Veprat e Apostujve 3
Shërimi i Burrit të Çalë
Një njeri që nuk kishte qenë në gjendje të ecte gjithë jetën e tij, e çonin çdo ditë në tempullin në Jerusalem që të lypte para. Ai u takua me Pjetrin dhe Gjonin, që i dhanë atij një dhuratë shumë më të madhe sesa paratë që ai kërkonte. Pjetri e shëroi burrin duke përdorur autoritetin e priftërisë dhe në emrin e Jezu Krishtit. Ajo përvojë i dha Pjetrit dhe Apostujve të tjerë shumë mundësi për të dëshmuar për Jezu Krishtin. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë ta forcosh besimin tënd që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë në gjendje të të ndihmojnë t’i mposhtësh sfidat me të cilat përballesh.
Marrja e fuqisë shëruese të Perëndisë
-
Cilat janë disa sfida apo vuajtje fizike, shpirtërore ose emocionale që njerëzit i përjetojnë në jetë?
Reflekto për një sfidë apo vuajtje me të cilën po përballesh personalisht, për të cilën do të doje të kërkoje lehtësim ose forcë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti për ta mposhtur. Shkruaje në ditarin tënd të studimit dhe përfshi gjithashtu përgjigjet e tua për pyetjet vijuese:
-
Çfarë veprimesh ke kryer për të marrë ndihmë për këtë sfidë apo vuajtje?
-
Çfarë di tashmë për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin që të jep siguri se Ata do të të ndihmojnë?
-
Çfarë pyetjesh apo shqetësimesh ke për mposhtjen e kësaj sfide apo vuajtjeje?
Pjetri dhe Gjoni shërojnë një njeri të çalë
Në këtë mësim ti do të kesh mundësinë të mësosh disa të vërteta të ungjillit nga rrëfimi te Veprat e Apostujve 3 për Pjetrin dhe Gjonin që shërojnë një njeri të çalë. Teksa studion, kushtoju vëmendje nxitjeve shpirtërore që merr. Kërko ta forcosh besimin tënd që Jezu Krishti mund të të ndihmojë për sfidat me të cilat përballesh në vdekshmëri.
Lexo te Veprat e Apostujve 3:1–3, duke kërkuar disa hollësi për këtë burrë, i cili ishte mbi 40 vjeç (shih te Veprat e Apostujve 4:22). Mund të jetë e dobishme të dish që “lëmosh[at]” e përmendura te vargjet 2–3 ishin sende që njerëzit ua dhuronin të varfërve.
-
Cilat janë disa fjalë që ti mund t’i përdorësh për ta përshkruar këtë burrë dhe situatën e tij? Përse?
-
Cilat janë disa mënyra tipike që njerëzit mund t’i përgjigjen dikujt në situatën e këtij burri?
Lexo te Veprat e Apostujve 3:4–8, duke kërkuar në këtë rrëfim të vërtetat që mund të mësosh rreth mposhtjes së sfidave ose vuajtjeve tona. Mund të shohësh edhe materialin filmik “Peter and John Heal a Man Crippled since Birth” [“Pjetri dhe Gjoni Shërojnë një Njeri të Çalë që Prej Lindjes”] (3:21), që gjendet në ChurchofJesusChrist.org.
-
Çfarë të bën përshtypje nga ky rrëfim?
-
Çfarë të ndihmon të mësosh apo të ndiesh kjo përvojë për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
Pjetri u dha mësim atyre që e dëshmuan mrekullinë, e cila u bë nëpërmjet besimit në emrin e Jezu Krishtit (shih te Veprat e Apostujve 3:16). Një e vërtetë që mund të mësojmë nga kjo ndodhi, është që nëpërmjet besimit te Jezu Krisht ne mund të shërohemi.
-
Çfarë mund të tregosh nga këto vargje që mund ta ndihmojë dikë i cili po përjeton aktualisht një nga sfidat apo vuajtjet fizike, shpirtërore ose emocionale që identifikove më herët në këtë mësim?
-
Çfarë mund të bëjmë për të marrë fuqinë e Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit për të na ndihmuar për këto sfida?
Shih materialin filmik “The Wounded Shall be Healed” [“Të Plagosurit do të Shërohen”] (5:45), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Dëgjoje dëshminë e Plakut Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe shëno çdo fjalë ose frazë që të lë mbresa ose përshtypje që të vijnë ndërsa e sheh materialin filmik.
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi për fuqinë e Shpëtimtarit për të na shëruar:
“Vëllezërit e motrat e mia, është premtimi im për ju se rritja e besimit tuaj te Zoti Jezu Krisht do t’ju sjellë forcë të shtuar dhe shpresë më të madhe. Juve, të drejtëve, Shëruesi i shpirtrave tanë, në kohën e Tij dhe sipas mënyrës së Tij, do t’jua shërojë të gjitha plagët. Asnjë padrejtësi, asnjë përndjekje, asnjë sprovë, asnjë trishtim, asnjë brengë, asnjë vuajtje, asnjë plagë – sado e thellë, sado e gjerë, sado e dhembshme – nuk do të përjashtohet nga ngushëllimi, paqja dhe shpresa e përhershme e Atij, krahët e hapur dhe duart e plagosura të së Cilit do të na mirëpresin përsëri në praninë e Tij.”
(Nil L. Andersen, “Të Plagosur”, Liahona, nëntor 2018, f. 86)
-
Çfarë të bën përshtypje nga mësimet e Plakut Andersen?
-
Çfarë përvojash ke pasur ose di ku Shpëtimtari ishte në gjendje të jepte forcë ose shërim?
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Përse ka raste kur ne nuk e marrim shërimin e Shpëtimtarit në kohën dhe në mënyrën që ne e dëshirojmë?
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Unë e pranoj se, me raste, disa nga lutjet tona më të zjarrta mund të duket sikur kalohen pa përgjigje. Pyesim veten: ‘Përse?’ E njoh atë ndjesi! E njoh frikën dhe i njoh lotët e çasteve të tilla. Por, di gjithashtu se lutjet tona kurrë nuk shpërfillen. Besimi ynë nuk mbetet kurrë i pavlerësuar. E di se një këndvështrim tërësisht i urtë i Atit Qiellor është shumë më i gjerë sesa këndvështrimi ynë. Ndërsa i dimë problemet dhe dhembjen tonë në vdekshmëri, Ai e njeh përparimin dhe aftësinë tonë të pavdekshme. Nëse lutemi për të ditur vullnetin e Tij dhe e nënshtrojmë veten ndaj tij me durim dhe kurajë, shërimi qiellor mund të ndodhë në mënyrën dhe në kohën e Tij.”
(Rasëll M. Nelson, “Jezu Krishti – Mësuesi Shërues”, Liahona, nëntor 2005, f. 86; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 118)
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Drejtësia dhe besimi sigurisht janë mjete për të shëruar të sëmurët, të shurdhët ose të çalët – nëse ky shërim i përmbush qëllimet e Perëndisë dhe është në pajtim me vullnetin e Tij. Pra, edhe me besim të fortë, shumë male nuk do të zhvendosen. Dhe jo të gjithë të sëmurët dhe të dobëtit do të shërohen. Nëse i gjithë kundërshtimi do të ndërpritej, nëse të gjitha dobësitë do të zhdukeshin, atëherë do të pengoheshin qëllimet fillestare të planit të Atit.”
(David A. Bednar, “Accepting the Lord’s Will and Timing”, Liahona, gusht 2016, f. 34)
Si mund ta përdor fuqinë shëruese të Shpëtimtarit kur përjetoj vuajtje shpirtërore?
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Vuajtjet mund të vijnë për shkaqe shpirtërore si edhe fizike. Alma i Riu kujtoi se mëkati i tij ishte aq i dhembshëm saqë ai dëshiroi të ‘shuhe[j] si në shpirt ashtu dhe në trup, që të mos dil[te] të qëndro[nte] në praninë e Perëndisë …, për t’u gjykuar për veprat [e tij]’ [Alma 36:15]. Në kohë të tilla, si mund të shërohemi nëpërmjet Tij?
Ne mund të pendohemi më plotësisht! Ne mund të bëhemi më plotësisht të kthyer në besim! Atëherë ‘Biri i Drejtësisë’ mund të na bekojë më plotësisht me anë të dorës së Tij shëruese.
… Besimi, pendimi, pagëzimi, një dëshmi dhe kthimi i qëndrueshëm në besim të çojnë te fuqia shëruese e Zotit.”
(Rasëll M. Nelson, “Jezu Krishti – Mësuesi Shërues”, Liahona, nëntor 2005, f. 86; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 118)