Veprat e Apostujve 2
“Mbushur me Frymën e Shenjtë”
Para vdekjes së Tij, Jezusi u tha Apostujve të Tij se pasi Ai të largohej, Ati do t’u dërgonte “Ngushëlluesi[n], Frym[ën] e Shenjtë” (Gjoni 14:26). Siç ishte premtuar, Fryma e Shenjtë erdhi tek të Dymbëdhjetë Apostujt në një mënyrë të mrekullueshme në ditën e Rrëshajëve. Qëllimi i këtij mësimi është të të ndihmojë ta thellosh kuptueshmërinë tënde për mënyrat se si Fryma e Shenjtë mund të të bekojë dhe të të ndihmojë të mësosh se si t’i ftosh ato bekime në jetën tënde.
Zgjerimi i aftësive tona
Përcakto se në ç’masë bie dakord me thënien vijuese në një shkallë nga një deri në shtatë dhe shënoje përgjigjen tënde në ditarin tënd të studimit: Jam i/e sigurt se mund ta dalloj se kur e ndiej Frymën e Shenjtë në jetën time.
-
Çfarë pyetjesh ke për Frymën e Shenjtë?
Në ditarin tënd të studimit, shkruaj titullin “Mënyrat se si Fryma e Shenjtë mund të më ndihmojë”. Ji gati të shtosh elemente në listë gjatë gjithë mësimit.
Teksa studion sot, ti do të shohësh shembuj të mënyrës se si Fryma e Shenjtë vepron në jetën e njerëzve. Mendo rreth asaj se çfarë mund të mësosh ti nga këta shembuj për mënyrën se si Fryma e Shenjtë mund të veprojë në jetën tënde. Një e vërtetë që theksohet nga këta shembuj, është që nëpërmjet Frymës së Shenjtë, Ati Qiellor na ndihmon të vijmë te Jezu Krishti.
Fryma e Shenjtë derdhet në ditën e Rrëshajëve
Përpara vdekjes së Tij, Jezusi u mësoi dishepujve të Tij se Ati Qiellor do t’u dërgonte atyre Frymën e Shenjtë pasi Ai të largohej nga toka. Ai dëshmoi se Fryma e Shenjtë do të ofronte ngushëllim, do të jepte drejtim dhe do të dëshmonte për Të (shih te Gjoni 14:16, 26; 15:26).
Rrëshaja është një festë judease që ndodh 50 ditë pas festës së Pashkës. Judenjtë nga vendet përqark do të udhëtonin për në Jerusalem për këtë festë që kremtonte të korrën e parë të stinës (shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Rrëshajë”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Lexo te Veprat e Apostujve 2:1–8, duke kërkuar mënyrën se si premtimi i Shpëtimtarit për marrjen e Frymës së Shenjtë nga Apostujt u përmbush në këtë ditë. (Vër re që “gjuhë, si prej zjarri” te vargu 3 i referohet një shfaqjeje të dukshme të pranisë së Frymës.)
Te vargjet 4–8, Apostujt po përjetonin dhuratën e gjuhëve, “një dhuratë e Frymës së Shenjtë që lejon individë të frymëzuar të flasin, të kuptojnë ose interpretojnë gjuhë të panjohura” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Gjuhë(ve), Dhuratë e”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
-
Si i bekoi Fryma e Shenjtë dishepujt dhe ata që i dëgjonin?
-
Si mendon se e përmirësoi dhurata e gjuhëve aftësinë e Apostujve për të ndihmuar të tjerët të vijnë te Krishti?
-
Si mund ta përjetojmë këtë dhuratë sot?
Merre parasysh t’i shtosh idetë nga vargjet që ke studiuar deri tani, te lista që krijove në ditarin tënd të studimit.
Pjetri dëshmon për Jezu Krishtin
Ne mund të shohim një mënyrë tjetër se si Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë duke parë guximin me të cilin Pjetri dha mësim dhe dëshmoi.
Duke mbajtur në mendje që ngjarjet e përshkruara te Veprat e Apostujve 2 ndodhën jo shumë kohë pasi Jezusi u kryqëzua, lexo te Veprat e Apostujve 2:22–24, 32–33, 36 dhe kërko mënyrën se si Fryma e Shenjtë e ndihmoi Pjetrin në këtë rrethanë të predikonte me guxim dhe trimëri për Jezu Krishtin. (Shih edhe te Veprat e Apostujve 3:12–20.)
-
Çfarë pe?
-
Çfarë mëson nga ky rrëfim rreth mënyrës se si Fryma e Shenjtë mund të të ndihmojë? (Shih edhe te Veprat e Apostujve 1:8; 4:31.)
Shtoji mendimet e tua në listën tënde në ditarin e studimit.
Ndikimi i mësimeve të Pjetrit tek të tjerët
Fryma e Shenjtë pati një ndikim tek ata që i dëgjuan mësimet e Pjetrit për Jezu Krishtin. Lexo te Veprat e Apostujve 2:37–38, 41 duke kërkuar mënyrën se si Fryma e Shenjtë i ndihmoi këta njerëz. Fjala pikëlluan nga vargu 37 do të thotë të shkaktosh hidhërim ose keqardhje dhe sugjeron se njerëzit dëshironin të ndryshonin.
-
Çfarë të bëri përshtypje në këto vargje?
-
Si i ndihmoi “pikëll[imi] në zemër” këta njerëz që të afroheshin më pranë Jezu Krishtit? (Vargu 37.)
Krahasoje atë që u ndodhi njerëzve që Pjetri u dha mësim, me premtimin që Perëndia u bëri shërbëtorëve të Tij te Doktrina e Besëlidhje 100:5–8.
-
Cilët janë disa shembuj të ndryshimeve që Fryma e Shenjtë mund të na frymëzojë të bëjmë, të cilat do të na ndihmonin të afrohemi më shumë te Jezu Krishti?
Merre parasysh t’i shtosh idetë e tua nga Veprat e Apostujve 2:37–38, 41 në listën në ditarin tënd të studimit.
Reflektim mbi atë çfarë studiove
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Si na ndihmon Fryma e Shenjtë t’iu afrohemi më shumë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim:
“Misioni i Frymës së Shenjtë është të dëshmojë për Atin dhe Birin (shih [te] Gjoni 15:26; 2 Nefi 31:18; 3 Nefi 28:11), që të na drejtojë ne tek e vërteta (shih [te] Gjoni 14:26; 16:13), dhe të na tregojë neve gjëra që duhet t’i shohim (shih [te] 2 Nephi 32:5). Kjo linjë vetjake e komunikimit me Atin tonë Qiellor nëpërmjet Shpirtit të Tij të Shenjtë është burimi i dëshmisë sonë për të vërtetën, për njohurinë tonë dhe për drejtimin tonë vetjak nga një Atë Qiellor i dashur. Është një karakteristikë thelbësore e planit të Tij të mrekullueshëm të ungjillit, që e lejon secilin nga fëmijët e Tij të marrë një dëshmi vetjake për vërtetësinë e tij.”
(Dallin H. Ouks, “Dy Linja Komunikimi”, Liahona, nëntor 2010, f. 83)
Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi:
“Kur individët … e ndiejnë Shpirtin që vepron me ta ose kur shohin provë të dashurisë dhe mëshirës së Zotit në jetën e tyre, ata lartësohen e forcohen shpirtërisht dhe rritet besimi i tyre në Të”.
(M. Russell Ballard, “Now Is the Time”, Ensign, nëntor 2000, f. 75)
Cila është ndjesia që krijon Fryma e Shenjtë dhe si mund ta ftosh atë?
Materiali filmik “Feeling the Holy Ghost” [“Të Ndierit e Frymës së Shenjtë”] (3:17), jep shembuj të mënyrave se si njerëzit e ndiejnë Frymën e Shenjtë. Ky material filmik është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
Materiali filmik “Having the Holy Ghost” [“Pasja e Frymës së Shenjtë”] (2:56), që gjendet në ChurchofJesusChrist.org, jep shembuj të mënyrës se si ta ftosh Frymën e Shenjtë.