2 Timoteut 3
Shkrimet e Shenjta
A ndihesh ndonjëherë i rënduar ose nervoz për gjendjen shpirtërore të botës sot? Në një letër drejtuar Timoteut, Pali profetizoi se ditët e fundit do të përfshijnë “kohë të vështira” (2 Timoteut 3:1), por ai gjithashtu dha mësim se Zoti të ka dhënë dhuratën e shkrimeve të shenjta për të të ndihmuar gjatë kohëve të vështira (shih te 2 Timoteut 3:14–17). Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të ndiesh një dëshirë për t’i studiuar shkrimet e shenjta, të cilat mund të të ndihmojnë të mbrohesh nga ligësitë e kohës sonë.
Ditët e fundit
Lexoje thënien në vijim nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe reflekto mbi arsyen përse të jetuarit në këtë kohë të bën të ndihesh mirënjohës, nervoz apo të dyja.
“Ne jetojmë në kohë shumë interesante, megjithatë kohë të mrekullueshme. …
Ne e dimë se ndërsa i afrohemi Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit, bota jonë do të jetë plot me trazira dhe pështjellim. Shumë vetë në shoqëri do t’i shpërfillin urdhërimet e Perëndisë. Unë e kam cituar shpesh këtë thënie nga Presidenti Tomas S. Monson: ‘Atje ku dikur standardet e Kishës dhe standardet e shoqërisë përgjithësisht përputheshin, tani ka një ndryshim të madh midis nesh dhe ai po rritet gjithnjë e më shumë’.”
(Neil L. Andersen, “A Compensatory Spiritual Power for the Righteous” [takim shpirtëror nga Java e Edukimit në Universitetin “Brigam Jang”, 18 gusht 2015], speeches.byu.edu)
-
Në ç’mënyra kohët në të cilat jetojmë janë të mrekullueshme?
-
Çfarë mund të të bëjë të ndihesh nervoz për të jetuarit në botën që përshkroi Plaku Andersen?
Teksa e studion këtë mësim, kërko mënyra se si Perëndia ka siguruar ndihmë me dashuri për pështjellimin, rreziqet shpirtërore ose ankthin që mund të ndiesh nga gjendja e botës.
Lexo te 2 Timoteut 3:1–7, 12–13; 4:3–4, duke kërkuar përshkrimet e Palit për rreziqet në ditët e fundit. Nëse dëshiron, mund të përdorësh poshtëshënimet që të të ndihmojnë të kuptosh ndonjë fjalë të vështirë.
-
Cilët shembuj të gjendjes që përshkroi Pali, ke parë në botë sot?
Një dhuratë nga Perëndia
Ati Qiellor nuk na ka lënë të përballemi të vetëm me vështirësitë e ditëve të fundit. Në mëshirën dhe dashurinë e Tij, Ai na ka siguruar shumë dhurata të mrekullueshme.
Plaku Andersen vazhdoi:
“Ndërsa e gjejmë rrugën tonë në një botë më pak të vëmendshme ndaj urdhërimeve të Perëndisë, sigurisht që do të lutemi, por nuk duhet të jemi tej mase të shqetësuar. Zoti do t’i bekojë shenjtorët e Tij me fuqinë shpirtërore të shtuar, të nevojshme për t’i përballur sfidat e kohës sonë.”
(Neil L. Andersen, “A Compensatory Spiritual Power for the Righteous” [takim shpirtëror nga Java e Edukimit në Universitetin “Brigam Jang”, 18 gusht 2015], speeches.byu.edu)
Lexo te 2 Timoteut 3:14–17, duke kërkuar një nga dhuratat që ka siguruar Perëndia për të na ndihmuar t’i kalojmë vështirësitë e kohës sonë.
-
Cilat janë disa nga bekimet që mund të marrim nga studimi i shkrimeve të shenjta, të cilat ti i vure re në këto vargje?
Studimi i shkrimeve të shenjta mund të të ndihmojë:
-
Ta thellosh besimin tënd te Jezu Krisht.
-
Të marrësh urtësi dhe udhëzim në situatat me të cilat përballesh.
-
Të kuptosh doktrinën ose të vërtetat e ungjillit.
-
T’i korrigjosh idetë e rreme ose zakonet e këqija.
-
Të bëhesh më i ngjashëm me Jezu Krishtin.
-
Si do ta përmblidhje atë që Pali dha mësim rreth studimit të shkrimeve të shenjta?
Në ditarin tënd të studimit, shkruaj për një rast kur shkrimet e shenjta të ndihmuan në një nga mënyrat që përshkroi Pali. Nëse nuk mund të mendosh për një përvojë, shkruaj se përse mendon se shkrimet e shenjta mund të të ndihmojnë në një nga mënyrat që përshkroi Pali.
-
Në ç’mënyra të tjera mund të të bekojë Zoti ndërsa i studion shkrimet e shenjta?
-
Zoti të dha dhuratën e shkrimeve të shenjta për të të ndihmuar në ditët e fundit. Çfarë të mëson kjo për Të?
Përdorimi i shkrimeve të shenjta
Për të ushtruar përdorimin e shkrimeve të shenjta për ta forcuar besimin tënd te Jezu Krishti, zgjidh dy nga sfidat e ditëve të mëvonshme për të cilat Pali profetizoi te 2 Timoteut 3:1–7, 12–13; 4:3–4 ose zgjidh sfida të ndryshme që janë të rëndësishme në jetën tënde. Kërko fragmente të shkrimeve të shenjta që mund ta ndihmojnë dikë i cili po përballet me këto sfida. Mund të jetë e dobishme të kërkosh fjalë kyç tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, që është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Ose ti mund të zgjedhësh në fillim disa nga shkrimet e shenjta të parapëlqyera dhe më pas të vendosësh se për cilat nga sfidat e ditëve të mëvonshme mund të të ndihmojnë ato.
Synimi yt për studimin e shkrimeve të shenjta
Pali i solli ndër mend Timoteut se ai ishte bekuar që i njihte shkrimet e shenjta që në fëmijëri (shih 2 Timoteut 3:15). Në të njëjtën mënyrë, Ati Qiellor do të të bekojë për studimin e shkrimeve të shenjta në rininë tënde. Gjej disa minuta për të vendosur me lutje një synim ose për të marrë parasysh synimin tënd të tanishëm për studimin vetjak të përditshëm të shkrimeve të shenjta. Përsiat për pyetjet vijuese:
-
Cila është ecuria e synimit tënd?
-
Si po të ndihmon synimi yt ta zhvillosh besimin te Jezu Krishti dhe t’i kapërcesh sfidat e kohës sonë?
-
Çfarë përshtatjesh, nëse ka, e ndien se duhet të bësh për synimin tënd?
Merre parasysh t’i tregosh mësuesit, një prindi apo dikujt tjetër tek i cili ke mirëbesim, për synimin tënd të studimit të shkrimeve të shenjta dhe t’i ftosh ata ta ndjekin ecurinë tënde.
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Si mund t’i kuptoj vështirësitë e renditura te 2 Timoteut 3:1–7?
Përkufizimet vijuese mund të jenë të dobishme:
-
“Të padhembshur” (2 Timoteut 3:3) mund të përfshijë sjellje që lidhen me një mungesë të ndjenjës ose përkujdesjes, ndjenja të urrejtjes dhe përbuzjes ose me dëshira lakmitare që çojnë në imoralitet seksual
-
“Të papërmbajtur” (2 Timoteut 3:3) do të thotë pa vetëkontroll
-
“Kokëshkretë” (2 Timoteut 3:4) do të thotë të nxituar, të pakujdesshëm
-
“Fodullë” (2 Timoteut 3:4) do të thotë të krekosur, mendjemëdhenj
Si mund t’i kuptoj më mirë vargjet te 2 Timoteut 3:16–17?
Merre parasysh të lexosh artikullin “Line upon Line: 2 Timothy 3:16–17” (New Era, prill 2012, f. 19), i cili përmban ndihma me fjalë, komente profetike dhe shpjegime që mund të të ndihmojnë t’i kuptosh më tej këto vargje.
Si mund të më ndihmojë studimi i shkrimeve të shenjta në jetën time?
Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:
“Ne i flasim Perëndisë nëpërmjet lutjes. Ai më shpesh komunikon me ne nëpërmjet fjalës së Tij të shkruar. Që të dini se si tingëllon dhe ndihet zëri i Hyjnisë, lexoni fjalët e Tij, studioni shkrimet e shenjta dhe përsiatini ato. Bëjini ato pjesë përbërëse të jetës suaj të përditshme. …
Nëpërmjet studimit të përditshëm, të vazhdueshëm të shkrimeve të shenjta, ju do të gjeni paqe në trazirën përreth jush dhe forcë për t’u bërë ballë tundimeve. Ju do të zhvilloni besim të fortë te hiri i Perëndisë dhe do të dini se, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, gjithçka do të vihet në rregull sipas kohës së Perëndisë.”
(Riçard G. Skot, “Bëjeni Ushtrimin e Besimit Përparësinë Tuaj Parësore”, Liahona, nëntor 2014, f. 93, 94)
Si mund të ndihem optimist për të ardhmen nëse drejtimi i shoqërisë duket të jetë në kundërshtim me urdhërimet e Perëndisë?
Presidenti Bojd K. Paker (1924–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ndihmoi për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje në materialin filmik “On Zion’s Hill” [“Në Kodrën e Sionit”] nga kodi kohor 0:00 deri në 1:41, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
Cilat janë disa mënyra se si mund t’i studioj shkrimet e shenjta me efektshmëri?
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i përgjigjet kësaj pyetjeje në materialin filmik “Advice for Studying the Scriptures” [“Këshillë për Studimin e Shkrimeve të Shenjta”] (2:07), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.