drejt Jezu Krishtit brezin e ri, përfshirë të rinjtë e të rejat në moshë madhore beqarë.”

(Kuentin L. Kuk, “Peshkopët – Barinj Mbi Tufën e Zotit”, Liahona, maj 2021, f. 57–58)

Titit 1:7. Çfarë nënkuptoi Pali kur tha se “peshkopi … duhet të jetë i paqortueshëm”?

Një peshkop është zgjedhur nga Zoti dhe duhet të jetë një njeri me karakter moral të lartë dhe denjësi. Megjithatë, të gjithë peshkopët janë të papërsosur dhe ndonjëherë do të bëjnë gabime gjatë shërbimit të tyre.

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa vijon:

14:43

“Lord, I Believe”

Honestly acknowledge your questions and your concerns, but first and forever fan the flame of your faith, because all things are possible to them that believe.

Portreti Zyrtar i Plakut Xhefri R. Holland. Fotografuar në janar 2018.

“Jini dashamirës lidhur me dobësinë e karakterit njerëzor – tuajit, si edhe të atyre që shërbejnë me ju në një Kishë të udhëhequr nga burra dhe gra vullnetare, të vdekshme. Me përjashtim të rastit të Birit të Tij të përsosur, të Vetëmlindur, njerëz të papërsosur janë gjithë çka Perëndia ka pasur si veprues përherë. Kjo duhet të jetë tmerrësisht irrituese për Të, por Ai ia gjen anën asaj. Kështu duhet t’ia gjejmë edhe ne. Dhe kur shihni papërsosuri, mbani mend që kufizimi nuk gjendet te natyra hyjnore e kësaj pune. … Prandaj jini të duruar, dashamirës dhe zemërgjerë.”

(Xhefri R. Holland, “Unë Besoj, o Zot”, Liahona, maj 2013, f. 94)