2 Timoteut 4
“E Ruajta Besimin”
Të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit na bekon në shumë mënyra. Ndonëse do të përballemi me sprova dhe përndjekje, nëpërmjet besimit te Jezu Krishti, ne mund të qëndrojmë të guximshëm deri në fund. Pas dekadash përpjekjesh për ta ndjekur Shpëtimtarin, Pali e kuptoi se do ta vrisnin së shpejti. Në letrën e tij të fundit drejtuar Timoteut, ai shprehu arsyen përse të qëndruarit besnik ia vlente për të dhe për të gjithë ata që zgjedhin të durojnë me besim. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të bëhesh ose të qëndrosh i zotuar në dishepullimin për gjithë jetën ndaj Jezu Krishtit.
Të duruarit me besnikëri
Përfytyro se si do të ishte të dije se do të ndërrosh jetë.
-
Çfarë do të shpresoje të ishe në gjendje të thoshe për jetën tënde kur ajo ditë të vijë?
-
Çfarë do të jetë e rëndësishme për ty në atë kohë? Çfarë nuk do të jetë e rëndësishme?
-
Si mendon se do të ndikojnë tek ti në atë kohë përpjekjet e tua për ta ndjekur Shpëtimtarin gjatë gjithë jetës tënde?
Pas dekadash shërbimi të guximshëm si dishepull i Jezu Krishtit, Pali i shkroi Timoteut nga një burg në Romë duke e ditur se së shpejti do ta ekzekutonin. Kjo është me gjasa letra e fundit që Pali shkroi, që është e përfshirë në Dhiatën e Re. Ne jemi të bekuar që jemi në gjendje të lexojmë disa nga mendimet e fundit të këtij njeriu të madh ndërsa reflektoi për jetën e tij dhe për vdekjen që po i afrohej.
Pali i krahasoi përpjekjet e tij për të qëndruar besnik me dy veprime të ndryshme. Lexo te 2 Timoteut 4:6–7 dhe kërko krahasimet e Palit.
-
Përse mund të jenë të luftuarit e një lufte të mirë dhe përfundimi i një vrapimi krahasime të efektshme me ruajtjen e besimit tonë te Jezu Krishti gjatë jetës sonë?
Përsiat për një minutë se si është ecuria e garës tënde ose luftës tënde për të qëndruar besnik ndaj Krishtit në këtë pikë të jetës tënde. A je ndier ndonjëherë i lodhur, i rrahur apo i plagosur? A je tunduar ndonjëherë të dorëzohesh? Si të ka ndihmuar Shpëtimtari në këto situata? Teksa studion sot, mendo rreth arsyes përse do t’ia vlejë që ta vazhdosh vrapimin në garë ose ta luftosh luftën e dishepullimit.
Ajo që Shpëtimtari u ofron besnikëve
Lexo te 2 Timoteut 4:8, duke kërkuar bekimet që Shpëtimtari i përgatiti për Palin dhe për të gjithë ata që durojnë me besnikëri.
Kjo kurorë është një simbol i jetës së përjetshme me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, e njohur edhe si ekzaltimi.
-
Si mendon, përse Pali do ta përshkruante këtë bekim që Jezu Krishti na e ofron si “kurora e drejtësisë”?
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga ky fragment, është kjo: Për shkak të Jezu Krishtit, të gjithë ata që durojnë me besnikëri deri në fund, do të marrin jetë të përjetshme.
Gjej pak kohë për të menduar rreth asaj se kush mund të ndikohet nga zgjedhja jote për të duruar deri në fund.
Shpresa jonë qëndron te Jezu Krishti
Plaku L. Tom Peri (1922–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se për shkak se sa sfidues është durimi deri në fund, ne nuk mund t’ia dalim të vetëm. Ai dha mësim:
“Durimi deri në fund nuk është diçka që mund ta bëni të vetëm. … Ai kërkon fuqinë shëlbuese të Shpëtimtarit.”
(L. Tom Peri, “Ungjilli i Jezu Krishtit”, Liahona, maj 2008, f. 46)
Ashtu si Pali, shumë të tjerë kanë duruar deri në fund me ndihmën e Shpëtimtarit. Lexo të paktën dy nga fragmentet vijuese të Librit të Mormonit. Kërko mënyrën se si një marrëdhënie me Shpëtimtarin ndikoi te secili nga këta profetë teksa duruan me besnikëri dhe shkuan drejt vdekjes.
-
Lehi: 2 Nefi 1:14–15
-
Enosi: Enosi 1:27
-
Moroni: Moroni 10:32–34
-
Si e përshkruan këta dishepuj marrëdhënien e tyre me Jezu Krishtin?
-
Si ndikoi ajo marrëdhënie në mënyrën se si ata u ndien për vdekjen e tyre?
Çfarë këshille do të jepje?
Cili është mesazhi për ty?
Kthehu te 2 Timoteut 4 dhe lexo vargjet 6–8, 18. Përfytyroje veten tënde në të ardhmen sikur je në gjendje të thuash atë që tha Pali teksa i afrohesh fundit të jetës tënde. Pastaj përgjigju për pyetjet vijuese:
-
Cili ndien se është mesazhi i Atit Qiellor për ty?
-
Si të ka ndihmuar ajo që mësove dhe ndjeve sot, ta kuptosh më mirë nevojën tënde për Jezu Krishtin?
-
Çfarë ndihesh i nxitur të bësh?
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Si durojmë deri në fund?
Plaku L. Tom Peri (1922–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:
“Durimi deri në fund kërkon besnikëri deri në fund, si në rastin e Palit që i tha Timoteut: ‘Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin’ (2 Timoteut 4:7). Duket qartë, kjo nuk është detyrë e lehtë. Ka për qëllim të jetë e vështirë, sfiduese dhe përfundimisht pastruese, ndërsa përgatitemi të kthehemi të jetojmë me Atin tonë në Qiell dhe të marrim bekimet e përjetshme.”
(L. Tom Peri, “Ungjilli i Jezu Krishtit”, Liahona, maj 2008, f. 46)
Shiko materialin filmik “Endure to the End” [“Duroni Deri në Fund”] (2:04), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, duke kërkuar se si Presidenti Diter F. Uhtdorf, dikur i Presidencës së Parë, ndihmoi për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje.
Po sikur ndonjëherë të jetë e vështirë t’i shohësh bekimet e të qëndruarit besnik?
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:
“Mos u dorëzoni. Vazhdoni të ecni. Vazhdoni të përpiqeni. Ka ndihmë dhe lumturi përpara jush. … Gjithçka do të jetë në rregull në fund. Mirëbesojini Perëndisë dhe besoni në gjërat e mira që do të vijnë.
… Disa bekime vijnë shpejt, disa vijnë vonë dhe disa nuk vijnë derisa të jemi në qiell; por për ata që e përqafojnë ungjillin e Jezu Krishtit, ato vijnë.”
(Jeffrey R. Holland, “An High Priest of Good Things to Come”, Ensign, nëntor 1999, f. 38)